Prof. Dr. Ahmet Kamberi
Viti 1991 nisi si pranverë por përfundoi në një dimër që zgjati e nuk po duken shenja zbutjeje të tij. Fillimisht socializmi (sistemi i diktaturës së proletariatit) e më pas Lufta e Lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare do të bëheshin objekte sulmi të drejtuesve të rinj dhe politikanëve që morën drejtimin e përmbysjes së madhe. Për ta fuqizuar, egërsuar e mbajtur gjallë këtë sulm drejtuesve dhe politikanëve të rinj u nevojitej mbështetja e të mundurve dhe e çdo kundërshtari të socializmit, çdo të pakënaquri, spekullatori a dredhabishtësi ekzistues. Paraqitja e tyre si “antikomunistë” të flaktë u vlente për të fituar besimin e jashtëm dhe të brendshëm. Si prova më bindëse për këtë u gjet nxitja dhe mbështetja e prishjes dhe zhdukjes së çdo gjurme të Luftës Nacionalçlirimtare dhe të periudhës së socializmit. Sulmi, që në të vërtetë qe një barbari e vandalizëm, u ndërsye dhe u lëshua mbi monumentet e Luftës Antifashiste Nacinalçlirmtare dhe gjithë infrastrukturës “komuniste”: hekurudha, fabrika, uzina, kombinate, miniera, ndërmarrje bujqësore, koperativa bujqësore, kanale ujitëse, plantacione drunjsh frutorë, prita mbrojtëse lumenjsh, termocentrale elektrike, muze lokalë e qëndrorë, shtëpia kulture, biblioteka, qendra shëndetësore në çdo fshat të Shqipërisë me infermiere-mami dhe shumica e tyre me mjekë, etj. etj.
Rrethanat e sollën që interesat e aleatëve tanë, me të cilët luftuam krah për krah kundër fashizmit, të përputheshin me interesat e kategorisë së shqiptarëve të cilët gjatë luftës u gjetën në llogore kundër tyre, ose duke bërë sehir në pritje të rastit të volitshëm për ta. Kjo përputhje u shfrytëzua mjeshtërisht nga drejtuesit e politikanët e rinj, shumica e të cilëve ish- komunistë të konvertuar, ose ish-zyrtarë të niveleve të ndryshme të komunizmit, që do të bëheshin më tej profesionistë të regjur.
Në botëkuptimin e drejtuesve dhe të politikanëve që ndërruan pushtetin gjatë 30 viteve të fundit, sigurimi i patundshëm i ekzistencës së shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur ndërkombëtarisht nuk çmohet si vlera më madhore që iu shtua Shqipërisë. Gjithashtu, gjaku i derdhur dhe jetët e flijuara të bijëve e bijave më të devotshme të vendit për çlirimin dhe për mbrojtjen e papreksmërisë së kufijve të tij nuk përbëjnë vlerë për ta, por akti i tyre vetmohues u përdor dhe përdoret për qëllime utilitariste. Ata ndryshuan datën e çlirimit të Shqipërisë, 29 nëntorin e vitit 1944, për të shuar kujtesën e shqiptarëve për Luftën Nacionalçlirimtare. Veprimet e tyre çuan në një ditë kur komandantët e njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare do të cilësoheshin si “kriminelë”. Veprimet e tyre çuan në groposjen e vlerave pozitive dhe lartësimin e vlerave negative të këtij vendi duke e ia lënë vlerësimet historike jo historianëve të mbështetur në dokumentet dhe argumentet historike, por gjithfarë tregimesh individuale, sajimesh, trillesh, stisjesh, qarjesh dhe mburrjesh deri në heroizimin e krimeve.
Drejtuesit dhe politikanët që ndërruan pushtetin gjatë këtyre 30 viteve të fundit, për të siguruar vendosjen e sundimit të tyre, por edhe për të mbuluar pazotësinë e vet për zgjidhjen e problemeve madhore e për të justifikuar mbrapshtitë e tyre, nxitën dhe mbajtën gjallë përçarjen e popullit. Për këtë ata vunë në veprim të gjitha mënyrat për kriminalizimin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe të periudhës së socializmit.
