Ndër dekada ideologjia komuniste u përdor për të sunduar përmes dhunës, terrorit dhe shtypjes në Europën lindore dhe pjesën më të madhe të Azisë. Por si u ngjiz diktatura komuniste në Rusi? Rrethanat e kohës në detaje, lëvizjet e personazheve të rëndësishëm të politikës botërore, si Lenin dhe Stalin. Revolucioni i tetorit, rrëmbimi i pushtetit nga ta dhe rezistenca e popullit rus gjatë Luftës II Botërore, tregohen në “Dëshmi” këtë të shtunë…
Vladimir Lenin ende sot përmendet si babai i komunizmit modern. Kur revolucioni shpërtheu në shkurt të vitit 1917, Lenini ishte në Zvicër. Në pamundësi për t’u rikthyer në Rusi, pa kaluar në territorin armik, ai përfitoi nga lehtësitë e siguruara nga gjermanët, duke udhëtuar drejt Gjermanisë, në një tren të mbyllur, drejt Baltikut. Pasi kaloi përmes Suedisë dhe Finlandës, ai mbërriti në Petrograd më 16 prill të vitit 1917.
Pak muaj më pas, në tetor të vitit 1917, bolshevikët rrëzuan Qeverinë e përkohshme të drejtuar nga Alexander Kerensky dhe Lenin menjëherë u shfaq si kreu i Qeverisë së Rusisë Sovjetike.
Lenini ishte ende lider kur 4 shtetet e para socialiste firmosën marrëveshjen e bashkimit, më 30 dhjetor 1922. Por atëherë ai ishte në prag të vdekjes dhe projekti i Bashkimit ishte vepër e ideuar nga Joseph Stalin, në atë kohë redaktor i Pravda-s. Shumë shpejt Stalin do të zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe do të shndërrohej brenda pak kohësh në një nga njerëzit më të fuqishëm të botës, edhe pse kishte edhe qarqe jashtë politikës sovjetike, që nuk kishin dëgjuar kurrë për të. “Traktati i Bashkimit” i vitit 1922 bëri bashkë Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë dhe Transkaukazinë.
Manifesti komunist, që në origjinë vjen nga Manifesti i Partisë Komuniste, është një përmbledhje e punëve të filozofëve gjermanë, Karl Marx dhe Friedrich Engels dhe përfaqëson një përqasje analitike të luftës së klasave dhe konfliktet me kapitalizmin. Deri në vitin 1902, Lenini shpërndante pamflete, që nxisnin dhe kërkonin aksion dhe revolucion.
Rrëzimi i Carit dhe ngritja e Leninit
Kthehemi pas në histori, në kurorëzimin e Carit Nikola II Romanoff. Kudo mbizotëronte ndjenja e revolucionit, që kish zënë rrënjë ndër vite dhe u intensifikua edhe më shumë nga mjerimi i njerëzve gjatë Luftës I Botërore. Në mars të vitit 1917, Cari u përmbys dhe një qeveri e përkohshme, e përbërë nga liberalët dhe të moderuarit, erdhi në pushtet, me premtime të mëdha por që mbijetoi vetëm 8 muaj. Nuk do të zgjaste shumë sepse në prill të 1917, Lenini u rikthye nga azili në Zvicër dhe mori kontrollin e qeverisë, duke rikthyer në pushtet bolshevikët, vetëm 6 muaj më vonë. Cari Nikola ndërkohë qëndronte i mbyllur prej muajsh, së bashku me familjen, në pallatin mbretëror në Shën Pjtërburg, në Rusi. Ai dhe familja e tij, u ekzekutuan më 17 korrik të vitit 1918.
Cari dhe familja e tij.
Vetëm në prill të vitit 1920, të burgosurit shpëtuan nga robëria e bolshevikëve. Greva e urisë pushtoi Rusinë nga vitet 1918 deri në vitin 1921, pasi Lenini, tashmë një nga njerëzit më të pushtetshëm të botës, aplikoi politikën e mirëmenduar të “komunizmit të luftës”, ku shteti merrte nën kontroll 100% të ekonomisë së vendit. Ndërkohë Rusia nisi luftën me Poloninë në vitin 1920.
Trotsky dhe Stalin
Leon Trotsky, një nga figurat më të rëndësishme të pushtetit bolshevik në Rusi, i dyti për nga rëndësia pas Leninit, duke hedhur edhe hapat më të hershëm të sundimit sovjetik, ishte themeluesi dhe frymëzuesi i asaj që ende sot njihet si “Ushtria e Kuqe”. Por ai humbi në luftën e egër për pushtet që pasoi vdekjen e Leninit dhe u vra teksa kërkonte azil në Meksikë në vitin 1940.
