Nga PROF. AS. DR. IRAKLI KOÇOLLARI
Reportazhi i mëposhtëm është shkruar nga dy gazetarëve amerikanë, J. Humber dhe K. Rooth, në vitin 1819 dhe është botuar në vitin 1820, në revistën Amerikane “R. And Miscellaneus Jurnal”, nën titullin:“Visit to Joannina and Ali Pasha”.
DY AMERIKANË MBRIJNË NË BRIGJET e Jonit dhe ROJA shqiptare
Më datë 8 Prill të vitit 1819, një anije e vogël me vela, e cila ishte nisur nga brigjet e Korfuzit dhe drejtohej nga një detar napolitan, u ankorua në një liman të vogël të Çamërise, në Sajadhë nga ku zbritën dy burra të huaj me veshje të pazakontë për ato anë. Qenë dy gazetarë amerikanë, ndoshta të parët në historinë e këtyre anëve, të paktën nga ato që burimet e shkruara në bëjnë më dije për europianët e mbërritur këtej. Në gjirin e qetë i priste një burrë i armatosur. Marinari që drejtoi anien, me t’u ankoruar i dorëzoi burrit të armatosur një letër, i cili nga sa u mësua ishte një letër rekomandimi për oficerin shqiptar të Ali Pashës, i cili ishte ngarkuar prej tij të priste dhe shoqëronte dy të huajt. Ata ishin dy gazetarë amerikanë.
Impresionet nga takim i parë me shqiptarin, duket se ka qenë vërtet mbresëlënëse, për dy vizitorët e largët, prandaj në reportazhin mjaft interesant që ata kanë lënë, qysh në rreshtat e parë i referohen tipareve të këtij njeriu: “Ai ishte i gjatë, pak i kërrusur, me shpatulla të gjëra, mbi kokë një kësulë të vogël ngjyrë të kuqe, një xhoke lëkurë deleje e pistë mbi supe, dy pisqolla të gjata dhe një jatagan të ngjeshur në mesin e tij… dhe që pretendonte se ishte pasardhës i Maqedonasve antikë.”
Shqiptari që i priste u “parashtroi të huajve planin për rrugën drejt Janinës – Kryeqyteti i Shqipërisë, udhëtim i cili do të zgjaste 3 ditë dhe do të kalonte përmes maleve me pyje të dendur, ku qarkullonin kafshë të egra. …. por armët dhe pamja e tij mjaft e ashpër e shoqëruesit shqiptar, do të tmerronte edhe dyzet hajdutët…!”, konkludojnë dy gazetarët e ardhur nga larg.
IMPRESIONE NGA UDHËTIMI PËRMES MALEVE TË EPIRIT DREJT JANINËS
Gjatë tre ditëve të udhëtimit, në datat 8, 9, dhe 10 Prill 1819, të dy gazetarët u impresionuan nga vëzhgimet e tyre personale, bisedat me shoqëruesin shqiptar, me udhëtarët e zakonshëm që hasën dhe biseduan rrugës dhe të tjerë të cilët i takuan në bujtinat apo hanet ku kaluan tre netët e udhëtimit. Ata u befasuan nga qentë e tmerrshëm të staneve, të cilët qenë shfaqur frikshëm në shumë raste në netët e errëta pus, por edhe gjatë ditës. Për atë rracë të egër dhe të fuqishme qensh, ata kishin lexuar në dokumentet e autorëve antikë, dhe dinin se ata riteshin në Epir, por edhe kishin përcjellë ipresionet e botuara nga udhëtarë aziatike dhe europianë që kishin kaluar para tyre, në këto anë. Është fjala për “qentë e Mollosisë dhe Kaonisë” për të cilët flet Vezir Nasuli, i cili rreth viteve 1670 ndërsa shkonte në këto vende ishte sulmuar pikërisht nga kjo rracë qensh të papërmbajtur. Por, për ta, flet në ditarin e udhëtimeve të tij edhe britaniku Hobhause, miku dhe bashkudhëtari i poetit të madh britanik XH. G. Bajron, që i pa dhe u bind për kurajën dhe egërsinë e tyre ekstreme.