Nuk ka dyshim se në çdo periudhë historike të shtetit tonë mund të jenë bërë teprime, ndëshkime të pajustifikueshme dhe krime, sot më shumë se kurdoherë. Por gjykimi historik i tyre bëhet mbi truallin ku ndodhej shteti ynë në atë periudhë historike, mbi truallin e mendësisë, të botkuptimit dhe të nivelit arsimor e kulturor të popullit tonë, të politikave të vendeve miq dhe ato të vendeve kundërshtare ndaj nesh, si edhe të klimës politike ndërkombëtare. Trajtimi i tyre duhet të jetë serioz dhe me qëllimin e mospërsëritjes së tyre, jo për t’i shtrembëruar e hiperbolizuar ato të njërës pale, për të minimizuar ose heroizuar ato të palës tjetër dhe për të heshtur e për të mos u marrë me ato të ditëve të sotme.
Kështu, kalimi nga socializmi në kapitalizëm në Shqipëri nisi me shtrembërime të rënda të demokracisë. Fillimisht Kuvendi i Shqipërisë miratoi dy nga ligjet më dëmbërës për shqiptarët: ligjin për pafajsinë dhe ligjin për tokën, të cilët u mbrapshtuan edhe më tej në vijimsi. Me këto ligje dhe atyre që do të vinin më pas, ata i hapën rrugën dasisë në rritje të mendësisë “keq” e “mirë” për të gjitha problemet e diskutueshme të shoqërisë sonë, frenimit të zhvillimit të vendit, korrupsionit të frikshëm e pasurimit të rrufeshëm të një kategorie politikanësh të paskrupullt e të pandëshkueshëm; një numri spekullantësh të zot të pandëshkueshëm; hajdutëve të shquar të pandëshkueshëm; grabitësve të mëdhenj të pandëshkueshëm; trafikantëve të paturpshëm të femrave, të pandëshkueshëm; trafikantëve të drogës të pandëshkueshëm; zyrtarëve batakçinj të administratës së shtetit të pandëshkeshëm etj. E vështirë tashmë për ta zbutur këtë çorodi të rëndë të shoqërisë sonë, sepse perveç mallkimit e denigrimit të luftës, gjithçka pozitive që u arrit gjatë priudhës së socializmit konsiderohet e keqe dhe gjithçka që në kohën e socializmit konsiderohej negative, sot konsiderohet e mirë.
Kështu, ligji i pashembëllt për pafajësinë që përfaqëson modelin tipik të uzurpimit të një pushteti tjetër, të atij të drejtësisë (gjykatave) shënoi fillimin e shtrembërimit legal të demokracisë. Duke qenë organ i pushtetit legjislativ, Kuvendi i Shqipërisë mund të bëjë ligje për amnisti krimesh të ndryshme, por pafajsia është tagër absolut i gjykatave. Ajo mund të jepet përmes një procesi gjyqësor të rregullt, të drejtë e të paanshëm. Gjykatat u përjashtuan me ligj nga gjykimi i pafajsisë për të gjitha kategoritë e krimeve politike të përziera me sabotim ose kundërvënie të Luftës Nacionalçlirimtare, të përziera me sabotime e keqbërje të së mirës së përgjithshme në të gjitha format e saj dhe/ose të përziera me veprime terroriste të gjithfarshme të nxitura, të organizuara a të shtyra nga cilido brenda e jasht vendit.
Për të provuar nëse krimi për të cilin pati qenë akuzuar personi ka qenë krim i pastër politik dhe jo tjetërsoi, ky person do të duhej t’i drejtohej gjykatës. Atij që dje bëri një krim politik nuk mund t’i jepet pafajësia, perveçse kur ai provon në gjykatë se është dënuar padrejtësisht për një krim të cilin ai uk e ka kryer. Por kryerja e një krimi politik të pastër n’atë kohë provon se ti ke qenë kundërshtar dhe ke punuar ose luftuar politikisht kundër regjimit, pa u pëzier në krime të tjera. Veçse kjo duhet provuar me një vendim gjykate. Në këtë rast ti ke qenë fajtor për kohën kur u dënove, por në kohën e sotme ajo të njihet si meritë dhe, si e tillë duhet të të shpërblehet drejtësisht. I njëjti standard është për t’u përdorur edhe kundër atyre ndaj të cilëve ngrihen akuza të bazuara për krime të kryera gjatë periudhës së socializmit. Krimi provohet ose hidhet poshtë në një process të rregullt të drejtë e të paanshëm gjyqsor, jo nga cilësimet e drejtuesve dhe të politikanëve. Këta të fundit, pasi e fundosën sistemin e drejtësisë për të mos u mëkëmbur nuk dihet se edhe për sa kohë, krijuan mendësinë te qytetari i zakonshëm shqiptar se politika është ajo që vendos se kush është kriminel e kush jo, kush është patriot e kush jo.