Lenini ndërroi jetë më 21 janar të vitit 1924. Deri në atë kohë, pushteti i Stalinit ishte rritur ndjeshëm dhe fill pas vdekjes së Leninit, ai erdhi në pushtet si lideri i bolshevikëve. Në atë kohë, ishte vetëm 45 vjeç. Deri në vitin 1930, Stalini, kishte eliminuar të gjithë opozitën dhe kundërshtarët e tij dhe u shndërrua në një nga udhëheqësit më të pasfidueshëm të Rusisë për 23 vitet që do të vijonin, për aq sado të kishte jetë.
Trotsky ndërkohë ishte emëruar Komisar për Ushtrisë dhe çështjet detare në janar të 1925. Mbetej njeri i besuar edhe i Stalinit. Bashkimi Sovjetik adoptoi një plan 5-vjeçar. Nisi kolektivizimi në sektorin e bujqësisë. Miliona fshatarë apo kulakë, siç pushtetarët u drejtoheshin, u eliminuan ndërsa pronat e tyre, u konfiskuan nga shteti.
Stalini synonte ta shndërronte Rusinë në një fuqi të madhe industriale dhe këtë donte ta realizonte përmes modernizimit të agrikulturës, në linjat socialiste dhe sipas planit 5-vjeçar. Tashmë Stalin e shihte veten në pushtet prej 17 vitesh.
19 nëntor, 1934 Franca kërkoi një traktat franko-sovjetik për ndihmë të ndërsjellë, një marrëveshje me Francës dhe Bashkimit Sovjetik, që synonte të frenonte Gjermaninë Naziste në vitin 1935, në mënyrë që të reduktonte kështu kërcënimin nga Europa Qendrore.
Në kulmin e revolucionit industrial, kur shteti synonte të kapte gjithçka, Stalini prezantoi në vitin 1936 atë që do të njihej si “Kushtetuta Stalin”, ku me urdhër të tij u vunë në skenë gjyqet më të mëdha të spastrimit, në të cilat shumica e bolshevikëve të vjetër, u akuzuan për tradhti dhe u dënuan. Kushdo që kishte bashkëpunuar me Trotskyn apo që në çfarëdolloj mënyrë, i kishte bërë opozitë Stalinit, u dënuan dhe u ekzekutuan. Bashkimi Sovjetik dhe nazistët gjermanë nënshkruan një pakt jo agresiv.
Lufta II Botërore
Gjermania pushtoi Poloninë më 1 shtator 1939, duke nxitur kështu Luftën e Dytë Botërore. Deri në 1940-ën, trupat sovjetike pushtuan Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, të cilat u inkorporuan në Bashkimin e Republikës Socialiste Sovjetike. Helsinki u bombardua nga avionët e sovjetikëve rusë. Lufta mori fund me Finlandën që i dorëzoi Republikës Socialiste Sovjetike territorin e saj.
Konflikti i kufirit sovjetiko-japonez u zhvillua mes viteve 1932-1939. Në qershor të vitit 1941 Gjermania pushtoi Bashkimin e Republikës Socialiste Sovjetike dhe deri në fund të po atij viti, pushtoi Bjellorusinë, shumicën e Ukrainës dhe e mbylli me Leningradin.
Rusia nisi ndaj gjermanëve, luftën e dimrit. Deri në 1943, ushtarët gjermanë dështuan të pushtojnë Stalingradin. Trupat sovjetike nisën një ofensivë të përgjithshme, e cila kulmoi me zaptimin e Berlinit në maj të 1945-s. Më 8 maj 1945, lufta në Europë mori fund, pas 5 vitesh konflikt që solli veç vdekje dhe shkatërrim, të pakrahasueshëm në historinë e tij. Si triumfues, anglo-amerikanët dhe aleatët e tyre nga perëndimi dhe sovjetikët nga lindja, parakaluan përmes Gjermanisë.
Churchill, Roosevelt dhe Stalin në Jaltë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Sovjetik u takuan për Konferencën e Jaltës në shkurt të vitit 1945, për të diskutuar riorganizimin e Berlinit dhe Europës, fill pas luftës. Jalta ishte konferenca e dytë, nga tre të tilla të organizuara në kohën e luftës dhe pas saj, mes atyre që konsideroheshin si “Tre të mëdhenjtë”, tre liderët: Presidenti Franklin D. Roosevelt, kryeministri Winston Churchill dhe Stalini. E para u mbajt në nëntor të 1943 dhe njihet si Konferenca e Teheranit dhe e fundit ishte Konferenca e Potsdamit në korrik të ’45.
