Nga Albert Doja
Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
Profesor i antropologjisë në Universitetin e Lilës, Francë
Debati i ditëve të fundit mbi dritëhijet e historisë lidhur me tipare “të pazbuluara” për figura të tilla si Martin Camaj dhe Ernest Koliqi nuk është një çështje e re. Gjatë qendrimit tim në Harvard në vitin 2017-2018, jam takuar me Agron Alibalin aty rreth tetorit 2017 për një drekë pune në Harvard Faculty Club ku ai më ka treguar një seri dokumentesh që kishte zbuluar, duke më kërkuar mendim mbi lidhjet agjenturore të intelktualëve shqiptarë në mërgim. Disa muaj më parë, në Mars 2017, Salih Mehmeti kishte botuar tashmë në portalin Konica.AL dokumente që tregojnë se si figura të tilla si Martin Camaj dhe Hasan Kaleshi janë rekrutuar dhe kanë punuar në strukturat subversive të shërbimit sekret jugosllav (UDB),[1] ndërsa shkrimi i Agron Alibalit mbi inteligjencien shqiptare në tehun e Luftës së Ftohtë botohet tek Peizazhe të Fjalës në Janar 2020 pa identifikuar Martin Camaj me emër.[2] Por mund të thuhet se shkrimi i fundit në këtë vazhdë, botuar nga Auron Tare tek Peizazhe të Fjalës,[3] riprodhon të njëjtat dokumente dhe me përjashtim të ndonjë hollësie apo saktësimi të rastit nuk sjell asgjë të re që nuk dihej më parë. Megjithatë, pikërisht tani, ky shkrim ka hapur një debat publik që duket se ka mbërthyer arenat e nxehura të mediave të shkruara, vizuale e portuale, i cili është bërë edhe më i nxehtë nëpërmjet jehonës që ka përftuar në rrjetet sociale. Sidoqoftë, autorët ndoshta duhen përgëzuar për këto shkrime të mirëdokumentuara që mund dhe duhet të kishin hapur një debat intelektual me më shumë interes.[4]
Për fat të keq, ky debat ka marrë një karakter thelbësisht anti-intelektual, në kuptimin që nuk ka krijuar mundësi të prodhojë ide. Debati publik është reduktuar në një kundërvënie midis partizanëve të shurdhët që luftojnë me çdo kusht për të bërë të ditur idenë e tyre për drejtësinë e mohuar apo të vërtetën e amshuar. Në këtë kuptim, pikësynimi i vetëm i këtij debati është të dënojë e të poshtërojë trashëgiminë politike e morale, komuniste apo kolaboracioniste, si dhe të vlerësojë e të idealizojë kontributin e përfytyruar kombëtar, historik apo kulturor, intelektual, artistik apo shkencor të këtij apo atij protagonisti. Kjo do të thotë përqendrim në trajtimin dhe paraqitjen e çështjes në fjalë në përputhje me ndjenjën personale se si duhet të jetë e drejta dhe e vërteta, ku nuk kemi të bëjmë me ekzaminim faktesh e të dhënash por thjesht me konfirmim bindjesh. Ky lloj partizanizmi ideologjik ka pasoja të dëmshme intelektuale që pengojnë prodhimin e ideve pavarësisht se sa dhe si pretendimet vërtetohen nga provat apo konfirmohen nga bindjet.
