Giovanni Falcone lindi në Palermo më 18 maj 1939, nga Arturo, drejtor i Laboratorit kimik provincial, e nga Luisa Bentivegna. Pasi kreu Liceun (gjimnazin) klasik “Umberto” pati një përvojë të shkurtër pranë Akademisë Detare të Livornos. Vendosi të kthehet në qytetin e lindjes për të vazhduar Fakultetin Juridik, ku u diplomua më 1961.
Pikërisht në këtë përvojë të parë Giovanni Falcone mëson se po të hetojë krimet dhe veprimtaritë e strukturave mafioze, duhet të kryejë hetime edhe në pasuritë e mirëfillta dhe në ato të depozituara në banka (edhe përtej oqeanit), dhe se – sidomos – duhet krijuar një kuadër tërëso, një vizion organik lidhjesh, mungesa e të cilave në të shkuarën kishte sjellë një “varg pafajësish”.Më 29 korrik 1983 kryeinstruktori Chinnici, në krye të një ekipi hetuesish ku bëjnë pjesë Falcone, Barrile e Paolo Borsellino, vritet bashkë me eksortën e tij në rrugën Pipitone; e zëvendëson Antonino Caponnetto, i cili synon të kriojë siguri më të plotë për hetuesit gjatë hetimeve të krimeve të mafias.Ndërtohet kështu ai që quhet “pool antimafia”, mbi modelin e ekipeve aktive të viteve 1970 kundër dukurisë së terrorizmit politik. Përveç Falcone-s në grup bënin pjesë gjykatësit Di Lello, Guarnotta, e Paolo Borsellino, i cili kishte prirë hetimin mbi vrasjen e kapitenit të karabinierëve Emanuele Basile, më 1980.
Hetimi i filluar në Roma në korrik 1984 në praninë e nënprokurorët Vincenzo Geraci e Gianni De Gennaro, të Bërthamës Operative të Criminalpol, dhe të “penduarit” Tommaso Buscetta, është konsideruar një kthesë e vërtetë dhe e mirëfilltë për njohjen e fakteve përcaktuese të mafies dhe veçanërisht të strukturës së organizatës “Cosa nostra”.
Funksionarët e Policisë, Giuseppe Montana e Ninni Cassarà, bashkëpunëtorë të ngushtë të Falcone-s dhe të Borsellino-s, u vranë në verën e vitit 1985. Lind droja se të njëjtin fat do të kishin edhe dy hetuesit në fjalë, të cilët, për arsye sigurie, do të transferoheshin me familjet pranë burgut të Asinara-s.
Nëpërmjet këtij vargu ngjarjesh dramatike arrihet në dhënien e dënimit ndaj Cosa nostra-s në të parin maxiproces (16 dhjetor 1987) vendosur nga Gjykata e Assise-s të Palermos, nga kryetari Alfonso Giordano, pas njëzet e dy muajsh seanca pas seancash dhe tridhjetë gjashtë ditësh të mbledhjeve të zyrën e instruktimit. Urdhëri për shtyrjen e gjykimit ndaj 475 të pandehurve ishte depozituar në Zyrën e Instruksionit nga fillimi i nëntorit të dy viteve më parë.
Zhvillimet e mëvonshme ndikojnë negativisht kundër këtij suksesi. Në janar Këshilli Epror i Hetimeve parapëlqen Antonino Meli-n e jo Falcone-n, në krye të Zyrës së Instruksionit, i cili zëvendësonte Caponnetto-n që kishte dëshiruar ta linte detyrën. Ndërkohë në vijim të rrëfimit nga ana e “të penduarit” katanez Antonino Calderone, që kishte çuar në një varg të gjatë arrestimesh (të njohura si “blitz delle Madonie”), hetuesi i Termini-t, konsiderohet i paaftë dhe ia kalon dosjet Zyrës palermitan. Meli, në kundërvënie ndaj hetuesve të pool, i rikthen dosjet në Termini, përderisa veprat e kryera ishin nën juridiksionin e atjeshëm. Kasacioni, në mbarim të 1988, i jep të drejtë kryeinstruktorit, duke mohuar strukturën e centralizuar dhe vertikale të organizatave kriminale dhe duke i konsderuar ato të pavarura nga njëra tjetra në veprimet dhe në vendimet. Ky vendim do të godiste rëndë hetimet e kryera në Palermo kundër mafies.
Më 30 korrik Giovanni Falcone kërkon përsëri të transferohet në një tjetër zyrë. Në vjeshtë Meli e akuzon se ka favorizuar në njëfarë mënyre Carmelo Costanzo-n, Catania, dhe prandaj e shpërbën strukturën e pool, siç e kishte parandjerë Paolo Borsellino në një deklaratë publike, e cila iu censurua. Hetuesit Di Lello e Conte dorëhiqen në shenjë proteste.
Lidhur me tërë këtë zhvillim, në qershor 1992, gjatë një debati në Palermo, organizuar nga revista “Micromega”, Borsellinor kishte paralajmëruar: “Masat që janë marrë nga Meli, miratuar nga Kasacioni, filluar atëherë dhe vazhduar deri tani, nuk do ta pengojnë Falcone-n ta vazhdojë punën me përkushtim.” Pavarësisht zhvillimeve të tilla, gjithnjë në rrjedhën e vitit 1988, Falcone kishte realizuar një operacion të rëndësishëm në bashkëpunim me Rudolph Giuliani, prokuror rajonal i New York-ut, emërtuar “Iron Tower”, falë të cilit u goditën familjet Gambino e Inzerillo, përfshirë në trafikun e heroinës.
