Reforma në drejtësi i ka dhënë atmosferës politike të vendit një situatë tejet ambigue, ose siç thuhet në popull një gjendje “as mish, as peshk”. E mbingarkuar prej një demagogjie politike e retorike antiperëndimore, gjoja në emër të sovranitetit të vendit, aspak në të mirë të interesave të qytetarit shqiptar brenda dhe jashtë atdheut. Ky rebus politik që po e trondit edhe faktorin ndërkombëtar, i cili me durim e me shumë lutje e garanci, do që ta shkëpusë fatin e popullit shqiptar nga fati i politikanëve të tij të papërgjegjshëm dhe që kanë probleme me drejtësinë të mbërthyer nga ethet e krimit dhe korrupsionit. Të jesh anëtar i një familjeje të madhe si BE-ja është natyrisht edhe përfitim dhe detyrim e nga kjo rrjedhin edhe disa contribute, si ligjore edhe sigurie, po ashtu edhe financiare. Por kur një shteti si Shqipëria të drejtat e detyrimet i janë vënë para tavolinës e shkruajtur e zeza mbi të bardhë edhe për reformën në drejtësi çfarë presin parlamentarët shqiptarë? A dimë ne një vend ose ndonjë fenomen politik si në Shqipëri, ku kanë ardhur brenda një viti me dhjetëra autoritete të larta amerikane dhe europiane për të na afruar në një pakt (besë) perëndimor për të mirën e popullit shqiptar, një paketë ligjore për reformën në drejtësi. Për të gjithë ata që e njohin pak historinë politike të Shqipërisë, kjo vonesë e politikës shqiptare për t’i thënë po reformës në drejtësi ka një përgjigje. Këta kundërshtarë të reformës në drejtësi, ndryshe nga Ismail Qemali dhe firmëtarët e pavarësisë, apo dhe ndryshe nga parlamentarët e vitit 1920, të cilët përkarahën qëndrimet e Kongresit të Lushnjës, janë sot nën lartësinë e kohës më të paragjykuar se trafikantët e votave, me një poker politik për të marrë sa më shumë konçesione politike nga mazhoranca në pushtet në dëm të interesave kombëtare e sikur thuhet dhe në librin e Eqerem Bej Vlorës edhe për protogonizmin personal të shqiptarit. (shembulli kur dy barinj u zunë dhe e thirrën për pajtim Ismail Qemalin e ju lutën atij që nëse ne pajtohemi, po e merr vesh edhe telegrafi i Evropit). Sovranistët më të mëdhenj të këtij kombi siç edhe lexohet në BISEDIMET E KËSHILLIT KOMBËTAR “SENAT” LEGJISLATUR E PARË- Çilja e parë “KËSHILLIT KOMBTAR” më 27”III”920 ishin anëtarët e këtij parlamenti dhe Këshilli i Naltë.
Në fjalën e parë të këtij parlamenti Shqipërija ishte e mirëpërcaktuar në politikën e saj pro perëndimore, aq kthjellët e me patriotizëm, sa dikush që ka ëndje ta lexojë atë hapje të punimeve e kupton largpamësinë poltike të atyre burrave sikur të ish shkruajtur për 200 vjetët e ardhshëm të Shqipërisë politike.
“Të ndershmit Këshilltar të Kombit,
Zotnij!
Në Kongres të Lushnjës qi u-çel më 21 Kallnuer 1920, ishte vendos që Këshilli Kombtar të çelej më 15 të këtij muejit. Jemi shumë fatbardhë qi sot ndodhemi në të parit Parlamentit Kombëtar. Kurrë u çpallë vetqeverimi i Shqipnisë më 28 Nanduer 1912 në Vlonë ishte vendosë mbledhja e nji Senatit, por nuk u mblodh, më 25.X.1918: përsëri në mbledhjen e Durrsit ishte vendos mbledhja e një Senatit të fortë, por edhe ky nuk u mblodh. Prandaj jeta e Parlamentare e Shqipnisë, fillon me Zotninë tuej.
Kombi Shqiptar, këtë rradhë e rrëfeu plotësisht që kishte arrirë në një shkallë përparimi e qytetërimi ma shumë të naltë nga ajo qi kujtojshin ata që nuk e njifshin mirë Shqipninën.