MBËRRITJA NË JANINË, PRITJA E MYFTAR PASHËS, DJALI I ALI PASHËS.
Me të mbërritur në këtë qytet, të dy gazetarët i shoqëruan për tek pallati i Myftar Pashës, djalit të madh të Ali Pashës dhe njëkohësisht administratori i qytetit të Janinës, mëkëmbësi i të atit.
Ata e përshkruajnë kështu ambientin impresionues të sarajeve pritëse ky hynë:
“Në paradhomë ne gjetëm përkthyesin, që ishte një italian i zakonshëm, i rëndomtë, i veshur me kostum europian. Myftari ishte ulur në qoshen e divanit duke pirë duhan me një pipë persiane. Ai përkuli kokën me xhentilesë dhe na ftoi me lëvizjen e dorës së tij të uleshim në divan, pranë tij. Ishte një burrë trupmadh, me pamje fisnike tërë dinjitet, inteligjent dhe plot butësi. Një pisqollë e punuar me ar ishte ngjeshur në brez, ndërsa tre të tjera ishin lënë në divan, pranë gëzofit të peliçes së tij.
Në anën përballë divanit qëndronin pesë gjashtë djem të rinj shqiptarë me veshjet e tyre karakteristike dhe tradicionale shqiptare dhe të armatosur, flokët e tyre të gjatë zbrisnin mbi supe, nga pas butë, butë, ndërsa pjesa mbi ballin e kokës ishte e rruar.
Unë kurrë nuk pashë sytë e tyre të lëviznin qoftë edhe për një çast të vetem nga vështrimi i ngulur mbi Princin e tyre, Myftarin, gjatë gjithë kohës së audiencës që ky na ofroi.
Në muret e dhomës së pritjes ishin varur pushkë të ndryshme të gjata, një sabër franceze, një orë e madhe Europiane dhe një lente optike për të lexuar. Dhoma ishte e madhe dhe reth e qark mureve të saj, në tre anë ishin vendosur divane. Mënyra sesi ai e filloi bisedën të krijonte impresionin se nuk kishte diferenca mes tij dhe princave të tjerë Europianë.
Myftari na bëri shumë pyetje brenda një kohe të shkurtër dhe mes të tjerave kërkoi të dinte – nëse ishte e vërtetë që Napoleon Bonoparti kishte mundur të shpëtonte dhe të arratisej nga Ishulli i Shën Helenës? – Nëse ishte e vërtetë që Amerika ishte në paqë me të gjithë vendet e botës?, etj.
Ndërsa na prezantoi shkurtimisht vetvehten, ai, na bëri me dije se para disa vitesh ai vetë kishte marrë pjesë në disa luftra, por pas asaj kohe ai tanimë dëshironte të rrinte në paqë në shtëpinë e tij..”
ANKTH DHE PADURIM PËR TË TAKUAR ALI PASHËN
Por, natyrisht amerikanët ishin ende në pritmërinë dhe padurimin e takimit me Ali Pashën, njeriun që ishte kthyer në atraksion për europianët dhe më gjerë, për shtypin e kohës, gazetarë, shkrimtarë, piktorë, artistë etj.
“Na priti fisniku Kanxheri, përkthyesi i parë i Ali Pashës. Ai nxitoi të vinte menjëherë tek ne dhe të na informonte se Pashai do të ishte i gatshëm të na priste në takim, mëngjesin e ardhshëm. Në bisedë ai na tregoi se ishte djali i Gospodarit të Vllahisë, që Sulltani i kishte prerë kokën. I rrezikuar me jetën e tij, ai ishte detyruar të arratisej nga Konstandinopoja dhe mbas peripecish nëpër ishujt e Egjeut, ai kishte mbritur në oborin e Pashait të Janinës, i ftuar nga ky i fundit, që e kishte marë në mbrojtje. Disa vite para strehimit në Janinë, ai kishte qënë disa kohë në Vjenë dhe në udhëtimet e tij kishte parë Parisin, ndërkohë që kishte shërbyer edhe në një Ambasadë të Bonoparit, gjatë konfliktit me Rusinë.
