Nga Frrok Çupi
Nëse sot do të vihej në skenë, drama e të gjitha opozitave do të luhej nga aktorët më të këqij të skenës, madje nga ata që as i njeh njeri si artistë. Kjo që ndodhi kohët e fundit me aktorët e ‘fundit të pusit’, që për shkak se zgjodhën repertorin e opozitave u ngjitën në krye dhe po bëjnë zhurmë, ndryshe nuk do t’i njihte njeri.
Kemi pasur gjithë jetën opozita në dramë-komedi. Vallë këtë a mund ta analizojmë dot?! Kam përpara disa ‘librete’ të teatrit të shëmtuar’, që të çojnë kurrkund.
Ishin ditët e rënies së komunizmit:
Dera e zyrës trokiti fort, por u shfaq një burrë dyzet kilësh, mëngët e një xhakete të zezë i luhateshin si ‘njeriut’ në kopsht.
-Më ka dërguar doktori- foli si trim.
-Po, si është puna?
-Ju të gazetës- më tha- duhet të shkruani për mua, se kam qenë në burg. Jam nga Fushë- Kruja.
Sapo kishte nisur botimin gazeta ‘Rilindja Demokratike’, më e kërkuara dhe më e lexuara në historinë e gazetave shqipe.
-Mirë, po pse ke qenë në burg?, e pyes
– Desha të vras Enver Hoxhën, prandaj…
-Ta vrasësh?… Ma thuaj historinë, si ndodhi?
-Kisha marrë vesh se Enveri do të kalonte me makinë mbi Urën e Zezës. Hyra poshtë urës dhe prita derisa të kalonte. Aty do ta vrisja.
-Nga poshtë urës do ta vrisje tjetrin në makinën mbi urë? Si?
– Me sëpatë!- tha ky që tashmë po bëhej pjesë e opozitës anti- komuniste.
E pashë edhe një herë të mjerin dhe i thashë: ‘Mirë, mbylle derën dhe ik tani!’.
U frikësova, u tmerrova për opozitën: ‘Po sikur të na hyjnë këta?’ Opozita e vitit 1990-91 ishte opozita më e ndritur e krijuar nga kombi shqiptar, derisa hynë të mangëtit dhe stalinistët. Stalinistët tanë shporrën ‘Trockin’ dhe vendosën sundimin, që në sfond demokracie duket shumë shëmtuar. Frika- sa para asaj që kishim, aq edhe para asaj që po vinte. Mirë ky njeri- nisa të belbëzoj-, por pushteti i fortë komunist, vallë edhe këtë lloj njeriu e paska burgosur në Spaç e në Burrel?…
Çfarë ndodhi: pushteti krijoji opozita komike, apo opozitat krijuan pushtet të pakontrollueshëm në këtë vend? Kjo është çështja: Veza pulën, apo pula vezën?. Pyetjet- të njëmijta- na sjellin në ditën sot, kur opozitën as mund ta votosh, as mund ta ‘zësh me dorë’.
‘Ndryshimi’ që ndodhi veçsa ndryshoi histerinë:
Sot e kësaj dite vazhdojmë të themi mekanikisht: ‘Kur ndodhi ndryshimi…’, duke nënkuptuar epokën pas viteve ’90. Nuk ndryshoi asgjë në thelb, veç ligjeve të parlamentit që u imponuan nga Perëndimi. E njëjta dhunë për të mbajtur pushtetin. E njëjta luftë ‘klase’ ku u eliminuan krijuesit e vërtetë të Partisë Demokratike antikomuniste, pastaj u eliminuan edhe ata që eliminuan të parët…Shkatërrimi për ekonominë e vendit që u etiketua si ‘komuniste’, degradimi i punës dhe dinjitetit, vjedhje votash, sundim i njëshit… U krijuan edhe turmat e reja që bërtisnin rrugëve dhe digjnin çfarë gjenin. Ndryshimi kishte ndodhur vetëm me histerinë: histeri për të dominuar, histeri për të grabitur, histeri për t’u mbrojtur- si në eksperimentet e Frojdit. Nga histeria kundër komunizmit, u kthye në histerinë ndryshe. Opozita që do të vinte pas këtij ndryshimi, natyrisht që do të ishte thjesht me ‘histeri të ndryshuar’, asgjë tjetër. A nuk e kemi para sysh vitin 1998- me egërsi, me thika në dhëmbë e me tanke në rrugë?…