Kongresi i Lushnjës me veprat e tija patriotike e çpalli se, ideali Kombëtar asht bashkimi e jo nji lojë për persona. Qëllimi Kombëtar, asht indipendenca e plotë dhe mprojtja e Atdheut. Me fqinjt t’anë Jugosllavët e Grekët, kemi dëshirë të plotë me rrojtë në armoni miqsore. Kemi shpresë të madhe se, edhe fqinjt t’anë kanë me i njoft të drejtat t’ona etnike e jetike. Shpresojmë se Italia tue e marrë para syesh vullnetin e përbashkët të Kombit Shqiptar do të ndryshojë politikën që ka pasun deri tash mbi çashtjen Shqiptare dhe do të bëhet edhe ajo anëtarja e indipendencës dhe integritetit të plotë të Shqipnisë, dhe kështu së bashku dhe Ingliterra e Franca që janë rrëfyer gjithmonë mbrojtës për lirinë e popujve të vogël, kanë me qenë mirdashës për çashtjen t’onë Kombëtare. Në këtë çast istorik e shohim si nji detyrë të nderit të kutojmë me falenderime të posaçme ndërmjetësinë njerëzore dhe drejtësore qi po ban i Nalti dhe I Shkëlqyeri Presidenti i Sh.B t’Amerikës Zoti Ëillson tue përfaqësuar kombin e math t’Amerikës, këjo mirësie nuk ashtë për t’u harrue kurrë nga ana Kombit Shqiptar, jemi fare të sigurtë qi kombi i naltë i Amerikës që ka shpallë parimet e njerëzimit e të Drejtësisës edhe të tanë kërkimet e drejta Kombtare t’ona do të jetë një ndihmës i fortë. Përpara gjith njerëzimit të qytetnuem, Shqipnia paraqitet në kët lutje: Drejtësi kërkojmë dhe e drejta do të na epet.”
Ky fjalim kaq parimor i kristalt si uji i bjeshkëve të Shqipërisë dhe i vërtetë si drita e diellit në gojën e parlamentit të parë shqiptar mbaron me fjalën drejtësi. Drejtësi u kërkonim të tjerëve për të drejtat tona të mohuara e sot gjendemi në plazmën e kësaj fjalie për drejtësinë e shqiptarëve për shqiptarët. Ky parlament i viteve 1920 siç dihet u ndesh me poltikën dhe diplomacinë në mbrojtje të Shkodrës në Veri të Shqipërisë e të Gjirokastrës në Jug, po edhe në polemikë me Italinë për çështjen e Vlorës. Ky parlament me fajlimet e shkëlqyera të Hil Mosit e Sejfi Vllamasit e Qazim Koculit u kërkoi llogari Ministrit të Jashtëm e Kryeministrit të kohës, se si përfaqësohej çështja shqiptare në Konferencën e Paqes. Moment prekës është fjalimi i Senatorit të Vlorës Z. Spiro Koleka, i cili në fjalën e tij hyrëse shprehet tejet i hidhëruar që dy pjesë të Shqipërisë Kosova e Çamërija nuk përfaqësohen në kët Këshillën Kombtare e dëshiron që ky hidhërim të shfaqet prej të gjithëve e të mbahet proces-verbal. Për një lutje të Osman Balit të cilën e kish shkruar në gjuhën turke parlamenti ja përcolli sekretarisë e cila duhet ta përkthente në gjuhën shqipe e më pas ta merrte në shqyrtim. Po në sa e sa fjalime u morën masa për gjendjen e rendit publik dhe drejtësisë të mbajtura nga ky parlament. Shtroheshin probleme të tilla se nuk kishte shkolla e specialistë për xhandamëri apo drejtësia duhej të aplikonte ligje perëndimore e sa më parë të vinin specialistë nga Amerika edhe Evropa për organizimin e sistemit gjyqësor. Kjo rendje për ta parë foltoren parlamentit si një organizëm ligjbërës është ku e ku sa vite larg nga termi që përdoret sot “Ligjvënës”. Ti kërkoje llogari Ministrit të Financave nuk ishte kollaj e ky fenomen u zgjidh duke i dhënë status Këshillit Kombëtar e më pas morën rrugë taksat për bagëtinë në veri të vendit e taksa për kripën e gjithashtu taksat për alkolin që vinte nga jashtë. I takoi këtij këtij parlamenti që të kërkonte llogari nëpërmjet fjalimit të Fazlli Frashërit për “Kastoldin”, të ashtuquajturin Komisioner të Lartë i cili bënte një politikë antishqiptare në Shkodër, Durrës e Vlorë, pa marrë mandatin nga parlamenti shqiptar. Aq i rëndësishëm u bë ky parlament në