Kuvendi i Shqipërisë është në tagrin e tij për të shfuqizuar ligje të mëparshme, për të shuar efektin e tyre këtu e mbrapa (efekt ex nunc) për arsye se ai ashtu mund ta gjykojë. Por ai nuk mund t’i shuajë ligjet e mëparshëm, nuk mund t’i bëjë ata të paqenë, sikur të mos kenë ekzistuar kurrë (efekt ex tunc). Nuk mund t’i bëjë të paqenë proceset gjyqësore dhe dënimet e dhëna nga gjykatat bazuar në ligjet “Mbi sabotatorët e Luftës Nacionalçlirimtare”, “Mbi organizimin e funksionimin e gjykatave ushtarake”, “Mbi fajet penale kundër popullit e shtetit”, “Mbi ndjekjen e tregtisë së ndaluar, të spekulimit dhe të sabotimit ekonomik”, “Krime kundër shtetit” dhe për moskallëzim e përkrahje të këtyre krimeve. Rrjedhimisht nuk mund t’ju japë pafajsinë atyre që janë gjykuar dhe dënuar mbi bazën e këtyre ligjeve. Por kjo ka ndodhur tashmë me Kuvendin e Shqipërisë. (!)
Praktikisht, në kuptim të ligjit për pafajësinë, ne nuk kemi sot asnjë sabotator të Luftës Nacionalçlirimtare, nuk kemi kriminelë që kanë kryer krime ndaj aktivistëve të luftës antifashiste, popullit të thjeshtë e vendit, nuk kemi kriminelë që së bashku me fashistët italianë kanë vrarë njerëz të pafajshëm, u kanë vënë zjarrin fshatrave të jugut të Shqipërisë dhe i kanë bërë shkrumb e hi. Nuk kemi kriminelë që vetëm ose në bashkëpunim me nazistët gjermanë kanë bërë terror mbi popullsinë e pafajshme ose mbi të dyshuarit si aktivistë të Luftës Nacionalçlirimtare. Nuk kemi tregëtarë që janë marrë me tregëti të ndaluar ose me spekullime gjatë luftës, nuk kemi sabotatorë të zhvillimit ekonomik të vendit. Nuk kemi kundërshtarë të regjimit të mëparshëm të cilët e kanë luftuar politikisht atë. Nuk kemi asnjë prej këtyre, sepse ligji presupozon se ata janë dënuar kot, nga gjykata të paqena dhe mbi bazën e ligjeve që nuk kanë ekzistuar kurrë. E pabesueshme, por po! Politika bën çudira kur ashtu ia don puna.(!) Për rrjedhojë, ne kemi sot plot të përndjekur politikë, por për çfarë? Kështu, të gjitha vendimet e marra në favor të tyre, të cilat shtrihen edhe për të amnistuarit politikë, janë tejet problematike për shoqërinë shqiptare dhe do të vazhdojnë të jenë kështu për një kohë bukur të gjatë.