Diktatura na kishte dhuruar harresën:
Kur nisëm ‘demokracinë’, në këtë lëmë u pranuan të parët xhahilët, agjentët, spiunët dhe sharlatanët e asaj që kaloi. A e shikoni sot opozitën? Gati për të pranuar zaptues, ish- spiunë, injorantë, të degraduar. Ideja komuniste se ‘kur je me ne- pranohesh’, u aplikua që ditën e parë. Edhe diversantët e kohës së pas- Luftës së Dytë u morën si model i ‘njeriut të nesërm’. Tmerr. Vetë ata e kishin kuptuar se si ‘opozitë e komunizmit’ i kishte zënë histeria, dhe kaq. Njëri nga parashutistët e vitit 1950, S.D. ka dëshmuar: “Mbas një muaj stërvitjeje dhe pikërisht në muajin gusht 1950 prej Mynihut na shpunë në një qytezë 18 km në jug të tij, që quhet Wekterhov. Këtu gjendeshin rreth 150 depo të amerikanëve, të cilat ishin me bomba avioni të çdo kalibri, me raketa me municion mitrolozi për avionë. Këto i morëm në dorëzim nga gjermanët. Në orët e lira neve amerikanët na mësonin të shkruanim, të lexonim, të mësonim gramatikë, aritmetikë, gjeografi’ etj.’… Kjo ishte opozita që do të ndryshonte sistemin dhe do të bënte realitetin në Shqipëri. Opozita e tanishme, si një presidpozicion patologjik, thjesht zhvendosi kujtesën nga anti- komunizmi në anti- Reforma: Kundër mbikalimeve, kundër parqeve, kundër qiellgërvishtëseve, kundër Teatrit, kundër ligjit, kundër Drejtësisë.
Edhe pas dy brezash kopjohet e njëjta metodë si në Opozitën e Parashutistëve
Edhe ata të mjerët, paçka se pa shkrim e këndim, do të zbarkonin nga qielli dhe do të merrnin pushtetin. Ata bënin sikur ishin pro- aleatëve të mëdhenj; ndërsa të tanishmit dalin hapur kundër Amerikës dhe aleatëve. Ndoshta për pak kohë, opozita mund të aplikojë edhe marrëzinë: ‘Ta mbrojmë Shqipërinë nga Amerika’. I vetmi që ka rrëshqitur nga ky kurs duket kryetari i PD, por edhe ky si një ‘diversant’ i opozitës dhe po dëgjon Amerikën. Presidenti i Republikës&Co., nuk ia falin. Deri tani ata kanë paguar shuma të mëdha për luftën njëvjeçare me bomba kundër institucioneve të ligjit, kanë paguar për militantët e Unazës, po paguajnë për aktorët e sërës së fundit të teatrit. Qenka si ‘e shkruar’, që opozitat e rrënuara kapen te ‘degë’ të kalbura, angazhojnë vetëm sërën e fundit të shoqërisë… Reformat po vizatohen prej këtyre siç vizatonin ata të viteve ’50 malet me borë ku do të zbarkonin. Presidenti dhe pjesa tjetër e opozitës i zunë pritë Reformës në Drejtësi dhe ‘po e vrisnin’ pas shpine- siç tha e dërguara e Amerikës. Presidenti e shikon veten si një parashutist: Ka deklaruar se dikush në Perëndim (dmth., në Amerikë) do ta vrasë. Prej tre ditësh po merret me një atentator të prag- Luftës së Dytë, edhe pasi e ka dekoruar, prapë e dekoron Vasil Laçin që desh vrau mbretin e Savojës, Viktor Emanueli i Tretë. Kujt po i jep sinjale për atentate zoti President?… Do të vrasë ‘mbretin’ e Amerikës?…
Opozita- nga një grupim politik, tanimë po formon grupin e dytë psikik. Për të qarë dhe për të qeshur, edhe aktorët e sërës së fundit mund ta luajnë dramën e opozitave.
Çfarë jemi? A nuk mund të formojmë krijesa të paturpshme politike?!. Edhe nëse nuk është defekti i kombit, të tjerët nuk duan t’ia dinë, vetëm te kualitetet e kombit do t’i kërkojnë arsyet.
veritas.com.al