Në parim, partizanët e drejtësisë dhe të së vërtetës marrin me shumë zell një qëndrim që është haptazi anti-intelektual, meqë ruajtja e pastërtisë ideologjike mbetet boshti kryesor i punës dhe i jetës së tyre. Për ta, çdo shkrim, çdo media, çdo koment është një mundësi për të treguar virtytin e tyre, që në shumicën e rasteve është kombëtarist ose kulturalist. Kjo e shndërron diskutimin në një debat të shurdhët, pasi është e vështirë për këdo që t’u kthehet atyre me ndonjë koment kritik pa e treguar veten se është komunist, antikomunist, kolaboracionist, kombëtarist apo krahinarist, anti-katolik apo anti-verior. Në një terren të lartësuar ideologjik, është e lehtë të mbrosh qëndrimin që ke zgjedhur pa qenë nevoja të bazohesh në fakte e të dhëna të logjikshme apo të pakundërshtueshme. Në fund të fundit, faktet nuk kanë asnjë rëndësi, ato mund të minimizohen pa problem dhe të konsiderohen të pasakta, selektive apo të pakontekstualizuara. Në këto kushte, nëse dikush kërkon të vërë në dyshim këtë lloj qëndrimi ideologjik, ky ose ajo nuk tregon veçse që është në krahun e gabuar ideologjik. Kështu mund të hidhet poshtë pa hezitim çdo lloj shkrimi apo argumenti, autori i të cilit mund të akuzohet se është i njollosur politikisht e moralisht, nga ideologjia komuniste, antikombëtare, anti-krahinore apo anti-klerikale. Në fund të fundit, nga dikush që konsiderohet se është i keq apo i njollosur asgjë me vlerë nuk mund të pritet por veç makinacione dashakeqëse. Prandaj sharjet dhe fyerjet personale (ad hominem) nuk kanë munguar edhe në këtë debat. Për partizanët ideologjikë, kjo u thjeshton jetën dhe i bën të kërkojnë dhe të diskutojnë vetëm me mendje që kanë të njëjtën mendje. Madje edhe një historian profesionist, pa u interesuar për përmbajtjen e fakteve por me sa duket i verbuar nga bindjet ideologjike, mund të shkojë deri aty sa të akuzojë Auron Taren se i ka konsultuar dosjet arkivore në mënyrë të paligjshme! Sikur kjo të kishte rëndësi për çështjen në diskutim.
Në vështrim të parë mund të duket e çuditshme, madje e pabesueshme, por e njëjta gjë mund të thuhet, në parim, edhe për ekspertët teknicistë që synojnë të dëshmojnë praninë apo mungesën e këtyre apo atyre fakteve të pakundërshtueshme që nuk shterrojnë asnjëherë. Për këta, kjo do të thotë përqendrim në evidentimin e fakteve dhe të dhënave të pakundërshtueshme, ku qëllimi është që çështja të paraqitet në funksion të gjetjeve e të fakteve të grumbulluara. Por edhe në këtë rast qëndrimi është thelbësisht anti-intelektual, pasi interesi intelektual kufizohet me kërkimin dhe gjetjen e fakteve në dëm të angazhimit me idetë që mund të ngjallin këto fakte. Në këtë kategori hyjnë pa dyshim, siç e kam vënë në dukje me kohë, shumë studiues të kulturës popullore apo traditave kulturore që kufizohen me hulumtimin e të dhënave etnografike-folklorike të terrenit. por edhe historianë “profesionistë” që kujtojnë se e “vërteta” historike gjenden në burimet arkivore apo sociologë që rëndom pretendojnë se çelësi i “shkencës” qëndron tek faktet e nxjerra nga statistikat apo nga anketat dhe intervistat. Në çdo rast, ekspertët profesionistë që merren vetëm me grumbullimin dhe evidentimin e fakteve dhe të dhënave më janë dukur gjithnjë se ngjajnë me ata që Edmund Leach i ka quajtur “koleksionistë fluturash”, sidomos kur nuk shkojnë përtej përvojës tekniciste e empiriciste që pengon ato lloj hamendësimesh të frymëzuara për shpjegime dhe përgjithësime që mund të kapërcejnë të dhënat faktike.[5]
Kështu, për shembull, Auron Tare është akuzuar vazhdimisht se shkrimi i tij nuk është i bazuar në fakte të qendrueshme por në aludime dhe hamendësime që dy rreshta më poshtë paraqiten si të vërteta historike të provuara. Po kështu edhe ai vetë vazhdimisht ka përsëritur, ndoshta me një modesti të tepruar, se shkrimi i tij nuk është studim, në kuptimin se nuk pretendon të tregojë të vërtetën apo të gjykojë figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Sipas tij, qëllimi i shkrimit të tij është thjesht të ngrejë disa pyetje që mund të ndihmojnë studimet e mëvonshme për të kuptuar më mirë këto figura. Në fakt, me përpjekjet e tyre të lavdëruara për të mbledhur dhe për të përshkruar faktet arkivore, ekspertët profesionistë kanë prirje të harrojnë se ajo që dallon imagjinatën intelektuale të punës kërkimore nuk është një përshkrim sado i plotë dhe sado i hollësishëm apo i mbështetur në fakte empirike dhe në hulumtime sado shteruese, por sa të rëndësishme dhe sa pjellore bëhen idetë e përftuara nga një studim për të shpjeguar përse gjërat janë ashtu si janë, si dhe për të kuptuar dukuri të tjera të ngjashme dhe gjithnjë e më të koklavitura.