Mposhtja finale e Gjermanisë u njoh zyrtarisht në një ceremoni të posaçme më 8 maj 1945, në Reims të Francës, një qytet i vogël në verilindje të Francës. Dokumentet e dorëzimit pa kushte, u ratifikuan më pas në një ceremoninë Berlin. Atje, Gjermania u përfaqësua nga Marshalli Keitel dhe Admirali Von Freideberg ndërsa aleatët u përfaqësuan nga marshalli ajror Sir Arthur Tedder i Britanisë dhe Marshalli Georgi Zhukov i Rusisë. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Franca, që vepronin në emër të aleatëve të Luftës së Dytë Botërore, firmosën Deklaratën e Berlinit më 5 qershor 1945 dhe u bashkuan në “Autoritetin Suprem” mbi territorin gjerman dhe pohuan legjitimitetin e vendimmarrjes së tyre të përbashkët për çështje që kishin të bënin me administratën dhe kufijtë. Komandantët u takuan në Berlin për të zgjidhur çështjen e kufijve pas pushtimit.
“Tre të mëdhenjtë”, pra tre liderët e mëdhenj, vendosën në konferencën e Jaltës se Gjermania dhe Berlini kësisoj, do të copëtoheshin në zona të ndara dhe ato do të administroheshin nga fuqitë aleate, deri në firmosjen e një marrëveshjeje paqeje. Vetë Berlini do të ishte pjesë e zonës ruse por do të pushtohej bashkërisht nga aleatët, secili prej të cilëve do të kishte nga një sektor të qytetit.
Konferenca e Potsdamit, i fundit takim historik mes liderëve të fuqive aleate në Luftën e Dytë Botërore, nisi më 17 korrik 1945. Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan nga Presidenti Harry Truman, i cili kishte marrë detyrën vetëm 3 muaj më parë, pas vdekjes së Franklin Roosevelt. Marshall Stalini përfaqësoi Bashkimin Sovjetik, ish-kryeministri Ëinston Churchill përfaqësonte sërish Britaninë, së paku për pjesën e parë të konferencës.
Ndarja e Berlinit pas Luftës II Botërore
Komunikata e lëshuar më 2 gusht, i dedikohej kryesisht 8 parimeve për administratën e Gjermanisë, gjatë periudhës fillestare të pushtimit të 4 fuqive. Në fund të Luftës II Botërore, Berlini u izolua brenda Gjermanisë së pushtuar. Qyteti u vu nën kontroll të 4 fuqive të mëdha por marrëveshja u shkatërrua dhe autoritetet sovjetike vendosën një bllokim të importeve për ushqim dhe për energji elektrike ndaj këtyre sektorëve amerikanë, britanikë dhe francezë. Lidhja e rrugëve, shërbimi hekurudhor si dhe transporti i ujit mes qytetit të Berlinit dhe Gjermanisë Perëndimore u ndërprenë totalisht. Dritat ikën në këtë pjesë dhe fabrikat u mbyllën të gjitha. Kishte ushqim mjaftueshëm vetëm për 36 ditë dhe mjaftueshëm qymyrgur për vetëm 45 ditë. Situata ishte në pikën më kritike dhe aleatët vendosën që të shfrytëzojnë rrugën e vetme, ajo ajrore, për të dërguar ndihmat drejt Berlinit Perëndimor dhe 2milionë banorëve të tij.
Winston Churchill foli përpara popullit amerikan, nga Westminster College, në Misuri të Shteteve të Bashkuara, ku tha se tashmë në mbarë Europën është vendosur një “Perde Hekuri”.
“Një hije ka rënë së fundmi mbi skenën e lehtësuar e të ndriçuar nga fitorja e aleatëve. Askush nuk e di se çfarë Rusia Sovjetike dhe organizatat ndërkombëtare komuniste synojnë të bëjnë për të ardhmen e afërt apo cilat janë limitet e këtyre tendencave ekspansive. Nga Balltiku deri në Adriatik, një perde e hekurt është vendosur përqark kontinentit. Pas kësaj perde, shtrihen të gjitha kryeqytetet antike të Europës qendrore dhe lindore”, do të thoshte Kryeministri i atëhershëm britanik.
Lufta e Ftohtë dhe “bërthamore”
Shtetet e Bashkuara realizuan testin e bombës së parë bërthamore më 16 korrik 1945. Bashkimi Sovjetik shpërtheu pajisjen e saj të parë atomike, të quajtur RDS-1 apo “Ndriçimi i parë” në Semipalatinsk më 2 gusht 1949, duke nxitur kështu një tjetër luftë të frikshme, atë të garës për armatime nukleare.