Kemi shembuj të tjerë të njohur, të kundërt me veprimin e këtij ligji. Qemal Stafa u dënua me burg sepse gjykata vendosi që kishte kryer krim duke vepruar kundër regjimit të Mbretit Zog. Qemali jo vëtëm që e pati pranuar fajësinë për të cilën akuzohej, por pati pohuar edhe se do ta vazhdonte atë rrugë. Një numër i madh personash kundërshtarë të regjimit të Zogut, kundërshtarë ose luftëtarë kundër pushtimit fashist e qeverive shqiptare kuislinge u dënuan për veprimtarinë e tyre politike dhe vuajtën nëpër burgjet fashiste e të kuislingëve. Por, nuk ndodhi kurrë pas çlirimit të vendit që atyre t’u jepej pafajësia me një ligj që i konsideronte të paqena gjykatat të cilat i kishin dënuar ata dhe ligjet mbi të cilat ato qenë bazuar. Përkundrazi, fajësia e tyre e atëhershme iu njoh atyre si meritë. Kështu, numri i të persekutuarve të vërtetë politikë, të cilët nuk ishin përzier me krime të tjera u tret në morinë e të gjithë të përsekutuarve të tjerë politikë. Qeveria shqiptare e vitit 1992 i kishte raportuar Parlamentit Evropian se: “Hoxha dhe banditët e tij shtypën edhe shenjën më të vogël të mospajtimit përbrenda vendit. Nga ky regjim u ekzekutuan, u burgosën ose u internuan forcërisht rreth 700,000 vetë.” (“Inside the country, Hoxha and his thugs suppressed even the slightest sign of dissent. Approximatly700,000 people were executed, jailed or forced into internal exile, by the regime.” (Note on Economic and Political Situation in Albania and the EC/Albania Relations “ (Drawn up by the General directorate for Reserch. 18 June 1992 DOC_EN\CM\209\209600.WP5 PE 201.652, page 3).
Ky dokument i qe shpërndarë delegacionit të Parlamentit Evropian që do të vinte për vizitë në kuadrin e përgatitjes së Rezolutës për Shqipërinë në muajin korrik të vitit 1992. Një nga deputetët britanikë, me të cilin kisha korrespondencë ma dërgoi atë dokument. Ai më rekomandonte që, “nëse më dukej me interes”, të takoja njërin nga delegatët, të cilit ai i kishte dhënë adresën time. E takova z. H. McCubbin, deputet në Parlamentin Evropian në hotel “Dajti”.
I thashë z. McCubbin se kisha disa komente të rëndësishme që do të doja të bëja lidhur me dokumentin e sipërpërmendur, por me që koha ishte e kufizuar, dëshiroja t’i drejtoja vetëm një pyetje. Ai më tha se ishte gati të më dëgjonte dhe unë e pyeta:
-A besoni ju që populli shqiptar i dalë nga Lufta II Botërore me më pak se 1 milion banorë, brenda 45 vjetësh, – pasi janë pushkatuar, dënuar e internuar forcërisht 700000 vetë, – siç shkruhet në dokumentin tuaj që kam në dorë, – të ketë arritur në 3.200.000 vetë? Do me thenë, të jetë rritur mbi tri herë?
-Jo, nuk do ta besoja, – m’u përgjigj ai – por ky informmacion na ka ardhur nga qeveria juaj.
-Por është absurditet, -ia ktheva unë. A nuk është kështu?!
-Po, – m’u përgjigj ai. Eshtë vertetë një absurditet, por unë nuk mund të komentoj qëllimet e qeverisë tuaj.
-Megjithatë, – ngula këmbë unë, – ju po e pranoni që është një absurditet. Atëherë duhet të bëni diçka për ta kundërshtuar këtë informacion poshtrues për Shqipërinë.
-Do ta diskutoj atje ku duhet, – më tha ai, – kur të kthehem në Bruksel.
Mund të nxjerrish përfitime vetjake ose grupore duke i nxirë faqen e duke i nxjerrë sytë vendit tënd, veçse kjo është e neveritshme për të gjithë ata shqiptarë që e duan dhe e nderojnë vendin e vet. Por kjo ka qenë e është mënyra e sjelljes së drejtuesve e politikanëve që ndërruan pushtetin gjatë tridhjet vietev të fundit.
