Grupi parlamentar i PD-së doli dje me vendimin unanim të mbështetjes së miratimit në parim të draftit të ndryshimeve kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi, me një kusht: zbatimin e plotë, jo të pjesshëm të rekomandimit 88 të Opinionit Final të Komisionit të Venecias.
Deputetët demokratë votuan pa përjashtim variantin ku pika 88 i orienton palët drejt formulave proporcionale apo modeleve të tjera, që përfshijnë edhe opozitën, nëse palët nuk bien dakord me shumicat e cilësuara 3/5 apo 2/3. Gjatë mbledhjes së djeshme me dyer të mbyllura, burime për “Gazeta Shqiptare” pohojnë se deputeti Genc Ruli, shprehu sërish shqetësimin për nenin e mosdiskriminimit të orientimit seksual në draftin e reformës në drejtësi që iu hap rrugën edhe martesave gay.
“Neni është futur në draftin që shkon në Komisionin e Posaçëm për shqyrtim dhe unë nuk do e votoj”, – është shprehur ndër të tjera Ruli. Por në replikë me të, ish-kryeministri Berisha deklaroi ndër të tjera se “Z.Ruli, aktualisht kjo nuk është një çështje e rëndësishme. Ajo që na shqetëson më tepër është çështja e reformës në drejtësi dhe moslejimi i kapjes së drejtësisë nga Edi Rama. Ne duhet të jemi të qartë në qëndrimin tonë për të mbështetur moskapjen e sistemit nga krimi”.
DISKUTIMET NË MBLEDHJEN E GRUPIT TË PD
LULZIM BASHA: Ju kam mbledhur sot (dje) për të vendosur si grup parlamentar se nuk mund të pranojmë variantin e qeverisë për reformën në drejtësi, por atë që rekomandon të bardhë mbi të zezë Komisioni i Venecias. Ndaj, sot (dje) duhet të vendosim, pasi siç duket, mazhoranca e ka vendosur që ta miratojë që në mbledhjen e sotme (djeshme) të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Ne i japim mbështetje draftit vetëm me një kusht, rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias.
Zbatimin e rekomandimit 88 të Venecias. Adoptim të plotë dhe jo të pjesshëm siç kërkon mazhoranca qeverisëse. Nëse pala tjetër bie dakord, jemi gati të miratojmë në parim që sot draftin kushtetues. Por, ne duhet të jemi të gjithë të unifikuar, pasi çdo gjë tjetër çon në kapjen politike të procesit të reformës në drejtësi dhe produktit të reformës, përfshirë Vetingun. Z.Bylykbashi do t’ju informojë për negociatat e zhvilluara me palën tjetër.
OERD BYLYKBASHI: Ne kemi vazhduar negociatat me përfaqësuesit e PS-së edhe gjatë mbrëmjes deri vonë, por mazhoranca nuk tërhiqet nga qëndrimi i mëparshëm, pavarësisht se opozita nuk kërkon asgjë më shumë se rekomandimi 88 sipas ‘Venecias’ dhe nuk do të pranojë asgjë më pak. Ka vetëm një çështje që mbetet për t’u zgjidhur, që është vendimmarrja për emërimin e organeve kolegjiale të sistemit të drejtësisë, e vetmja çështje që opozita ka propozuar pikë më pikë me paragrafin 88 të Komisionit të Venecias. Kemi bërë propozimin, jemi në negociata.
SHEREFEDIN SHEHU: Z.kryetar, doja të dija a keni pasur më kontakte me ndërkombëtarët për çështjen e reformës pas deklaratave të bëra nga ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së?
LULZIM BASHA: Kam folur me z.ambasador dhe i kam thënë se deklarata nuk ishte as e drejtë dhe as e ndershme.
GENC RULI: Mua më shqetëson ajo që ka hap një debat tjetër, neni 18 paragrafi 2 i mosdiskretitimit, i cili përfshin edhe orientimin seksual. Neni është futur në draftin që shkon në Komisionin e Posaçëm për shqyrtim dhe unë nuk do e votoj.
SALI BERISHA: Z.Ruli, aktualisht kjo nuk është një çështje e rëndësishme. Ajo që na shqetëson më tepër është çështja e reformës në drejtësi dhe moslejimi i kapjes së drejtësisë nga Edi Rama. Ne duhet të jemi të qartë në qëndrimin tonë për të mbështetur moskapjen e sistemit nga krimi./GSH/a.m.