Më 20 qershor 1989 ndodhi atentati i dështuar dhe i errët i Addaura-s, pranë Mondello, për të cilin Falcone pohoi: “Gjendemi përballë mendjesh tejet të regjura që orvaten të orientojnë aksione të tilla të mafies. Ekzistojnë ndoshta pika lidhjeje midis krerëve të Cosa nostra-s dhe qendrave të errëta të pushtetit të cilat kanë të tjera interesa. Kam përshtypjen se ky është skenari më i pranueshëm nëse duhen kuptuar vërtetë arsyet që e kanë shtyrë dikë për të më vrarë.” Periudha e mëvonshme vijoi menjëherë me episodin tronditës të të ashtuquajturit “korbi”: disa letra anonime të cilat akuzojnë tërë mllef Falcone- dhe të tjerë.
Një javë më vonë instanca eprore vendos ta emërojë Giovanni Falcone-n ndihmësprokuror në Prokurorinë e Republikës në Palermo. Në janarin e vitit 1990 bashkërendon një hetim që çon në arrestimin e katërmbëdhjetë trafikantëve kolombianë e sicilianë, hetim që kishte zënë fill nga rrëfimet e “të penduarit” Joe Cuffaro’ i cili kishte shpalosur se anija tregtare Big John, me flamur kilian, kishte shkarkuar në janar 1988, 596 kilogramë kokainë në zonën e brigjeve të Castellammare del Golfo.
Atë vit ndodhi “përplasja” me Leoluca Orlando-n, i cili bënte akuza sidomos ndaj europarlamentarit Salvo Lima. Polemika vazhdon me argumentin e mirënjohur të “kartave në kaseta”, të cilat Falcone i konsideron frut të “cinizmit politik” të mirëfilltë të kulluar.
Më 1990 në zgjedhjet e anëtarëve me uniforma të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Falcone është kandidat për listat “Lëvizja për drejtësinë” dhe “Propozimi 88” (në rrethana të lidhura): por rezultati do të ishte negativ. Ndërkohë ashpërsohen moskuptimet me prokurorin e atëhershëm Giammanco, në rrafshin vlerësues dhe etik, në kryerjen e hetimeve.
Falcone merr ftesë nga nënkryeministri Claudio Martelli, përkohësisht ministër i Drejtësisë, për të drejtuar Çështjet Penale të ministrisë, ku të merrte rolin e bashkërendimit të një serie çështjesh, nga propozimet për reforma ligjore tek bashkëpunimi ndërkombëtar. Do të hapej kështu në mars 1991 një periudhë e karakterizuar nga një veprimtari e ngjeshur, që do t’i bënte më të frutshme aksionet e drejtësisë në luftën kundër krimit.
Falcone përkushtohet të realizojë atë që e quan kusht të pazëvendësueshëm të rinovimit: racionalizimin e raporteve midis prokurisë dhe policisë gjyqësore, dhe bashkërendimin midis prokurorive të ndryshme. Kërkonte ta bënte këtë në rrafsh kombëtar.
Në nëntor 1991 u krijua Drejtoria Kombëtare Antimafia, për funksionet e së cilës Falcone kishte folur në Palazzo dei Marescialli më 22 mars 1992. “Unë besoj se prokurori antimafia i Italisë duhet të ketë detyrë kryesore ta bëjë të frutshëm bashkërendimin e hetimeve, të garantojë funksionalitetin e policisë gjyqësore dhe të sigurojë plotshmërinë e shpejtësinë e hetimeve. Ritheksoj se ky duhet të jetë një organizëm përkrahjeje dhe mbështetje për veprimtarinë hetimore që duhet kryer ekskluzivisht nga prokuroritë rajonale antimafia.” Kandidatura e Falcone-s për një detyrë të tillë u pengua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, plenumi i të cilit nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar para se të ndodhte vdekja tragjike e Falcone-s.
Është 23 maji 1992 kur në orën 17 e 56 minuta, në shpatet e fshatit sicilian Capaci, pesëdhjetë kilogramë tritol e bëjnë të fluturojë në ajër veturën me të cilën udhëtonte Giovanni Falcone, e shoqja Francesca Morvillo e tre burrat e grupit të shoqërimit, Antonio Montinaro, Rocco Di Cillo e Vito Schifani.
Pas vrasjes së mallkuar, më 4 qershor u mblodh Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili doli me një rezolutë ku kërkonte forcimin e përkushtimit të grupit të punës italiano-amerikan, pjesëtar i të cilit ishte Falcone.
As dy muaj më vonë, më 19 korrik, i takonte një tjetër hetuesi të binte nën goditjet e mafies. Paolo Borsellino vritej nga një autobombë në Palermo në rrugën D’Amelio. Ishte një nga periudhat më të errëta në historinë e Republikës Italiane.
Falcone ishte personazh i përfolur, nga disa shumë i urryer gjatë jetës dhe shumë i dashur pas vdekjes, një personazh dyshues e i mbyllur, i vendosur e ngulmues. Për sa mund të bënte një njeri, ai ka luftuar sy për sy e ballë për ballë, me të gjitha forcat për të arritur autonominë e tij si hetues në vijën e luftës kundër mafies, dhe sot konsiderohet me plot kuptimin e fjalës simboli i luftëtarit pa kompromis, një histori që nuk duhet harruar./Elida BUÇPAPAJ
ma.me