Është folur dhe flitet shumë se kushtet e kohës kanë përcaktuar dhe mund të justifikojnë sjelljen e këtyre studiuesve, shkrimtarëve apo intelektualëve të përmendur, të cilët mund të jenë detyruar të veprojnë kundër vullnetit të tyre ose që mund të kenë vepruar të udhëhequr nga një ideal i lartë siç mund të jetë lufta kundër regjimit komunist apo në mbrojtje të një ideologjie tjetër imagjinare më të vlerësuar. Sigurisht, nuk është e mundur të mendosh thjesht që shkrimtari, studiuesi apo intelektuali nuk mund dhe nuk duhet t’i lejojë vetes të jetë pjesë e peizazhit politik në të cilin jeton e punon. Po ashtu është e papërshtatshme t’u tregosh atyre se çfarë duhet apo nuk duhet të trajtojnë në veprat e tyre letrare apo shkencore. Shpesh shkrimtarët, studiuesit dhe intelektualët janë të hapur për t’u angazhuar politikisht në problemet e shoqërisë ku jetojnë apo që studiojnë. Në fakt, nuk ka mundësi për askënd që të kryejë studime shkencore apo vepra letrare pa patur apo pa marrë një qëndrim publik e politik. Shkrimtarët, studiuesit dhe intelektualët janë gjithnjë e më shumë të interesuar për një angazhim publik, ndërsa kush këmbëngul se ata duhet të jenë politikisht neutralë, në rastin më të mirë mashtron vetveten por edhe të tjerët.
Me këtë rast, më e drejtë më duket paraqitja në hyrjen redaksionale nga Ardian Vehbiu për shkrimin e Auron Tares,[6] që fton për një debat intelektual lidhur me fatin e intelektualëve shqiptarë në Tiranë, në Prishtinë dhe në Diasporë, të cilët shpesh mbijetuan si figura publike vetëm nëpërmjet gjithfarë kompromisesh politike me autoritetet përkatëse, policore agjenturore e totalitare, nën trysninë e sponsorëve të ndryshëm “kulturorë” që ishin të interesuar për shërbimet e tyre jo detyrimisht kulturore.
