Nga Enver Robelli
Fadil Vokrri iku sot, vdiq papritur nga një sulm në zemër, u largua nga kjo botë më datën 9 qershor, mori me vete numrin 9, të cilin e kishte bartur kur luante për Prishtinën. Ai ishte më i miri futbollist i Kosovës i të gjitha kohërave. 40 vjet të sportit kosovar nuk mund të merren me mend pa të. Nga provinca e thellë kosovare ai e katapultoi ekipin e Prishtinës në ligën e parë të Jugosllavisë, e cila atëherë sa i përket nivelit mund të matej me shumë liga europiane.
Pastaj duke luajtur për «Partizanin» e Beogradit në vitet e dalldisë së nacionalizmit serb, mitingjeve, fjalimeve të Sllobodan Millosheviqit, shëtitjes së eshtrave të Car Llazarit nëpër «tokat serbe» Fadil Vokrri rrëzoi shumë paragjykime që, për fat të keq, shumë serbë edhe sot i kanë ndaj shqiptarëve. Në mendësinë e jo pak serbëve shqiptari mund të jetë më së shumti bartës i qymyrit, bukëpjekës, punëtor i «Gradska čistoća». Me talentin e tij Fadil Vokrri i detyroi shumë serbë të rishqyrtojnë mendimet e tyre të ngurta dhe të duartrokasin. T’i duartrokasin një lojtari shqiptar.
Dhe sot, më 9 qershor 2018, jo pak simpatizantë futbolli jo vetëm nga Serbia po vajtojnë ikjen e tij, me fjalë të mira, me apele për të kujtuar njeriun që entuziazmoi mijëra njerëz kudo në Ballkan. (Fakti që disa gazetarë budallenj të Beogradit po shkruajnë se Vokrri ishte kryetar i Federatës së Futbollit të të «ashtuquajturës Kosovë» duhet parë vetëm si formulim të frustruarish nga e «ashtuquajtura Serbi»).
Në këngën e famshme «American Pie», e cila i kushtohet legjendës së rokut Buddy Holly, i cili vdiq tragjikisht, një varg thotë: «The Day the Music died». Dita kur vdiq muzika. Natyrisht futbolli do të luhet edhe pas vdekjes së Fadil Vokrrit, por një pjesë e pjesë e lavdishme me lot gëzimi e pikëllimi e futbollit kosovar sot shndërrohet në kapitull të historisë.
Fadil Vokrri ishte dribler në fushë dhe jashtë saj. Në vitet ’80 shumë të rinjve shqiptarë në Jugosllavi ua ktheu vetëbesimin me sukseset e tij. Më vonë, pas çlirimit, në një ambient të vështirë dhe agresiv, mes një grumbulli tifozësh kinse patriotikë që bërtisnin «një komb, një kombëtare», Vokrri kishte sens për realizëm, për të mundshmen e tanishme, andaj u përpoq për anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA. Dhe ia doli, kuptohet jo vetëm, por gjithsesi meritat e tij janë të mëdha. Hapi tjetër i tij i madh, i fundit, ishte sjellja e një trajneri zviceran te Kombëtarja e Kosovës (për ata që u vjen mërzi: përfaqësuesja e Kosovës). Është shumë herët të vlerësohet puna e Bernard Challandes, por fillimi po duket i mbarë.
Futbolli është më shumë se lojë. Në vitet ’80 Vokrri dhe lojtarët e tjerë të Prishtinës ia arrinin të sillnin në stadium rreth 30 mijë veta, të tërhiqnin pranë televizorit dhe sidomos radiove mijëra e mijëra shqiptarë nga mbarë Jugosllavia – prej Poreçit deri në Preshevë. Futbolli ishte edhe një akt rezistence ndaj dalldisë nacionaliste të politikanëve të Beogradit që pastaj do të çonte pranë humnerës shumë popuj të Ballkanit.
Ndonëse krahasimi i historisë gjermane dhe asaj kosovare është i pamundshëm dhe gjithsesi i papranueshëm, megjithatë si shembull se si një ndeshje futbolli mund të ringjallë një komb duhet përmendur 4 korrikun e vitit 1954. Atë ditë në Bernë u zhvillua finalja e Kampionatit Botëror të Futbollit. Hungaria kundër Gjermanisë. Hungarezët atëherë kanë qenë çfarë janë sot brazilianët apo spanjollët në futboll – të pamposhtur. Gjatë katër viteve kishin luajtur 32 ndeshje dhe asnjë nuk e kishin humbur. Gjermanët ishin autsajderë. Edhe më keq: pas humbjes së luftës (fatmirësisht e kishin humbur luftën!), ata ishin zhytur në një depresion të thellë. Gjermania ishte e ndarë në dy shtete, në administratën e pjesës perëndimore ende mbanin poste nazistët e kamufluar, vendi dhe ekonomia ishin të shkatërruara. Dhe në Bernë ndodhi mrekullia: Gjermania (perëndimore) fitoi 3 me 2 kundër hungarezëve. Goli vendimtar e shënoi Helmut Rahn në minutën e 84. Në fillim të kampionatit gjermanët kishin humbur 8 me 3 nga hungarezët. Dhe tani kjo kthesë, të cilën nuk e priste askush: Gjermania u bë kampione. Në youtube ka pamje të vjetra, ku shihet Helmut Rahn duke hyrë në Gjermani, ku mijëra e mijëra njerëz dëshironin një autograf të tij. Gjermania e kishte mposhtur Hungarinë e Ferenc Pushkashit, të cilin hungarezët e quanin «Napoleoni ynë, komandanti ynë».
Fitorja i dha vetëbesim të madh Gjermanisë. Bota po luan sërish me ne, sërish guxojmë të brohorasim, të gëzohemi, sërish guxojmë të ëndërrojmë të jemi pjesë e kombeve të lira. Kështu mendonin shumë gjermanë atëbotë. «Ne tani jemi dikush», kështu e komentonte kancelari Helmut Kohl ndeshjen e Bernës. Në Gjermani kjo ndeshje quhet thjeshtë: «Das Wunder von Bern», mrekullia e Bernës, disa madje fitoren e quajnë aktin e vërtetë të themelimit të Gjermanisë, momentin kur ky vend qendror i Europës filloi të marrë veten dhe të zhvillohet ekonomikisht. Regjisori Sönke Wortmann ka xhiruar para disa vitesh një film për finalen e madhe të vitit 1954, natyrisht filmi bart titullin «Das Wunder von Bern».
Në këtë frymë, Kosova sot, nesër dhe përgjithmonë mund t’i thotë Fadil Vokrrit: faleminderit, edhe falë teje sot jemi dikush. Vetëm mbetet për të shpresuar që manipuluesit politikë nuk do ta quajnë «komandant legjendar të futbollit kosovar». Tituj të tillë Fadil Vokrrit modest me siguri nuk do t’i pëlqenin. «Çdo klub ishte i rëndësishëm për mua, por në Prishtinë filloi gjithçka», kishte thënë Fadil Vokrri në një intervistë. Sot ai e mori numri 9 me vete dhe e mbylli kapitullin e jetës së tij ku tjetër pos – në Prishtinë.
a.ç