Nddërkohë, komunizmi u shpërnda në Kinë. Mao Ce Dun fuqizoi menjëherë pushtetin e tij dhe e shpalli Kinën, Republikë Popullore më 1 tetor 1949. Marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik u përkeqësuan edhe më shumë me nisjen e Luftës Koreane.
Vdekja e Stalinit
Joseph Stalin u nda nga jeta në 5 mars 1953. Ai u zëvendësua menjëherë nga Georgi Malenkov si Kryeministër dhe Nikita Khrushchev si Sekretar i Parë. Stalini u nderua sipas zakonit, me një funeral shtetëror dhe trupi i tij u vendos në atë që ende sot njihet si Mauzoleumi i Leninit më 9 mars, pas 4 ditësh kortezh e nderime. Më 1 nëntor 1952, Shtetet e Bashkuara shpërthyen bombën e tyre të parë H, një armë termo-nukleare. Kjo nxiti Bashkimin Sovjetik, i cili 3 vjet më pas, realizoi me sukses shpërthimin e radhës më 22 nëntor 1955. Trupat sovjetike ndihmuan në shtypjen e protestave anti-komuniste në Hungari në vitin 1956.
Po atë vit, Nikita Khrushchev mbajti një fjalim sekret në Kongresin e 20 të Partisë Komuniste, ku denonconte fuqimisht regjimin diktatorial të Stalinit. Në fjalimin e quajtur “Në kultin e personalitetit dhe pasojave të tij” ai kritikoi hapur Stalinin dhe Stalinizmin, kryesisht atë që u njoh si “Spastrimi i madh” i Bashkimit Sovjetik, që zgjati plot 2 vjet, nga viti 1936 deri në 1938.
Më 4 tetor 1957, rusët lëshuan satelitin e tyre të parë artificial “Sputnik 1” në orbitë të ulët. Po atë vit, u organizua Konferenca e Moskës. Lideri i komunistëve kinezë, Mao Ce Dun dhe Sekretari i Parë i Bashkimit Sovjetik, Nikita Khrushchev, nënshkruan një manifest paqeje. Gjithsesi, viti 1957 shënon nisjen e mosmarrëveshjeve mes Indisë dhe Kubës. Në nisje të 1956, sovjetikët nisën të ndjenin hapat e parë të politikës de-stalinizuese të Khrushchevit nga BRSS, siç njihej, apo Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Dhe në nisje të saj, u mundua të transformohet e gjithë ideologjia, nga përballja e Stalinit në Perëndim në bashkë-ekzistencën e Khrushchev-it me perëndimin, duke u shndërruar kështu në një problem ideologjik për Mao Ce Dunin.
Khrushchev u emërua kryeministër si kreu i Partisë Komuniste në vitet 1958-1964. Më 1 maj të vitit 1960, një avion spiun amerikan U-2 u qëllua nga Forcat sovjetike të mbrojtjes, teksa po kryente një mision brenda territorit sovjetik. 12. Më 17 gusht 1960, agjencia sovjetike e lajmeve TASS pretendoi se Francis Gary Poëers, piloti 31-vjeçar i avionit amerikan U-2 që u qëllua në Rusi në fillim të majit, ishte vetëshpallur fajtor. “Piloti, që po përballet në gjyq me akuzën e ngritur nga ushtria e Moskës, për spiunazh, pranoi se ai ka fluturuar mbi territorin sovjetik dhe ka fotografuar disa pika, që ishin shënjuar në hartën e tij. Më 19 gusht, 1960, Poëers u shpall fajtor për spiunazh. Më 10 shkurt, 1962, Francis Gary Poëers u shkëmbye, bashkë me studentin amerikan Frederic Pryor, në urën Glienicke në Berlin.
Shkëmbimi u bë super-mediatik. Piloti dhe studenti u shkëmbyen me kolonelin e KGB sovjetike William Fisher, të njohur si “Rudolf Abel”, i cili ishte kapur nga FBI amerikane dhe ishte dënuar dhe burgosur, edhe ai nën akuzën e spiunazhit.
Udhëtimi i parë në hapësirë
Juri Gagarin, një pilot 27-vjeçar, në bordin e anijes kozmike “Vostok 3KA-3” udhëtoi në hapësirë, duke u shndërruar në të parin njeri në botë që e realizoi atë, i pari që përshkoi orbitën e tokës, një nga fitoret më të mëdha kjo e Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Fluturimi i tij zgjati 108 minuta, pasi qarkulloi tokën për pak më shumë se një orbitë. Khametovich Nureyev, I vlerësuar si një nga artistët, një nga balerinët më të mëdhenj klasikë të të gjitha kohërave, u shndërrua në të parin tradhtar të sovjetikëve gjatë luftës së ftohtë në 1961.