Në fakt, problemi është shumë serioz. Shpesh studiuesit, shkrimtarët dhe intelektualët vendas apo të mërguar kanë kërkuar mbështetjen dhe përkrahjen e politikës dhe administratës shtetërore, policore e agjenturore, për t’i siguruar vetes një pozitë të rehatshme akademike apo intelektuale. Në përgjithësi, suksesi fulgurant në Perëndim i një numri relativisht të madh studiuesish të famshëm nga Europa Lindore i detyrohet deri diku edhe flirtimit të tyre me shërbimet sekrete të vendeve nga vinin apo ku ishin vendosur.[7] Së fundmi, këtij numri i është shtuar edhe Julia Kristeva, studiuesja e njohur bullgare e vendosur në Francë në mes të viteve 1960, e cila është rekrutuar si agjente sekrete në qershor të vitit 1971 nga Sigurnost i regjimit komunist bullgar.[8] Kështu duket se ka ndodhur edhe me disa nga shkrimtarët e intelektualët e përmendur shqiptarë të mërguar në Perëndim, që janë përgojuar e janë persekutuar nga regjimi komunist i kohës dhe që sot janë rizbuluar e rivlerësuar, shpesh edhe janë idealizuar, si Ernest Koliqi apo Martin Camaj. Me shumë gjasë, “kjo lagje studiuesish informatorë siguronte mbështetje edhe për avancim në karrierat e tyre akademike, si dhe merrte mbështetje e ndihmë të prekshme përmes financimeve e sponsorizimeve të ndryshme”.[9]
Në debatet e sotme midis partizanëve ideologjikë dhe ekspertëve profesionistë flitet shumë për ndarjen e qëndrimeve politike nga veprat letrare apo shkencore të protagonistëve. Për këtë qëllim bëhen edhe krahasime me figura të shquara të letërsisë apo filozofisë botërore si Ezra Pound dhe Martin Heidegger, ndonëse një krahasimi të tillë mund t’i qëndronte vetëm Ismail Kadaré si një figurë e letërsisë shqiptare me përmasa botërore.[10] Nga pikëpamja e sociologjisë së veprës, impakti kulturor i Ernest Koliqit apo Martin Camajt, pavarësisht nga vlerat letrare e artistike sado të vlerësueshme e të rivlerësuara, ka qënë dhe do të mbetet vetëm një impakt margjinal e provincial, i kufizuar në një cep të Ilirisë së Poshtme. Sigurisht, nëse ka prej tyre ndonjë impakt kulturor, ky nuk mund të jetë veçse në fushën e zhvillimit institucional të studimeve albanologjike, përderisa Ernest Koliqi dhe Martin Camaj ishin titullarë të albanologjisë, përkatësisht në Universitetin e Romës në vitet 1939-1970 dhe në Universitetin e Mynihut në vitet 1965-1990.
Nëse është kështu, atëhere problemi shtrohet njëlloj edhe për studiuesit, shkrimtarët dhe intelektualët që kanë mbajtur poste dhe ofiqe të rangut të lartë dhe kanë qënë të lidhur me pushtetin komunist në Shqipëri, siç ishte rasti me pothuajse të gjithë drejtorët e instituteve kërkimore dhe institucioneve letrare e kulturore në çdo kohë gjatë regjimit komunist
një situatë që vazhdon të jetë e pandryshuar edhe sot). Megjithatë, askush nuk ka mundur të diskutojë rolin e tyre gjatë viteve të diktaturës komuniste, ndonëse ata janë deri diku përgjegjës që në krye të herës për projektimin dhe legjitimimin e njeriut të ri dhe të transformimeve socialiste të shoqërisë shqiptare.
Në një seri studimesh mbi lindjen dhe zhvillimin e studimeve albanologjike në përgjithësi dhe studimeve të kulturës popullore në veçanti kam argumentuar se origjina ideologjike e paradigmës albanologjike në studimet shqiptare duhet kërkuar në mënyrën se si është zhvilluar tradita e vjetëruar e shkollës kultural-historiciste gjermano-austriake, së cilës i përkasin edhe studimet historike misionare italiane, në shërbim të politikës kolonialiste, nacionaliste dhe nazi-fashiste.[11] Sigurisht, ky kuadër është historik dhe i ndryshueshëm, prandaj edhe ka ndryshuar për të kaluar nga ideologjia kolonialiste tek ideologjia nazi-fashiste dhe ideologjia nacional-komuniste, ashtu si kam treguar gjetiu karakterin kolonialist të albanologjisë që në fillimet e veta në shkrimet gjermano-autriake,[12] si dhe ripërpunimin e karakterit totalitarist të studimeve albanologjike gjatë regjimit komunist.[13] Kështu, motivimet ideologjike dhe kushtet politike të trashëguara nga e kaluara, si kolonializmi, fashizmi dhe nacional-komunizmi, kanë mundësuar edhe formimin dhe zhvillimin e albanologjisë si kuadër ideologjik për studimet shqiptare sipas disiplinave shkencore përkatëse si gjuhësia, historia, arkeologjia, filologjia, trashëgimia kulturore, etj.[14]