Në biseda ai na rrëfeu se “merrte rregullisht gazetën periodike të Luganos përmes Vjenës dhe ja sillte Ali Pashës. Në vazhdim na tregoi se me kërkesën e Pashait tepelenas po përgatitej për një abonim tjetër, atë të revistës, “Monitor”.
“Po këtë mbrëmje, Pashai pati nderin të na dërgonte ushqimin e darkës, i cila ishte përgatitur në kuzhinën e Pallatit të tij. E njëjta gjë, ushqimi gratis, na u ofrua edhe për mëngjesin e ditës së nesërme. Të gjitha këto na i serviri një djalë i ri, që mbante dy pisqolla të mëdha të ngjeshura në brez.”
Pas mëngjesit të datës 19 Prill, amerikanët u shoqëruan për tek salla e pritjes së Pashait të Janinës. “Një ushtar që na shoqëronte, – shkruajnë vizitorët e largët dhe autorë të artikullit, – largoi mënjanë një perde të madhe e të rëndë, ngjyrë jeshile dhe përtej saj ne pamë Ali Pashën, të ulur në vijë diagonale me portën hyrëse, në një qoshe të dhomës, në një divan të ulët. Salla e pritjes kishte dimensione të zakonshme dhe e pikturuar në pjesën më të madhe të saj në ngjyrë të kuqe”. Për shkak të shëndetit të shumtë ai ngjante si një grumbull i madh, i veshur në rroba ngjyrë të kuqe të errët dhe në jakë mbante gëzof. Rrinte i mbështetur në pesë jastëkë të mëdhej. Binte në sy fare qartë dorën e tij, në të cilën mbante një pipë të gjatë, mjekra e bardhë e pazakontë dhe mustaqet. Kishte një fytyrë tërë nur, që nuk tregonte qoftë edhe një thërrmijë egërsie, i ngarkuar me dinjitet dhe inteligjencë. Ishte evidente se madhëria e tij pëlqente të ngrohtin, për këtë shkak njëra anë e dhomës ishte ngrohur mjaft nga një zjarr bubulak prej oxhakut aty pranë, mbi të cillin digjeshin kërcunj të mëdhenj, duke na kujtuar me këtë rast përshtypjen se këto vatra kaq mikpritëse vështirë se mund t’i gjeje në sallonet mondane të ndonjë baroni Anglez.
Ai bëri vetëm një lëvizje me dorë që ne të uleshim në divan, ndërkohë që një kollitje e fortë e kishte pushtuar.. … Pranë tij ishte ulur një dervish, të vetmit njerës që e kishin këtë privilegj për raste të tilla.
Intervistë befasuese, arkeologjia dhe antikiteti për PASHAIN TEPELENAS
Nisur nga fakti se ardhja e jonë i ishte bërë e njohur që më parë, si dhe identiteti ynë që ishim amerikanë, ai hyri menjëherë në temë dhe na pyeti: Kush është origjina juaj e largët? Të parët tuaj ishin anglezë apo..?
Një pyetje kjo që tregonte mëndjemprehtësi dhe zgjuarësinë e tij të veçantë, por edhe faktin se ai mund të kishte mësuar nga rrëfimet e udhëtarëve britanikë për luftën mes Amerikës dhe Anglisë dhe bashkë me to edhe për origjinën tonë britanike.
