Drejtori i Policisë Kufitare, Genc Merepeza, ka bërë të ditur se salla operative e aeroportit të Rinasit e ka dhënë njoftimin e grabitjes së parave në pistë me tri minuta vonesë. I ftuar në emisionin “45 minuta” në Report TV, Merepeza tha se kompania ka lëshuar alarmin kur grabitësit kishin dalë nga aeroporti i Rinasit.
“Policia kufitare sipas të gjitha shënimeve, është njoftuar në momentin që makina ka dalë nga rrethimi. Sipas orës që ka shënuar në regjistër punonjësi i sallës operative, është raportuar në 14:32 minuta. Në bazë të disa vlerësimeve të mëvonshme, është llogaritur që mund të ketë një gabim prej 2 minutash në sinkronizimin e orës, pra 2-3 minuta pasi makina ka dalë nga rrethimi i aeroportit”, u shpreh Merepeza.
Duke iu përgjigjur akuzave të TIA-s se policia ndodhej në pistë në momentin e grabitjes, Merepeza theksoi se dy punonjës të policisë kanë qenë pranë avionit të ardhur nga Vjena, ku po prisnin një grup personash të depërtuar nga jashtë vendit. Sipas tij, efektivët nuk kanë pasur fushëpamje për shkak të avionit, për të pikasur grabitjen me armë.
shqiptarja.com/d.i.