themelet e shtetit shqiptar, sa autorizoi Qeverinë të negocionte për një borxh financiar me ndërmjetësinë e shqiptarëve të Amerikës. Fakti që ky parlament reagoi me një zë ndaj veprimeve propaganduese të një përfaqësuesi të lartë të xhonturqëve me emrin Vebi, duke thirrur në interpelancë Ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm , se a kishin dijeni ata për arrdhjen e këtij politikani dhe pse nuk e kishin ndaluar qysh kur shkeli këmba e tij në Shqipëri. Në këtë parlament lexohen me emocion të lartë letrat e Z. Turtulli dhe Imzot Bumçi, të cilët kishin përfaqësuar çështjen shqiptare në parlamentin anglez me fakte e argumenta të vërteta e me dokumenta të pakontestueshme përkundrejt të gjitha shpifjeve të armiqve të çështjes shqiptare. Shkruhet në origjinal emri i AHMED BEJ ZOGU, por është fjalimi i tij shumë sinjifikativ. Zogu ndër të tjera merr fjalën, kur thotë se qeverrija kurdoherë është e popullit edhe do të punojë mbas dëshirës së tij, sepse qeverrija sot nuk ka një Xhandamari të organizuar e të gjithë shpresën e vetë e ka në popull. Krijimi i ministrive të Tregëtisë dhe të Bujqësisë është një nga diskutimet më me vlerë të këtij parlamenti. Palët ndahen mes dy opinioneve për organizimin e ministrive të bujqësisë dhe asaj të tregëtisë. Z. Arqemandriti e quan të parakohshme krijimin e këtyre ministrive, sepse nuk kemi buxhet dhe na duhen njerëz të shkolluar. Po ashtu edhe Ramiz Daci nuk e shikon të arsyeshme ngritjen e këtyre ministrive. Për Kol Thaçin përfaqësuesin e Shkodrës e Sejfi Vllamasin janë të mendimit për krijimin e këtyre ministrive si baza ekonomike e Shqipërisë. Është detyrë parësore e duke marrë si model zhvillimin e bujqësisë në Greqi e cila siç del nga diskutimet ishte organizuar nga specialistët e huaj me përvojë perëndimore. Këtij parlamenti i ra barra për tu marrë me refugjatët shqiptarë dhe popullsinë e krahinës së Dibrës të shpërngulur në Shqipërinë e Mesme. Problemi i një shkolle shqiptare janë nga diskutimet më të vyera të Hil Mosit. E do të gjente një hapësirë kohore në këtë parlament me halle shumë edhe diskutimi për një vëmendje më të madhe për familjet e njërëzve të shquar të këtij kombi. Ja si shprehen ata në rastin e dhënies së pensionit për familjen e Ismail Qemalit. Z. Beqir Rusi thotë se populli shqiptar nuk duhet të harrojë mirësitë që i kanë bërë Z. Ismail Qemali, bej Vlora, kombit i cili ka qenë i vetmi që u hodh ndër rreziqe për të realizuar qëllimin kombëtar me ngritjen e flamurit dhe shpalli Shqipërinë e Pavarur. Duke i pas vlejtur kombit ky njeri kaq shumë sot është turp për këtë komb që fëmija i tija të mbetet rrugëve pa asnjë lloj ndihme. Qeverija thotë që i kemi caktue një pension prej 200 Lt në muaj e kjo ndihmë nuk shkoj shumë kohë edhe ju dhanë 25500 Lt. Me hidhërim të madh ju them se njëri nga djetë e tij Z. Mahmud Bej ka vdekur në Itali dhe fëmijët e tij kanë mbetur rrugëve e si mundet të durohet kjo? Ai pyet për fëmijët e dëshmorit Themistokli Gërmenjit, çfarë masash janë marrë nga ana e qeverisë për ushqimin e tyre, si këta thotë ka edhe shumë të tjerë që i duhet siguruar një jetesë normale. Z. Irfan Bej Ohri shprehet se qeverija duhet të krijojë një arkë pensioni për të mirën e fëmijëve të atyre nënpunësve dhe oficerëve dhe ushtarëve të cilët janë vrarë ndër luftra për shpëtimin e atdheut . Interes të veçantë tregon parlamenti kur kryetari Xhemal Naipi hap bisedimet për çështjen e Avni Rustemit nëse duhet të dërgohet një letër lutjeje faljeje nga ana e parlamentit shqiptar në drejtim të parlamentit të Francës. Në përfundim të diskutimit u pa e udhës kjo detyrë ti caktohej qeverisë.