Ai na drejtoi pas kësaj shumë pyetje të tjera, por veçmas ai tregoi interes të veçantë, për tempullin e Dodonës, i cili dihej se ndodhej në një vend brenda dominioneve të pashallëkut të tij, dhe për këtë shkak kërkoi opinionin tonë. (Dodona është një nga Tempujt më të lashtë, në mos më i lashti i kohëve antike në Greqinë e Lashtë, Epirin, Ilirinë e gjetkë. Ky tempull, që përmëndet nga Homeri, gjendet rreth 13 km. larg Janinës dhe jo shumë larg kufirit të sotëm me vendin tonë)
Ishte vërtet e pabesueshme, – vazhdojnë shkrimin e tyre amerikanët, që një Pasha i Perandorisë Osmane, një njeri i konsideruar pa kulturë dhe shef i të pakulturuarve, mund të shfaqte një nuhatje dhe mprehtësi kaq të përpunuar, mënçuri dhe pasion pas antikitetit. Kjo tregonte veç të tjerave se ky personazh me një intelekt kaq të shkathët, vështronte me vëmendje të veçantë faktin se të gjithë Britanikët që vinin në vendin e tij kërkonin me një zell të paduruar pas veprave të antikitetit dhe në mënyrë të veçantë pas Dodonës së dëgjuar, duke konkluduar në këto rrethana se vlera dhe thesare të mëdha duhet të fshihen në këtë vend, ku udhëtarët vijnë dhe kërkojnë. Dhe, ishte plotësisht e natyrshme, që për këto arsye, ai të tregonte një emocion të paduruar për të bërë edhe vetë gërmimet e para.
Nga ana tjetër, Pashai na tha se kishte dëshirë të veçantë për të vendosur marrëdhënie tregtare, këmbime të cilat duhet të themeloheshin dhe konsolidoheshin mes Amerikës dhe zotërimeve të tij. Për këtë qëllim ai kërkoi nga ana jonë, që kur të ktheheshim në vendin tonë ti parashtronim një kërkesë Qeverisë Amerikane për të dërguar një Konsull në Janinë.
“Intervista jonë e parë, – nënvizojnë në artikullin e tyre dy gazetarët amerikanë, – zgjati një orë e gjysëm. Gjatë kohës që ne komunikonim me të persona të ndryshëm hynin pa ndonjë ceremoni të veçantë në ambientet tona, pavarësisht pranisë së Vezirit. Asnjë prej tyre nuk ra në gjunjë dhe e vetmja përshëndetje kortezie ishte vendosja e dorës së djathë mbi anën e zëmrës dhe mandej ngritja e saj lart dhe prekja e ballit.
JANINA, SHQIPTARËT, sistemi i drejtësisë dhe shteti i ali pashës
Mandej, në reportazhin e tyre, për ditët dhe orët e qëndrimit të tyre në Janinë, të dy gazetarët amerikanë flasin për bisedat e organizuar me njerëz të oborit të Pashait, me intelektualë të ndritur si Psalidha, për shkollën e parë laike që ishte ngritur në Janinë me 200 nxënës, shqiptarë dhe grekë, për botimet e para në Vjenë të mbështetura nga Ali Pasha, për një libër rreth Historisë së Shqipërisë që i ishte dhënë Lordit Guilford për botim, për urbanistikën e qytetit të Janinës, numurin e popullsisë, për të ardhurat e grumbulluara nga taksat, të ardhurat për frymë, për ndarjen administrative të Pashallëkut dhe guvernatorët e sanxhaqeve, për llojet e prodhimeve bujqësore, për këmbimet tregëtare me vendet e ndryshme të Europës, sistemin e drejtësi dhe Gjykatat e Tre Shkallëve, etj. Në përfundim të këtij përshkrimi, gazetarët konkludojnë:
“Janina është qyteti më i madh, më i pasur dhe më i begatë njëkohësisht në krahasim me tërë qytetet e tjera të Greqisë. Njerëzit e ditur dhe të mësuar këtu janë të shumtë, ndërsa njerëzit e pasur janë më mirë të mbrojtur dhe të sigurt. E vërteta është se, njerëzit e pasur të këtyre anëve i kanë siguruar pasuritë e tyre përmes punës në Leghorn, Vjenë dhe Moskë si dhe në qytetet e tjera të Italisë, Gjermanisë apo Rusisë. Jo rrallë, Pashai ka aplikuar praktikën e pengjeve, duke mbajtur një prej pjesëtarve të familjes të tregtarëve pranë oborrit të tij, si kusht për kthimin e tyre nga jashtë, në vendin e tyre.
