Vetëm 4 ditë para se të zhdukej Remzi Hoxha në kryeqytet, rreth 200 kilometra më në Jug të vendit, në Ksamil të Sarandës, kishte ndodhur një tentativë për “rrëmbim” enigmatik. Më 17 tetor, kur Ziso Kristopulli, kryetar i PS-së së qytezës ndodhej në qendër të saj, nga një makinë me targa TR 2752 Z, një person, pasi është paraqitur si punonjës i Kontrollit të Shtetit, i ka kërkuar që të shkojë me të deri në Gjirokastër për t‘u sqaruar pranë organeve fiskale rreth veprimtarisë së tij private, si pronar i një pularie. “Dakord, – ka qenë përgjigjja e atypëratyshme e Zisos, – por a mund ta shtyjmë për nesër ju lutem, sepse kam nënën shumë sëmurë”. Ndoshta të gjendur të papërgatitur, apo paksa edhe sentimentalë nga natyra, njerëzit e makinës, e kanë lënë atë të lirë.
Një liri që ka zgjatur deri të nesërmen më 18 tetor, kur ish- shefi i krimeve të Sarandës, Sazan Cani, i ka kërkuar të shkojë me të në Komisariatin e Policisë. Pa mbërritur ende në qytet, në kampin e punëtoreve, ai ia ka dorëzuar atë njerëzve “të Kontrollit të Shtetit”. Të cilët nuk e kanë ndaluar jo vetëm në Gjirokastër, por askund tjetër, deri në orën 19:30, kur kanë mbërritur në Tiranë. Derisa në një lagje të saj, “në makinë është paraqitur si “shef”, Avni Koldashi”.
Kristopulli e kishte kuptuar tashmë se ndodhej në duart e “SHIK”-ut, pasi “e njihja Koldashin që kishte mbaruar shkollën bujqësore me një mikun tim nga Finiqi”, – kujton më pas ai. Makina mori rrugën drejt Kamzës në drejtim të Shkodrës, kur një thes i vendosur në kokë i ka ndërprerë shikimin”, derisa ka përfunduar në një godinë afër bregdetit të Lezhës. E cila iu kujtua që ishte një ndërtesë e ish-udhëheqjes komuniste, pasi në një çast që arriti të shihte jashtë dritares, dalloi një shatërvan që e kishte parë dikur.
Në kërkim të së pamundurës
Gruaja e Zisos, Evanthi Kristopulli, dha alarmin, duke i deklaruar gazetës “Koha Jonë”, tri ditë më pas, më 21 tetor, se e morën “për të dhënë sqarime rreth miqësisë së tij me një gazetar austriak”. Ndërkohë, edhe gruaja e Remzi Hoxhës, bashkë me familjarët e saj, nisën kërkimet. Më 23 tetor, kur kaloi afati ligjor i asaj kohe për shoqërimin prej 48 orësh në polici të një personi, Sadije Hoxha i dërgon telegrame Presidentit Berisha, ministrit të Punës dhe Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Agron Musaraj.
Tri ditë më pas, më 26 tetor, lajmi publikohet për herë të parë në gazetën “Koha Jonë”. E cila shkruante se pronari i një firme duraluminesh në Tiranë, ishte zhdukur prej disa ditësh në rrethana misterioze. Rasti i “zhdukjes së tregtarit” u denoncua me 10 nëntor, edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Por, ditët kalonin dhe familjaret kishin filluar të trokisnin në të gjitha dyert e institucioneve kryesore të shtetit dhe qeverisë shqiptare. Pas hetimeve private, gjurmët i kishin çuar në dyert e SHIK-ut. Ndaj, më 13 dhjetor, gruaja e Remziut i dërgon një telegram shefave të këtij institucioni. Në të njëjtën ditë, kur nga godina e kreut të shtetit do t‘i vinte përgjigjja se “Presidenti Berisha u vu në dijeni të letrës suaj. E cila iu dërgua Ministrisë së Brendshme dhe SHIK-ut, nga ku do të kërkojmë përfundimet”.
Por, edhe pas kësaj, familja Hoxha nuk mori asnjë sinjal. Madje, as 10 ditë më pas, kur i shkroi një tjetër letër Berishës, e as të nesërmen, kur Sadija shkoi vetë në Komisariatin Nr. 3 të policisë së kryeqytetit. Por as më 8 janar 1996, kur u vu në dijeni zv/Prokurori i Përgjithshëm, Fatos Dervishi. Por, vetëm më 15 shkurt, 2 ditë pasi një letër e tillë i ra në dorë Kryetarit të Parlamentit, Pjetër Arbnori. I cili përgjigjej se “u interesova pranë drejtorisë së SHIK-ut dhe më thanë se nuk kishin dijeni për një rast të tillë. Ata janë duke e hetuar çështjen dhe deri tani nuk është arritur në asnjë përfundim zyrtar”. Një përgjigje pak a shumë të tillë, “Mandela e Shqipërisë” pranon tani se i ka kthyer në atë kohë, edhe “Mandelës së Kosovës”, Adem Demaçi, që kishte kërkuar shpjegime, për shkak të njohjeve me familjen patriote me origjinë nga Kaçaniku. Kjo dhe një letër e familjareve më 23 mars 1996 për kryeprokurorin Alush Dragoshi, janë edhe korrespondencat e fundit 5-mujore të familjarëve të biznesmenit. Të cilët “u lodhen” së trokituri në dyert e shtetit, ndërkohë që në zyrat e kancelarive të Tiranës, kishte kohë që përflitej nën zë, se Remzi Hoxha ishte zhdukur në ambientet e SHIK-ut, kreu i së cilës ishte Bashkim Gazidede.
