Greta Meta, drejtore ekzekutive e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë la treguar se si uli në një tryezë tre krerët e partike kryesore politike në vend, Rama, Basha e Meta, ndërkohë që presidenti Nishani anuloi në momentet e fundit pjesëmarrjen në konferencën kombëtare “Korrupsioni zgjedhor, nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse”. E intervistuar nga gazeta Shekulli, Meta tregon për atmosferën e tryezës, ku pati batuta, ironi, thumbime, dakordësi, ide të kundërta, (mos) shtrëngime duarsh dhe incidente.
“Kur ne kemi bërë takimet individuale, të gjithë ranë dakord në parim për të qenë pjesë e kësaj tryeze. Të gjitha partitë dhe liderët e tyre e mbështetën këtë iniciativë për vetë faktin se reforma duhet të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Madje duhet konsultuar sa më gjerë edhe me grupet e interesit. Si zoti Nishani, edhe zotërinjtë Rama, Meta dhe Basha ishin shumë entuziastë kur i kemi kontaktuar dhe kjo ishte edhe një indicie për ne që meqë reforma duhet bërë në kohën e duhur pse të mos i ulim në një tryezë të përbashkët”, tha zonja Meta. Në lidhje me mungesën në tryezë të kreut të shtetit ajo shprehet se kjo ishte diçka e papritur pasi deri pak para fillimit të takimit ishte rënë dakord për prezencën e tij, madje ajo insiston se kreu i shtetit asistoi edhe në organizimin e saj.
“Sigurisht që edhe me zotin Nishani jemi takuar më herët, ramë dakord edhe në parim për praninë e tij, madje rol në organizmin e tryezës kishte edhe institucioni i Presidentit, ashtu si edhe shoqëria civile, por në momentet e fundit u lajmëruam që ishte e pamundur nga ana e zotit Nishani për tu bashkuar në tryezë. Gjatë gjithë kontakteve tona edhe zoti Nishani ishte shumë i bindur që të gjitha palët duhet të jenë bashkë për këtë çështje. Entuziazmi individual i tyre u realizua sot (dje) në një takim të përbashkët, të cilit urojmë ta ruajmë si një model dhe fizionomi të bashkëpunimit edhe për reforma të tjera”, theksoi zonja Meta.
Shekulli