Ligji tjetër antidemokratik, tejet i mbrapshtë që miratoi Kuvendi i Shqipërisë i 1991-shit, është ligji për tokën. Ky ligj, me arnimet e mëtejshme dhe ato që rrodhën prej tij, u bë dhe mbetet, nuk dihet edhe për sa kohë, burim i të këqijave të panumërta. Ai u njihte të drejtën e pronës vetëm familjeve anëtare të kooperativave bujqësore. Pronarët e ligjshëm të tokave bujqësore, të cilët nuk banonin në fshat u shpronësuan. Toka e këtyre pronarëve kishte qenë shfrytëzuar deri atëherë nga kooperativat bujqësore në interes kryekëput vetëm të anëtarëve të tyre. Statuti i kooperativave bujqësore përcaktonte se kur fshatari vendoste të largohej nga kooperativa bujqësore, ai mund të kalonte në tokën e tij dhe, nëse ajo mund të prishte srukturën e parcelave, mund të kompensohej në një vend tjetër. Tokat e pronarëve të ligjshëm që nuk banonin në fshat iu dhanë pa pagesë familjeve që banonin atje, por që nuk kishin tokë të mjaftueshme. Përmbysja e socializmit dhe rrugëtimi për në kapitalizëm nisi me mohimin e vlerës kryesore të kapitalizmit, shenjtërinë e pronës. Duke u mohuar të drejtën legjitime të pronës, tokat e një numri të konsiderueshëm pronarësh të vegjël që nuk banonin në fshat u tjetërsuan pa shpërblim. Kështu, hyrja në kapitalizëm i trajtoi ata me një ligj antikapitalist. Eshtë e vërtetë se toka bujqësore kishte pësuar shumë ndryshime, përfshirë edhe tjetërsime të shumëta. Por është e vërtetë gjithashtu, se shteti ishte pronar shumë i madh tokash e ndërmarrjesh bujqësore. Kënetat e thara, tokat e reja të hapura anekënd vendit gjatë socializmit nuk ishin të pronarëve privatë, por të shtetit. Shteti pra, kishte mundësi shumë të mëdha që të kompensonte çdo pronë që ishte tjetërsuar, por nuk e bëri. Në vend të kësaj ai shpronësoi vetveten dhe pronarët e ligjshëm privatë të tokës duke i tjetërsuar këto prona pa shpërblim. Kjo hapi “bulevardin” e shpërdorimeve të gjithfarëllojshme, korrupsionit të frikshëm e krimeve. Mijëra vetë do të vërshonin nga zonat përiferike të vendit e të nguleshin pa u penguar në tokat e pronarëve privatë në periferi të qyteteve kryesore të Shqipërisë, e madje, edhe nëpër qytete ku mundën të gjejnë një hapësirë. Shteti jo vetëm se u mohoi pronën një numri të konsiderueshëm pronarësh të vegjël toke, por nuk ndaloi as uzurpimin e pronave të ligjshme, e madje, as uzurpimin a tjetërsimin e paligjshëm të pronave të veta. Nuk përbën asnjë çudi që të gjejsh sot pronarë toke në Ksamil persona të ardhur nga skajet më të largëta të vendit. Sot e kësaj dite, brenda një viti, duhet të ndryshohen më shumë se 5 drejtorë hipotekash në një qark bregdetar jugor. Aq shumë balta janë bërë e bëhen! Ky ligj u ka kushtuar humbjen e jetës mijëra qytetarëve të këtij vendi gjatë këtyre 30 viteve të fundit. Bujqësia, ky sektor jetësor për vendin, tashmë është rrënuar aq keq sa të dhemb kur e sheh dhe kur e mendon se si ishte, kur sheh se tregu është mbushur me fruta e zaravate që nga nuk vijnë, kurse ato pak prodhime të vendit shpesh përfundojnë përrenjëve e kanaleve.