Përshtypje të thella kanë lënë tek udhëtarët amerikanë përbërja etnike dhe ajo religjioze e qytetit të Janinës dhe më gjërë, ajo e pashallëkut. “Grekët, Turqit dhe hebrenjtë gëzojnë pothuaj të njëjtat të drejta dhe mbrojtje. .. sekretarët e Vezirit (Ali Pashës) janë grekë dhe shkruajnë në gjuhën greke, përveç pjesës më të madhe të ushtarakëve që janë të të njëjtës kombësi me atë të Ali Pashës, shqiptarë.
Vetë Aliu nuk është turk, ai është i fesë muhamedane, por pa ndonjë preferencë të veçantë veç faktit se mer avdes dhe është i pranishëm në ceremoni fetare. Ai i dërgon detyrimet (taksat) Portës së Lartë, por nga ana tjetër ai posedon një fuqi mjaft të madhe, gjer në kufijtë e indipendencës.”
Duke folur për sistemin e drejtësisë, reportazhi na bën me dije për reagimin dhe ndëshkimet e Ali Pashës ndaj rasteve të abuzimit me të drejtën dhe për shkeljet brutale nga ana e kadijve, ndaj individëve pa mbrojtje dhe të pafajshëm. Dhe më tej amerikanët përfundojnë: “Por, Veziri nga ana e tij, përherë kërkon dhe godet rastet e krimit penal pa mëshirë. Këtë e bën duke rreaguar menjëherë dhe goditur pikërisht në shenjë. Ndërsa, për çështjet civile, që shqyrton Gjykata, ai shpesh cakton një komision që kontrollon gjyqtarët dhe për gjithçka j’a raportojnë atij përmes një dokumenti me shkrim.”
SHQIPTARËT DHE ARMËMBAJTJA
“Të gjithë shqiptarët mbajnë në brez kama, shpata dhe pisqolla, por vrasjet këtu janë të panjohura, – vërejnë me habi të dy gazetarët amerikanë dhe më tej vazhdojnë, – Shqiptarët i shikojnë armët si pjesë e pandarë e veshjes së tyre. Kur një vrasje apo një krim tjetër i kësaj natyre ndodh, fajtori dënohet menjëherë me vdekje dhe jo vetëm kaq, por e gjithë familja e tij nga të dy krahët e të gjithë moshave dërgohen të punojnë si skllevër. Së fundmi, çdo njeri, qoftë edhe më i rëndomti mund të hyjë dhe të takojë Vezirin pasi ka paguar paraprakisht një taksë prej dy dollarësh tek roja”.
TAKIMI I DYTË ME ALI PASHËN
Më datën 12 Prill 1809, dy vizitorët e ardhur nga larg , realizuan takimin e dytë dhe të fundit me Vezirin. Për këtë takim mjaft mbreslënës për amerikanët, në artikullin e tyre, ata shkruajnë sa më poshtë:
“Gjatë vizitës të sotme tek Veziri, ai na priti në Pallatin kryesor, një ndërtesë mjaft e madhe e punuar dhe e ngarkuar me dekoracione dhe vepra arti, kollona të vogla që ngriheshin gjer në tavanin e sallonit, i cili ishte lyer në të kuqe dhe të bardhë, si dhe piktura me dimensione të mëdha që paraqesnin skena gjahu dhe përleshjesh me kafshë të egra, tablo këto të punuara nga një piktor italian jo shumë i njohur.
