Pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Policia me urdhër të drejtësisë bastisi këtë të hënë shtëpinë e ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Ky rast dëshmon se sistemi i drejtësisë në shtetin fqinj, kur kemi raste të politikanëve të lartë vepron më shpejt, në krahasim me atë që ndodhi në Shqipëri dhe këtu risjellim në vëmendjen çështjen e e ish-kryeministrit Sali Berishës, që vijon të mbajë mbi supe damkën e “non gratave”.
Komentatori politik Skënder Minxhozi, i ftuar në “Real Story” theksoi se në Maqedoninë e Veriut ka patur politikanë, të cilët janë arratisur për shkak të frikës nga drejtësia, kujtojmë këtu rastin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
“Nga ky vend natyrisht që së fundmi ka pasur zyrtarë që kanë ikur nga vendi. Maqedonia e Veriut ka vepruar herët ndaj zyrtarëve të lartë të saj në atë mënyrë sa a ka bërë të pamundur qëndrimin në shtet”, tha ai.
Ai thekson se edhe për 21 janarin është vepruar shumë ngadalë dhe “presioni” i Strasburgut detyroi drejtësinë e re të rihapë këtë që vetë Strasburgu e cilësoi si krim shtetëror.
“Kemi 21 janarin, i cili shumë thellë në qeverinë e socialistëve dhe shume thellë të ardhjes në fuqi të sistemit të drejtësisë u trajtua me të njëjtin standard pak a shumë siç u trajtua në momentin kur ngjarja ndodhi”, tha ai.