Këta parlamentarë si shumica e parlamentarëve të sotëm me qëndrimet e tyre të mëvonshme kanë hyrë në memorjen historike të popullit shqiptar herë me shkëlqimin e ngjyrës së arit e herë me ngjyrën grit të harresës e deri tek ngjyra e zezë e tradhtarit. Kanë pasur mes tyre bashkëpunëtor të shërbimeve të huaja e ca më keq kaq e aq të pushkatuar apo të vrarë me aksidente e helmime…Atentatet mes parlamentit janë histori e përsëritur. Gurgullimet me fjalorin e tyre me lloj-lloj sharjesh s’ka profesor gjuhësie dhe psikologjie që t’i studiojë sjelljet e tyre. Ritmet e pulsit politik në parlamentin tonë janë si të një njeriu me sjellje haluçinante, herë të qeta, sa herë votohet për rrogat e privilegjet e parlamentarëve e herë të egra më keq se kafshët në kopshtin zoologjik, sa herë prishet pazari për shitjen e votës e herë kur flirtohet në emër të të hyrit armikut në shalë të deputeteve e herë kur e porositin vetë opozitarin që të shahen sa herë ka seancë parlamentare me transmetim televiziv direkt nga salla. Kujtime e libra me histori nga veprimtaria e parlamentarëve shqiptarë janë shkruajtur e do të shkruhen shumë, disa do i zbukurojnë ca fenomene e personazhe sikur pa ata Shqipëria nuk do të ekzistonte. Sa e sa ditë e netë pa gjumë për hallet e këtij populli kanë ndenjur këta baballarë të kombit. Dikur në diktaturë deputetët i caktonte Partia, por ata përfaqësonin edhe druvarin edhe shkencëtarin, edhe puçistin edhe artistin, dhe ekzekutorin e grupeve armiqësore edhe mjelësen e lopëve, ndaj dhe sot emrat e deputetëve të asaj kohe janë aq pak në memorjen e popullit, sa të kujtosh nja katër çifte burrë-grua, apo kunetër e baxhanak e nja dy – tre gra që i kanë kaluar 4 legjislatura bëhen gjithsej me deputetin Haxhi Lleshi apo Hetem Borhani nja 25 vetë. Ja po rikujtojmë edhe Adil Çarçanin e famshëm për thënien: “Na more ti që bëre dekllaratën dale, dale të marc përgjigje”. Pa haruar Abdi Baletën me një amplitudë të lartë debatuese, sidomos për çështjen kombëtare dhe replikuesit Ruçi, Dokle, Spahija dhe Shehi, Memija Çela, Abdiu e Arbnori. Cilin nga emrat e parlamentarëve nuk do të harrojmë këtu, B. Faskon, deputetin e famshëm të Fierit a mund ta harrojmë, çdo shkrues i përkorë do të dështonte. Si mund të harrojmë Ish – Kryetaren e Kuvendit Zj. Topalli, e cila herë dukej si kandidate për President e herë e habitur që kish arritur në atë post, tash asaj i ka humbur vula në partinë e saj. E di që nuk do ta harroni atë që e ka futur median shqiptare në punë me ca perceptime gati çmëndurake sa majtas e djathtas, gjoja si Sovranisti e Banditi, po gjithçka që do të ndodhë pas 21 korrikut, ai do t’i ngjajë personazhit, tek filmi “Duel i Heshtur”, të Kapter Ramiut, i cili u luajt me mjeshtri nga aktori i mirënjohur Ndrek Luca, e do të bërtasë andej nga plazhet e parisë së Tiranës tek Gjiri i Lalëzit: “Po kjo ishte loja hahaha”. Ndërsa ata analistët, pse jo dhe pblogistët e facebooksit do ishin bërë pishman pa i bërë një pyetje vetes, se pse perëndimi nuk i shiti ata parlamentarë të cilët ishin kundër reformës për drejtësi e mos të ishin kthyer në ca tifozë pro e antiperëndimorë foshnjarakë të keqpërdorur si kryeparlamentari. /Javanews/ Përgatiti: Kastriot Kotoni