Fiks Fare solli historinë e trishtë të një 11 vjeçari , nga fshati Barbullush i Shkodrës , që qëndron i ngujuar prej 7 vitesh, bashkë me të ëmën dhe gjyshërit. Aktualisht është në klasë të katër dhe është i detyruar të shkojë tek dajat për të marrë dije, në të kundërt gjakësi e vret.
Emisioni investigativ solli gjendjen e vështirë ekonomike të familjes e cila jeton me 1400 lekë në muaj. E zonja e shtëpisë , njëkohësisht nëna e të miturit thotë për kameran e Fiksit se ka vetëm një kërkesë për shtetin, ajo i lutet që djali i saj të shkollohet aty ku ka lindur. ”Edhe pa ngrënë rri vetëm djali të më shkollohet këtu në fshatin e tij, të qëndrojë me xhaxhallarët dhe gjakun e tij” thotë Mira me lot në sy. Ajo na tregon sesi e kalon muajin me aq pak të ardhura dhe se është e detyruar të marrë ndihmë nga prindërit e saj. “Ka patur shumë raste kur kemi ngelur pa buk dhe më ka dërguar babai miell, djalit nuk kam lekë t’i blej librat, çantën e ka që të klasës së parë” rrëfen Mira.
Lodrat e vetme të 11 vjeçarit janë ca makina të prishura që i mban pas divanit, edhe ato i ka të falura. Ai thotë se do që ta bëjë shkollën në fshatin e tij, nuk do të shkojë tek dajat, por nuk qëndron dot aty ku dëshiron pasi ka frikë nga gjakësi.” Unë këtu dua të rri, por s’më lënë ato, gjakësit” thotë Ambri. Për të katërtin vit me rradhë Ambri është i detytuar ta ndjekë shkollën tek dajat, alternative tjetër nuk ka. Mund të qëndrojë në shtëpi i ngujuar dhe pa dije.
Ndërsa pesha më e madhe i ka rënë gjyshit të Ambrit. 65 vjeçari Reshit Gjata thotë se do shumë që nipi i tij të shkollohet në Barbullush, por e shikon si shumë të rrezikshme këtë gjë. ” Dua ta shoqëroj nipin për në shkollë, të qëndrojë në shtëpinë e tij, por kjo është e rrezikshme për të dy” thotë gjyshi i Ambrit.
Ai tregon se ka bërë të gjitha tentativat për të marrë besë nga familja e dëmtuar, por ka qenë e pamundur, ndaj për këtë kërkon ndihmën e shtetit që t’i ulë të dyja familjet. ” Ose të na falin, ose të na vrasin’ thotë Reshiti.
Kryetari i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve për gjithë Shqipërinë, Nikoll Shullani tha për Fiks Fare se ka bërë përpjekjet maksimale për këto dy familje. Ai ka ndërhyrë që djali të shkollohet tek dajat. Sipas tij familja e dëmtuar i ka thënë se nëse e shikon djalin me të ëmën në rrugë nuk mbajnë përgjegjësi nëse e vrasin. ” Ka ndodhur edhe njëherë në Barbullush që të vritet një fëmijë 13 vjeç për gjakmarrje” pohon Shullani.
Të kontaktuar nga Fiks Fare zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit thotë se nuk ka fëmijë të ngujuar për vitin shkollor 2017-2018, por mësuesja Liljana Luani e kundërshton këtë. Zonja Luani shprehet me përgjegjësi të plotë që ka fëmijë të ngujuar. ” Ka fëmijë të ngujuar, sidomos në qarkun e Shkodrës, të cilët unë i njoh shumë mirë dhe prej vitesh u shërbej këtyre fëmijëve në mënyrë vullnetare” thotë Luani. Ajo pohon gjithashtu për Fiks Fare se nuk ka informacion nëse këtyre fëmijëve u shkojnë mësues në shtëpi./a.m.