Pas kundërshtive të deputetëve të mazhorancës në lidhje me formën e ndëshkimit për personat që nuk lëshojnë kupon tatimor, qeveria ka riformuluar dhe sjellë në komisionin parlamentar të ligjeve nënin 13 të kodit penal të ndryshuar, ku ka saktësuar se çdokush që ka të drejtë të lëshojë kupon tatimor dhe nuk e bën do të gjobitet dhe në rastin e dytë do të shkojë në burg.
“Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore , moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore , nga personi i cili ka detyrimin të lëshojë kuponin tatimor në momentin e transaksionit , kur më parë është dhënë masë administrative , përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burgim” , ndryshohet neni 13.
Po opozita ka kundërshtuar ashpërsimin e masave për ata që nuk lëshojnë kupon tatimor, duke dhënë shembuj të bizneseve të vogla që shesin mallra të një çmimi të ulët. Deputeti Oerd Bylykbashi ka dhënë shembullin e një shitësi byrekësh, që sipas drafit të sjellë nga qeveria rezulton që nëse nuk pren kupon tatimor për një herë të dytë do t’i duhet të bëjë burg për 30 lekë.
“Pyetja është shumë e thjeshtë, burg do të bëjë? Është fshehje të ardhurash edhe ai që nuk dorëzon kuponin tatimor për një byrek zonja ministre? Mbasi ka marrë një gjobë 5 milionë lekë të vjetra për kuponin e parë që nuk lëshoi, burg do të bëjë për të dytin ai? 3 qind lekë të vjetra kushton”, u shpreh Bylykbashi.
Deputeti djathtë Eduard Halimi theksoi se moslëshimi i kuponit tatimor nuk mund të përbëjë krim dhe se në asnjë vend të BE nuk ka një legjislacion të tillë.
“Moslëshimi i kuponit tatimor nuk mund të përbëjë krim, sepse nuk përbën krim në asnjë vend të Bashkimit Evropian edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Halimi.
Importimi, eksportimi apo tranzitimi i paligjshëm i mallrave të ndaluar ose të kufizuara që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë, i kryer me çdo mënyrë a mjet qoftë, dënohen me burgim deri në dhjetë vjet. Kontrabanda për mallrat e akcizës dënohet me 7 deri 10 vite burg. Tregtimi i mallrave kontrabandë dënohet nga 3 deri në 10 vjet burg