I gjithë ky realitet i krijuar nga Pashai është tregues i qartë dhe shembull i dukshëm i shkëputjes së tij prej orientimeve kryesore të Islamit …. Gjatë tërë intervistës tonë kryesekretari qëndroi pranë divanit të Pashait. Dhoma ku e takuam atë sot ishte e vogël, me shumë ornamente, e lyer në ngjyrë të kuqe dhe shume nga dekoracionet ishin punuar gjithashtu në të kuqe ngjyrë ari. Në raftet qëndronin kuti të ndryshme duhani, çibukë dhe pipa të gjata, vazo të vogla, kupa antike të vogla të shumta në numur, shishe të vogla të mbushura me lëngje në ngjyrë të bardhë, të tjera ishin mbushur me ilaçe apo pije për pritjet që ai organizonte dhe që rreshtoheshin sipas madhësisë. Pranë tij Veziri kishte një shkop, në kokën e të cilit ishte një diamant i madh, ndërsa mbi divan qëndronte e ekspozuar me pamjen e saj të plotë një kamë, këllëfi i së cilës ishte i mbuluar në diamante , me një vlerë prej 50 000 stërlinash. Shumë nga diamantet e vendosur në këllëfin e kamës i qenë bërë dhuratë nga Karolina, Mbretëresha e Napolit, ndërsa diamanti më i madh i ishte dhuruar nga Mbreti i fundit i Suedisë dhe kushtonte 8 000 stërlina. Kjo kamë ishte e gjatë dhe e rëndë, e trajtuar me shije në të gjitha performancën e saj, në stilin unik dhe mjaft preciz.
Në një nga zbritjet, që Pashai kishte bërë, në një nga portet bregdetarë përballë Ishujve Jonianë, (në Prevezë) këtë pranverë të vitit 1819, për të takuar Guvernatorin e Maltës, britanikun Sir Tomas Maitland dhe një suitë grash që e shoqëronin, mes tyre kunatën e tij, zonjën, Laudërdeill ai kishte marrë me vete një qese të vogël të mbushur plot me diamante. Gjatë drekës të shtruar për të, ai i kishte zbrazur ato në një pjatë, duke i propozuar Guvernatorit që me to të zbukuronte yjet e urdhrit të “Bath”, me të cilin ishte dekoruar së fundmi. “
INTERESIMI I PËRSËRITUR PËR MARDHËNIET ME AMERIKËN
Sikundër shtrojnë në fund të intervistës së tyre, të dy gazetarët amerikanë duket që janë ndjerë tepër komodë, ndërsa Ali Pasha u ka rihapur edhe një herë kërkesën e vendosjes së mardhënieve mes vendit të tij dhe Amerikës. Në vazhdim të bisedës, Veziri i Janinës, i ka pyetur miqtë për llojet e produkteve që eksporton Amerika dhe mandej u ka propozuar se, nga ana e tij mund të eksportonte në vendin e tyre një ngarkesë me veshje të qëndisura, armë të punuara nga artizanët aty dhe produkte të tilla si ullinj, fiq të thatë, turshi, etj.
Por, paskëtaj biseda është përqendruar në çështje me karakter politik dhe për këtë subjekt ai i ka pyetur gazetarët se kush prej dy vendeve kishte flotën ushtarake më të fuqishme Amerika apo Anglia!?
I interesuar për kontinentin e largët dhe vendin e tyre Amerikën, Ali Pasha mjaft i përqendruar i është rikthyer edhe një herë historisë së atij vendi duke rishfaqur interesimin e tij të veçantë rreth pabarazive mes indigjenëve vendas dhe amerikanëve të ardhur.
“Pas një sërë shpjegimesh dhe ilustrimesh konkrete që ne i dhamë për këtë çështje, – sqarojnë të dy gazetarët, Pashai pohoi;
-Ah, po! E kuptova situatën, dhe mandej vazhdoi.
-Amerikanët e pushtuan atë kontinent dhe popullsinë vendase e vunë nën skllavëri, duke i detyruar të punojnë tokat e tyre dhe të shërbejnë në ushtrinë e amerikanëve të ardhur.”
Kjo intervistë e fundme me Ali Pashën zgjati, sikundër shkruajnë ata, dy orë dhe pas përfundimit të saj gazetarët e ardhur nga larg kanë memorizuar në fletët e shënimeve të tyre të impresionet, detajet rreth Pashait nga Tepelena, natyrës dhe karakterit të tij.
“Këto takime na dhanë mundësinë që ne të risim respektin dhe admirimin për zgjuarsinë, mprehtësinë e jashtëzakonshme dhe sentimentet e mrekullueshme të këtij Pashai mjaft të dëgjuar.