Muri i Berlinit
Në orët e para të 13 gushtit 1961, mijëra trupa të Gjermanisë Lindore, me tanke dhe armë të rënda, u pozicionuan në anë të rrugës në Berlinin lindor, shumë pranë kufirit me Berlinin perëndimor. Në të gdhirë, ushtarët u panë teksa pastronin sipërfaqet në rrugë, duke gërmuar për nënkalime e duke vendosur barriera me tela me gjemba, përgjatë kufirit 25 milje të gjatë, që ndante Berlinin.
Kriza kubane e raketave
Bashkimi Sovjetik festoi 44-vjetorin e Revolucionit të tetorit, me një paradë të jashtëzakonshme ushtarake, në sheshin e kuq të Moskës, më 7 nëntor 1961. Njeriu nuk ishte kurrë më pranë luftës nukleare sesa gjysmën e tetorit të vitit 1962, periudhë e cila njihet si “Kriza kubane e raketave”. Rreziku i një konflikti nuklear mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik u rrit edhe më shumë më 22 tetor, kur presidenti amerikan John Kennedy shpalli karantikën për të gjitha anijet komuniste që transportonin armë në Kubë.
Por rreziku, për të gjithë botën, nuk u zbeh deri më 2 nëntor, pra pas 2 javësh, kur Presidenti Kennedy njoftoi se lideri sovjetik Nikita Khrushchev ishte dakordësuar se do të çmontonte vend-mbajtëset e raketave në Kubë dhe do t’i hiqte prej andej armatimet. Përballja e Presidentit Kennedy me këtë krizë është konsideruar si një pikat më të larta të karrierës së tij për 1 mijë ditët e qëndrimit në zyrë, në Shtëpinë e Bardhë. “Raketat sovjetike, me bazë në Kubë, do të çmontohen, të gjitha armët dhe pajisjet ushtarake do të largohen, të gjitha instalacionet fikse në këtë territor do të shkatërrohen”, do të thoshte ai.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik dhe Britania firmosën një marrëveshje që ndalonte të gjitha testet nukleare, me përjashtim të atyre nën tokë. Marrëveshja u nënshkrua formalisht në Kremlin, nga Sekretari Amerikan i Shtetit David Dean Rusk, ministri Sovjetik për marrëdhëniet me jashtë Andrei Gromyko dhe Sekretari i Jashtëm britanik Lord Alec Douglas-Home.
Doktrina Breshnev
Khrushchev dha dorëheqjen më 14 tetor 1964, si Sekretar i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike dhe si Kryeministër i Bashkimit Sovjetik. Leonid Brezhnev u emërua si pasues i tij në krye të partisë ndërsa Alexei Kosygin u zgjodh Kryeministër. Liderët e Çekosllovakisë së re u ulën në bisedime me aleatët kritike të sovjetikëve, në qytetin e vogël të Ciernas, në kufirin mes Çekosllovakisë dhe Bashkimit Sovjetik më 29 korrik 1968. Lideri i partisë dhe drejtuesi i Presidiumit të Partisë Komuniste ceke Alexander Dubcek dhe sekretari Partisë Komuniste sovjetike Leonid Brezhnev erdhën të dy me tren. Por ndërsa liderët e të dy vendeve mbërritën për takimin e pritur gjatë, atje u ngrit kërcënimi i ndërhyrjes sovjetike në Çekosllovaki, nga Gjermania Lindore, Polonia dhe Bashkimi Sovjetik.
Trupat sovjetike forcuan pozicionin e tyre në Pragë më 25 gusht1968. Bashkimi Sovjetik, Bullgaria, Polonia dhe Hungaria pushtuan Çekosllovakinë më 20 gusht 1968. “Doktrina Brezhnjev” i dha vendeve komuniste të drejtën për të ndërhyrë në shtetet e tjera komuniste, politikat e të cilave kishin kërcënuar lëvizjen komuniste. Në bitin 1969, trupat sovjetike dhe kineze u përplasën në kufi, për 7 muaj, në një konflikt ushtarak jozyrtar. Me kalimin e viteve, Brezhnev do të fuqizohej edhe më shumë, si kreu i shtetit dhe Sekretar i Përgjithshëm i komitetit qendror. Mandate i tij zgjati për 18 vite, i dyti më jetë-gjatë, pas Stalinit… (A2)