Gazetari enigmatik
Pak pas mesditës së 21 tetorit (1995), tri makinat kanë lënë pas rrugën pranë stacionit të trenit dhe e kanë dorëzuar “gjahun” në ambientet e SHIK-ut të Tiranës. Ardian Hoxha, djali i Remziut, disponon sot dokumentin zyrtar, që targa e “Volgsëagen”-it të rrëmbimit, së bashku me 5 të tjera nga SHIK-u, ka shërbyer për nevojat operative të institucionit, i cili ka paguar edhe detyrimet tatimore”. Nga hetimet e tanishme, urdhri për marrjen e 42-vjeçarit u dha nga shefi i atëhershëm i SHIK-ut të Tiranës, Arben Zefgjini, dhe njëri prej atyre që mund të jetë angazhuar për këtë në terren, dyshohet nga familjarët e “të zhdukurit” se mund të ketë qenë Avni Koldashi.
Pak orë më vonë, sipas hetimeve, biznesmeni është transferuar në godinën e shërbimit sekret në Kune (Vain) të Lezhës, ku është marrë në pyetje, mes të tjerëve, edhe nga Budion Meçe. I cili bashkë me 2 kolegët e tjerë, u arrestua i akuzuar për këtë rast, më 21 maj të vitit 2003.
Veç Hoxhës dhe Kristopullit, si pjesë e një operacioni të përbashkët, ato orë të fundtetorit të 1995-ës është arrestuar edhe Armando Loshaj. Një person rreth të 30-tave, me një pasaportë që mbante një mbiemër austriak a zviceran, i cili është paraqitur si një gazetar i dërguar në Shqipëri me detyrën e një fotoreporteri.
Burimet që janë marrë me hetimin e kësaj dosje të komplikuar, thanë se fillimisht Loshaj ka udhëtuar drejt Sarandës, ku ishte prezantuar si turist nga Zvicra dhe për 12 ditë kishte pushuar më pas në Ksamil. Në një vend me rreth 1000 banorë ishte e pamundur që ai të mos takohej me liderin e PS-së lokale dhe “bosin” e fshatit. Vetë Kristopulli, tashmë 52 vjeç, e pranon se kishte pirë kafe me të, duke kujtuar se ishin punonjës policie që ia kishin prezantuar si një fotoreporter i luftës së 1992-it në Bosnjë. Më pas, Loshaj ka udhëtuar drejt kryeqytetit, ku besohet se në një kombinacion të pasqaruar ende rrethanash është takuar edhe me Hoxhën.
Skenari
Kristopulli, i vetmi prej tri personazheve të arrestuar, që ka rrëfyer për ngjarjen, thotë së është torturuar deri në hematoma të rënda në të gjithë trupin, për ta detyruar të pranonte se “kisha shkuar në Serbi me Remzi Hoxhën, një person që ia dëgjoja për herë të parë emrin. Që andej kishim marrë makina me armë, “Kallashë”, dinamit, granata etj., për rrëzimin e pushtetit në Shqipëri”. Ndërkohë i kanë kërkuar të pohojë se “në Serbi kisha marrë një vulë, me të cilën kisha vulosur të gjitha fletëvotimet e referendumit për Kushtetutën të nëntorit 1994, në rrethet Jugore të vendit”.
Ishte fundi i vitit 1995, PD-ja kishte një vit që kishte humbur bujshëm në referendum dhe vendi, brenda pak muajsh, hynte në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 26 majit 1996. Në këtë kohë, sapo ishte realizuar shkarkimi i cilësuar antikushtetues i kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, pak para se ai të shqyrtonte çështjen e liderit të burgosur të PS-së, Fatos Nano. Ishin ditët kur sapo nisi zbatimi i ligjit antigjenocid, që përjashtoi nga e drejta e kandidimit për deputet, pjesën kryesore të liderëve socialistë në opozitë dhe rinisi vala e arrestimit të ish-funksionarëve të lartë komunistë, duke filluar nga Ramiz Alia e deri tek ish-komandanti partizan 92-vjeçar, Shefqet Peçi, që vdiq pas disa ditësh në burg.
Revista KLAN