Studiuesit dhe elitat kulturore, si në Shqipëri edhe të mërguar në vendet e Europës Perëndimore, normalisht kanë qënë dhe janë të interesuar për studimin e gjuhës, historisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare në një mënyrë të tillë që i ka penguar ata të zhvillojnë një kuptim kritik të ndikimive politike, ku përfshihet si ndikimi supra-kolonial i Europës Perëndimore edhe ndikimi totalitarist i regjimit komunist. Ky qëndrim është artikuluar duke portretizuar agresivisht një lloj kulture kombëtare që t’u përshtatet modernizmit perëndimor dhe folklorizimit socialist me pikësynimin për t’i vendosur shqiptarët në piedestale kulturore, që me gjasë janë promovuar nga modelet e traditës italiane apo gjermano-austriake.[15] Ky lloj qëndrimi ka karakterizuar albanologjinë në përgjithësi nëpërmjet kërkimit dhe idealizimit të veçorive kulturore të ngrira që provokojnë, pavarësisht nga deklaratat kombëtariste, perceptimin e nënkuptuar të një populli të vjetër, mentaliteti primitiv i të cilit ka mbetur në thelb i pandryshueshëm.[16]
Megjithatë, këtu nuk kemi të bëjmë thjesht vetëm me një situatë kripto-koloniale të modernizimit shoqëror,[17] apo vetëm me një situatë nacional-komuniste të revolucionarizimit kulturor. Krenaria kombëtare e studiuesve vendas e të mërguar për të treguar origjinalitetin e traditave kulturore duke i reduktuar ato në mentalitetet e tyre specifike apo të vjetëruara e të prapambetura është para së gjithash shenjë e një domosdoshmërie politike. Në këtë kuptim, nga pikëpamja antropologjike, puna nuk qëndron tek keqpërdorimi ideologjik i shkencës, por pikërisht tek nxjerrja në pah se si motivimet ideologjike dhe kushtet politike kanë promovuar teknicizmin, empiricizmin, historicizmin dhe folklorizmin, të cilët kanë çuar në qorrsokak zhvillimin zyrtar të studimeve albanologjike dhe vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara siç janë edhe sot në shekullin e nëntëmbëdhjetë.
Gjatë analizës së trashëgimisë ideologjike të paradigmës albanologjike në studimet shqiptare, duke u mbështetur më shumë në intuitën antropologjike, kam konstatuar se “me një qëndrim tipik vetë-kolonizues, pikërisht Martin Camaj … ka mbajtur gjallë me shumë dëshirë esencializmin folklorik të filologjisë empiriciste” në studimet shqiptare.[18] Në dritën e të dhënave të reja mund të thuhet se nuk qenkam gabuar dhe se nuk është thjesht rastësi që pikërisht Ernest Koliqi apo Martin Camaj, të cilët me shumë gjasë janë mbështetur e përkrahur përkatësisht nga regjimet fashiste para dhe gjatë Luftës se Dytë Botërore dhe pastaj nga shërbimet sekrete gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kanë kontribuar dhe kanë përjetësuar këtë karakter tipik për studimet shqiptare, në përputhje me kuadrin ideologjik të traditave studimore italiane dhe gjermano-austriake në shërbim të politikave të tyre të kahershme kolonialiste dhe nacionaliste.
Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për dijetarë shumë të respektuar dhe me nderim të lartë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, sidomos për arsimin e tyre italian e gjermano-austriak, të cilët mund të mos jenë përfshirë në dukje apo drejtpërsëdrejti në politikë. Në fakt, gjatë regjimit komunist në Shqipëri kuadri ideologjik i paradigmës albanologjike në studimet shqiptare u ripërpunua në përputhje me kushtet politike të nacional-komunizmit që favorizonte terrorin revolucionarizues të spastrimeve vrastare të kohës. Në këto kushte studimet shqiptare kanë arritur majat më të larta pikërisht sepse kuadri i tyre ideologjik përputhej plotësisht me problemet shkencore që ato kanë trajtuar.
