Ish-kryeministri italian dhe ish-president i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, ka dhënë një deklaratë të fortë në Takimin e Riminit, duke shprehur zhgënjimin e tij me rolin e Bashkimit Evropian në arenën gjeopolitike. Ai theksoi se viti aktual do të mbahet mend si ai në të cilin u zhduk iluzioni se madhësia ekonomike e BE-së do të sillte automatikisht fuqi dhe ndikim politik.
Draghi e cilësoi BE-në si “margjinale dhe një vëzhguese” në çështje kyçe ndërkombëtare, duke përmendur konfliktet në Ukrainë dhe Gaza. “Pavarësisht se ka dhënë kontributin më të madh financiar në luftën në Ukrainë, BE-ja deri tani ka luajtur një rol shumë të vogël në negociatat e paqes”, tha ai.
Draghi gjithashtu shprehu shqetësimin për varësinë e Evropës nga Kina dhe për presionet e ushtruara nga SHBA-ja për të rritur shpenzimet ushtarake, të cilat sipas tij nuk i shërbejnë interesave të Evropës.
Skepticizmi ndaj BE-së dhe zgjidhjet e mundshme
Sipas Draghi-t, skepticizmi i shtuar ndaj Evropës nuk vjen nga mosbesimi te vlerat themelore të saj, si demokracia, paqja dhe liria, por nga paaftësia e BE-së për t’i mbrojtur këto vlera. Ai argumentoi se kthimi tek sovraniteti kombëtar do t’i bënte shtetet evropiane edhe më të ekspozuara ndaj vullnetit të fuqive të mëdha.
Për të kapërcyer këtë situatë, Draghi propozoi një ndryshim rrënjësor në qasje. Ai theksoi se vetëm përmes “borxhit të përbashkët” mund të mbështeten projekte evropiane në shkallë të gjerë, veçanërisht në sektorët si mbrojtja, energjia dhe teknologjitë inovative. Ai i bëri thirrje qeverive evropiane që të rizbulojnë unitetin e veprimit dhe t’i bashkohen përpjekjeve, duke shfrytëzuar momentin aktual.
Draghi e mbylli fjalimin e tij duke iu drejtuar të rinjve, duke theksuar se ata janë rritur si evropianë dhe duhet ta shndërrojnë skepticizmin në veprim. Ai theksoi se BE-ja është “shansi ynë më i mirë për një të ardhme paqeje, sigurie dhe pavarësie”. Zgjedhja e Trump në SHBA, sipas tij, ka shërbyer si një “thirrje zgjimi brutale” për Evropën, duke detyruar udhëheqësit të kuptojnë urgjencën e situatës.