Pa hyrë në hollësira të tjera, drejtuesit dhe politikanët shqiptarë të pas vitit 1990 e formatuan demokracinë në Shqipëri si një demokraturë, që do të thotë demokraci për elitat politike, për të fortët e të gjitha kategorive: në politikë, në ekonomi, në hajdutëri, në media, në jetën sociale, etj., kurse diktaturë për masat e gjera të popullit. Ata krijuan kompanitë fantazmë rentiere (piramidale), shkërrmoqën ushtrinë brenda një nate, shkatërruan shtetin. Në emër të luftës kundër ‘komunizmit”, ata nxitën dhe lejuan shkatërrimin gati tërësor të infrastukturës së shetit dhe të gjithë pasurisë kombëtare të krijuar me mund, djersë e sakrica të panumërta nga qytetarët e këtij vendi; nxitën dhe kultivuan barbarinë e vandalizmin. Me këto, drejtuesit dhe politikanët që ndërruan pushtetin gjatë 30 viteve të fundit demonstruan paaftësinë e tyre të plotë për zgjidhjen e problemeve që u hapën, por edhe shpirtligësinë e tyre, mungesën e ndieshmërisë e të dhimbsurisë, demonstruan fluturimin e tyre “me presh…”. Këta politikanë varfëruan popullin dhe shtetin duke dhënë koncesione e falur pasurinë minerale, naftën e asete të tjera me kontrata të formuluara në dëm të vendit, shfrytëzuan tenderimin si një nga mënyrat më të përshtatshme për vjedhje dhe begatim vetjak e grupor, mbyllën sytë ose i shkelën syrin kërcënimit të njërës nga vlerat më të mira të popullit tonë – tolerancës fetare. Këta degraduan sistemin e drejtësisë, i dhanë një goditje dërrmuese qeverisjes me ligj, degraduan administratën e shtetit, vranë njerëz në përleshje me këdo e me askënd, vranë njerëz në punishte për shkatërrim armësh, vranë njerëz në rrugë, shkuan dëm jetën e mbi 280 policëve e sa e sa të tjera. Këta drejtues e politikanë që ndërruan pushtetin gjatë këtyre 30 viteve të fundit e qeverisin vendin si zotër dhe as u shkon nëpër mend se ata duhet të qeverisin si shërbyes të popullit, sepse është populli ai që i ka ngritur në ato pozita me votën e tij. Këta edhe kanë luajtur e luajnë turpshëm me Kosovën, duke çuar ujë në hullirin e tjetërkujt.
Prandaj ne kemi sot një shoqëri të çoroditur keqas, të shthurur, të përçarë, të pështjelluar e që vjen rrotull në batakun e saj pa gjetur dot rrugëdaljen e duhur. Kemi një degradim të dukshëm të qytetërimit, një përqëndrim oligarkik pasurie, një varfëri të skajshme të mbi një të tretës së popullsisë. Kemi një borxh të jashtëm asfiksues, një analfabetizëm dhe gjysmëanalfabetizëm frenues të zhvillimit e njëherazi truall të begatë korrupsioni, si edhe një kriminalitet të egër të gjithfarshëm. Kemi një rini të mjeruar të braktisur në rrugën e zhvillimit të vet spontan, një rini pa frymëzim, të deprimuar e shpresëhumbur. I vetmi kujdes i dukshëm që bëhet për të nga shteti është nxitja e seksualizmit, lakuriqësisë dhe e amnezisë (shuarjes së kujtesës) për historinë e vendit të vet, duke mbyllur kështu përspektivën e zhvillimit dhe begatimit të vendit. Të rinjtë tani në shumicë, po kërkojnë një vend më të mirë për të jetuar, ose janë përfshirë në mbretërinë e drogës e të veseve dhe janë përzier në krime nga më monstruozet. Përgjegjësia për krimet është individuale. Por përgjegjësia kryesore dhe e pafalshme është e shtetit, e politikës e cila nuk e sheh rininë si burimin më të çmuar e të pazëvendësueshëm të ardhmërisë dhe ekzistencës së vendit. Prandaj, është e kuptueshme se pse shteti gjen gjithfarë mundësish për çështje të tjera deri fare të parëndësishme dhe nuk gjen mundësinë për t’i kushtuar rinisë vëmendjen më kryesore. Shkurt, çështje përparësish të këtyre politikanëve!
Prandaj, drejtuesit dhe politikanët shqiptarë që ndërruan pushtet në këto 30 vitet e fundit nuk mund ta pastrojnë assesi vetveten nga përgjegjësia për të gjitha këto paudhësi! Këto janë krime të rënda ndaj vendit dhe popullit shqiptar. Por, mjerisht, janë krime që nuk gjykohen në gjykata. Prandaj edhe bëhen të riciklueshëm, të riciklueshëm e të riciklueshëm… E as u shkon mendja se mund të ketë prej atyre që mund ta qeverisnin vendin si shërbyes të popullit dhe jo si zotër të tij.
E popullit shqiptar nuk i mbetet tjetër veçse të votojë për çka i diktojnë këta drejtues e kryetarët e gjithëfuqishëm të partive politike të tij, ose të zgjohet… Por më parë do të duhej të zgjoheshin ata që mund dhe që duhet ta zgjojnë e t’i hapin sytë këtij populli. Një grup i vogël njerëzish të vendosur dhe me mendje të ngjashme, – thoshte Mahatma Gandi, – mund të ndryshojnë rrjedhën e historisë.