Mes të tjerash, modeli i shtetit dhe i shoqërisë socialiste si dhe pikëpamja teleologjike e historiografisë zyrtare shqiptare, të fiksuar me trashëgiminë ilire dhe me transformimet socialiste, u zhvilluan në atë kohë (si dhe vazhdojnë të pandryshuara edhe sot), siç shprehet Oliver Schmitt, falë “Shokut Aleks dhe Partisë së tij”.[19] Po kështu, zhvillimi zyrtar i filologjisë historike dhe studimeve albanologjike në tërësi i detyrohet shumë veprimtarisë së Qendrës së Studimeve për Shqipërinë në Romë gjatë viteve 1939-1944. Sipas studuesve italianë Donato Martucci dhe Monica Genesin, një rol të rëndësishëm në këtë veprimtari ka luajtur edhe Eqrem Çabej,[20] para se të luante rolin vendimtar për zhvillimin e paradigmës albanologjike gjatë regjimit komunist.
Fenomeni vazhdon edhe sot, kur shumë studiues e shkrimtarë të rinj mundohen të arrijnë apo të mbajnë poste të lakmuara në universitetet apo institucionet perëndimore, falë nënshtrimit dhe përshtatjes instrumentale ndaj politikave të diktuara nga ideologji të ndryshme fondamentaliste. Mes të tjerash, si rregull, trashëgimtarët e përfaqësuesve të komunizmit dogmatik, të frustruar nga pushtetet e humbura, kanë përqafuar më shpesh islamizmin radikal por edhe fondamentalizmin katolik apo evangjelik, ndonëse ka edhe ndonjë trashëgimtare të përfaqësuesve të shquar të partisë popullore liberale të paraluftës që ka përqafuar me shumë zell dogmatizmin komunist aktual në shkencë e në politikë. Mëkati i tyre më i vogël mund të mos jetë përfshirja në politikën administrative, policore e agjenturore të kohës apo të vendndodhjes së tyre, por me dashje ose pa dashje, ata mund të uzurpojnë një pozitë intelektuale, shkencore apo kulturore, me mjete dhe në rrugë që nuk janë as intelektuale, as shkencore, as kulturore.
Një debat intelektual mbi problematika të tilla si legjitimiteti publik, shkencor apo kulturor, i shumë intelektualëve shqiptarë të “respektuar” apo të “rinj”, si sot edhe në të kaluarën, do të ndihmonte për të kuptuar rrënjët e problemeve societale me të cilat pëballet shoqëria e sotme shqiptare. Në radhë të parë duhet hequr dorë nga këto lloj debatesh të ushqyera nga partizanizmi anti-intelektual si ky i kohëve të fundit lidhur me figura të tilla si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, sepse këto debate po shndërrohen në aventura kundërproduktive për përballjen me këto sfida.
Kjo është e rëndësishme dhe e ngutshme sidomos në kushtet kur ish-komunistët kanë uzurpuar pozita të rëndësishme në shoqërinë e sotme, ndërsa përfaqësuesit e ndershëm të rezistencës ndaj komunizmit jo vetëm që injorohen dhe mënjanohen gjithnjë e më shpesh por edhe ngatërrohen, me dashje ose padashje, me përfaqësues të korruptuar. Në fakt rezistenca ndaj komunizmit është reduktuar kryesisht tek promovimi i trashëgimtarëve të komunizmit që mund të jenë persekutuar deri diku nga sivëllezërit apo sietërit e tyre komunistë (Lubonja, Shehu, Bekteshi, Klosi, Kapo e të tjerë si këta), por me sa duket edhe tek promovimi dhe idealizmi i disa figurave që kanë bërë kompromise politike me autoritetet policore agjenturore e totalitare. Si rezultat, nuk ka më nge për t’u marrë me heronjtë e shumtë të anti-komunizmit që mbeten të panjohur, të paparë e të paditur.