Pas përfundimit të bisedave, me urdhrin e tij na shpunë të vizitojmë ambjentet e ndryshme të pallatit të tij. Gjërat kryesore që pamë ishin rreth njëqind pushkë dhe pisqolla të varura në mure, shpata dhe jataganë të punuara me mjaft dekoracione dhe ornamente të bukura, një banjë mermeri, dy apo tre banja të tjera me avull, katër dhoma të kompletuara me divane, mbi të cilat ishin shtruar mbulesa mëndafshi edhe këto të ngarkuara nga qëndisje me fije ari dhe argjendi. Edhe në muret e këtyre dhomave qëndronin të varura pisqolla dhe shpata të dekoruara në ar dhe të zbukuruara me diamante. “
Pas përfundimit të vizitës tek Ali Pasha, të dy gazetarët ishin të ftuar për një drekë miqësore në sarajet e djalit të madh të Aliut, tek Myftar Pasha. “Ai, kërkoi të dinte me një kortezi të skajme nëse pas udhëtimeve dhe vizitave tona të lodhshme e kishim rimarë vehten dhe nëse ushqimet e ofruara i kishin pëlqyer apo jo?… …. Ai na ofroi një nga pipat e tij dhe na u lut që të provonim shijen e tabakos, të duhanit persian që ai tymoste.”
Duke e mbyllur reportazhin e tyre më vizitën dhe bisedat miqësore të bëra me Myftar Pashën, gazetarët amerikanë përfundojnë: “Myftari n’a foli për udhëtimet e tij jashtë pashallëkut, por na tha se ishte shumë i brengosur dhe ndjehej i turpëruar që rrethanat nuk e kishin lejuar të vizitonte dhe të njihte vendet e perëndimit. Në biseda ai na përmendi emrat e mjaft ushtarakëve të shquar europianë me të cilët kishte komunikime permanente. N’a ndoqi me interes dhe aprovonte me kënaqësi motivet që na kishin shtyrë të ndërmerrnim këtë udhëtim të largët , kuriozitetin dhe dëshirat tona për të njohur njerëz dhe histori, duke u nisur nga një vend i panjohur për këto anë.
Ai shprehu tërë gëzimet dhe kënaqësinë e tij për vizitën dhe na uroi suksese në ndërmarrjen dhe përfundimin me sukses në udhëtimin tonë të gjatë, duke deklaruar se, – do të ishte pafundësisht i lumtur nëse do të mësonte për kthimin tonë të qetë dhe të sigurt në atdheun tonë. Përpara ndarjes tonë përfundimtare, kur Myftari mori vesh për një letër rekomande që na kishte dhënë i ati, Ali Pasha, për djalin e tij Veli Pashën me funksion Pasha në Thesali, vend nëpër të cilin ne do të kalonim gjatë kthimit, Myftari urdhëroi menjëherë një nga sekretarët të shkruante një tjetër letër rekomandimi të nënshkruar nga ana e tij, për vëllanë, Veli Pashën, që ai të kujdesej në mënyrë të veçantë për ne.
NDARJA DHE REFLEKSIONE…
“Takimi me Myftarin na dha një kënaqësi të veçantë, – përfundojnë shkrimin e tyre dy gazetarët e ardhur nga larg, – pasi ne patëm rastin të flasim me një njeri me nivel, inteligjencë, dinjitet dhe elegancën e një Princi. Për ne, Ai, ishte një rast i veçantë, që rallë e ndesh dikush, një shprehje e qartë e një bote plot kortezi dhe respekt, që me të drejtë mund të thuhet se atë në mënyrë simetrike vështirë se do të gjesh qoftë edhe në oboret e fisnikërisë Europiane, ashtu sikurse po kaq vështirë do të ishte të gjeje një Princ me më shumë vlera dhe miqësor sesa Myftari.
Ne do ta kujtojmë atë me një respekt të veçantë dhe me mirënjohje të thellë për mikpritjen që na ofroi dhe kujdesin që tregoi, veçmas bujarinë e rallë të cilën ne patëm fatim të merrnim nga kjo familje vërtet e shquar.!” (Botuar tek Standart)