Për më tepër, një debat i diktuar nga partizanizmat ideologjike mbi figura të tilla si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj ka mundësi të favorizojë dhe të përforcojë esencializimin e fetarizmit dhe krahinorizmit në shoqërine e sotme shqiptare, ashtu si dikur politika kulturore komuniste me luftën për revolucionalizimin socialist ka sendërtuar imazhin e një kulture prapanike dhe populli të prapambetur, të përçarë nga dallimet fetare, krahinore dhe ideore. Pasoja më e pritshme e këtij esencializimi nuk mund të jetë veçse izolimi i mëtejshëm i kulturës dhe shoqërisë shqiptare jashtë kufijve të Europës dhe të Perëndimit.
Sfida më e rëndësishme intelektuale për shoqërinë e sotme mbetet çlirimi nga partizanizmi ideologjik dhe nga teknicizmi skolastik, si dhe përpunimi i një paradigme të re ideologjike si për politikat kulturore e sociale edhe për studimet shqiptare, që mund t’i çlirojë nga ideologjitë e dikurshme (vetë)kolonializuese, fashistoide ekskluziviste dhe nacional-komuniste që kanë të përbashkët krijimin e një Shqipërie imagjinare që jeton në një kohë tjetër të së shkuarës pa të ardhme. Për këtë qëllim është e domosdoshme një kritikë gjenealogjike radikale e paradigmës së vjetër si hap i parë në rrugën e vetme për t’u shkëputur plotësisht e përfundimisht nga trashëgimia ideologjike që vjen nga përfaqësuesit e vjetër e të rinj të mënyrave të vjetëruara të debatimit e të shkencërimit.
[1] Salih Mehmeti, “Si i rekrutonte UDB-ja intelektualët shqiptarë në vitet ’50: Rasti i Martin Camajt dhe Hasan Kaleshit”, Konica.AL, 13 Mars 2017, https://web.archive.org/web/20170815212009/http://konica.al/2017/03/si-rekrutonte-udb-a-intelektualet-shqiptare-ne-vitet-50-t-rasti-i-martin-camajt-dhe-hasan-kaleshit/.
2 Agron Alibali, “Inteligjencia shqiptare në tehun e Luftës së Ftohtë”, Peizazhe të Fjalës, 28 Janar 2020, https://peizazhe.com/2020/01/28/inteligjencia-shqiptare-ne-tehun-e-luftes-se-ftohte-i/.
3 Auron Tare, “Dritëhije në Histori: Martin Camaj & Ernest Koliqi të pazbuluar”, Peizazhe të Fjalës, 05 Korrik 2020, https://peizazhe.com/wp-content/uploads/2020/07/Mite-të-rreme-Auron-Tare.pdf.
4 Edhe ky shkrim është botuar së pari në Peizazhe të Fjalës, 18/07/2020, https://peizazhe.com/2020/07/18/dritehijet-e-historise-dhe-sfidat-e-shoqerise-se-sotme/.
5 Edmund Leach, Rethinking anthropology (London: Athlone, 1961), p. 2.
6 Ardian Vehbiu, “Hyrja redaksionale: Dritëhije në Histori”, Peizazhe të Fjalës, 05 Korrik 2020, https://peizazhe.com/2020/07/05/dritehije-ne-histori/.
7 Daniel Golden, Spy schools: how the CIA, FBI, and foreign intelligence secretly exploit America’s universities (New York: Henry Holt, 2017).
8 Shih: “Julia Kristeva avait été recrutée par les services secrets communistes bulgares”, Le Nouvel Observateur, 28 mars 2018, https://bibliobs.nouvelobs.com/actualites/20180328.OBS4308/julia-kristeva-avait-ete-recrutee-par-les-services-secrets-communistes-bulgares.html. Dosja e agjentes sekrete me pseudonimin “Sabina” (Julia Kristeva) gjendet në Arkivin e Komisionit Shtetëror të Shërbimeve Sekrete Bullgare (https://www.comdos.bg/media/Opisi%20na%20dokumenti/NRS/f.1,-a.e.-2683-RD.pdf).
9 Agron Alibali, “Inteligjencia shqiptare në tehun e Luftës së Ftohtë”, Peizazhe të Fjalës, 28 Janar 2020, https://peizazhe.com/2020/01/28/inteligjencia-shqiptare-ne-tehun-e-luftes-se-ftohte-ii/.
10 Shih: Albert Doja, “Mithat Frasheri dhe Ismail Kadare për kombin shqiptar: Nga një veprimtar në tjetrin”, Gazeta Shqiptare 24 (7713) – Milosao (362), 18 Nëntor 2018, http://www.gsh.al/2018/11/18/mithat-frasheri-dhe-ismail-kadare-per-kombin-shqiptar-nga-nje-veprimtar-ne-tjetrin/; Albert Doja, “C’est juste «un bon écrivain»: pourquoi le Nobel de littérature pose question”, The Conversation, 11 Novembre 2019, https://theconversation.com/cest-juste-un-bon-ecrivain-pourquoi-le-nobel-de-litterature-pose-question-126707/, përkthyer në shqip: Gazeta Si, 15 Nëntor 2019, https://gazetasi.al/eshte-thjesht-nje-shkrimtar-i-mire-pse-nobeli-per-letersine-perben-problem/.
11 Një pjesë e këtyre studimeve janë përkthyer në shqip dhe janë përfshirë përmbledhtas në librin e botuar vitin e kaluar nga Akademia e Shkencave: Albert Doja, Shfaqja e Antropologjisë në Shqipëri: Shkrime të zgjedhura në 60-vjetorin e lindjes, ed. Enika Abazi (Tirana: Academia e Shkencave, 2018), https://halshs.archives-ouvertes.fr/halshs-02134242.
12 Albert Doja, “From the German-speaking point of view: Unholy Empire, Balkanism, and the culture circle particularism of Albanian studies”, Critique of Anthropology 34, no. 3 (2014), pp. 290-326, https://doi.org/10.1177/0308275X14531834.
13 Enika Abazi and Albert Doja, “From the communist point of view: Cultural hegemony and folkloric manipulation in Albanian studies under socialism”, Communist and Post-Communist Studies 49, no. 2 (2016), pp. 163-178, https://doi.org/10.1016/j.postcomstud.2016.04.002.
14 Shih edhe: Albert Doja, “Gjuhësia shkencore dhe ideologjia albanologjike”, Gazeta Liberale, 17 Dhjetor 2019, pp. 10-11, https://liberale.al/gjuhesia-shkencore-dhe-ideologjia-albanologjike/.
15 Albert Doja, “The Beautiful Blue Danube and the Accursed Black Mountain Wreath: German and Austrian Kulturpolitik of Knowledge on Southeast Europe and Albania”, Soziale Welt: Zeitschrift für sozialwissenschaftliche Forschung und Praxis 65, no. 3 (2014), pp. 317-343, https://dx.doi.org/10.5771/0038-6073-2014-3-317.
16 Albert Doja, “From the native point of view: An insider/outsider perspective on folkloric archaism and modern anthropology in Albania”, History of the Human Sciences 28, no. 4 (2015), pp. 44-75, https://doi.org/10.1177/0952695115594099.
17 Michael Herzfeld, “The Absent Presence: Discourses of Crypto-Colonialism”, South Atlantic Quarterly 101, no. 4 (2002), pp. 899-926.
18 Doja, “From the German-speaking point of view”, p. 311.
19 Oliver Schmitt, “Genosse Aleks und seine Partei: Zur Politik und Geschichtswissenschaft im kommunistischen Albanien (1945-1991)”, in Beruf und Berufung: Geschichtswissenschaft und Nationsbildung in Ostmittel- und Südosteuropa im 19. und 20. Jahrhundert, ed. Markus Krzoska and Hans-Christian Maner (Münster: LIT-Verlag, 2005), pp. 143-166.
20 Donato Martucci and Monica Genesin, “Gjuha dhe kultura shqipe në veprimtarinë e Qendrës së Studimeve për Shqipërinë (Centro Studi per l’Albania, 1939-1944)”, in Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit – Albanian and Balkan Languages, ed. Rexhep Ismajli (Prishtina: ASHAK, 2012), pp. 595-607.