Nga Moikom Zeqo
Një dashuri dhe tragjedi tronditëse e princit arbënor Tanush Topia me princeshën franceze Helena Anzhu.
Kulti i Sharlëmanjit, Karlit te Madh, të Francës në Arbëri dhe mburrja disa princave arbërorë se ishin me gjak francez
Mesjeta shqiptare është klasifikuar nga Shuflaj si një mesjetë e shkëlqyer me një status evropian të mirëfilltë. Kjo mesjetë ka përfaqësues emra të çuditshëm protagonistësh historikë.
Mua më vjen keq që periudha paraskënderbegiane është ende shumë pak e studiuar. Për epokën e Skënderbeut dua të përshëndes librin “Skënderbeu” të historianit me nivel evropian, prof. Kristo Frashëri, që është një kontribut substancial për skënderbeologjinë. Duke rilexuar Marin Barletin, këtë kryehumanist shqiptar, kam bërë të prekshme në vetëdijen time disa të dhëna të habitshme për një grua, një personazh historik, që lidhet me mesjetën shqiptare.
Marin Barleti në librin e dhjetë të kryeveprës së vet për Skënderbeun shënon konkretisht: “Në mbretërinë e Napolit, në kohën kur Katedrën dhe fronin e Shën Pjetrit e drejtonte Papa Urbani VI, ishte mbretëreshë Joana I me kombësi epirote (shqiptare) dhe me atdhe Durrësin.
Kjo mbante anën e pseudopapës Klement, i cili ishte zgjedhur në detyrën supreme priftërore as me mënyrë katolike, as sipas zakonit (nga ku lindi dhe skizma shumë e madhe në kishën e Perëndisë) dhe e përkrahte atë fort. Prandaj, Urbani thirri për ndihmë kundër saj mbretin e Hungarisë, Karlin, i cili u hodh në Itali me një ushtri shumë të fuqishme dhe e la Joanën pa mbretëri dhe pa jetë. Pas kësaj thonë se Karli, pasi fuqizoi dhe e forcoi këtë mbretëri (të Napolit), me anë të autoritetit apostolik, sapo u kthye në Hungari vdiq i helmatisur. Vendin e tij e zuri i biri Vladislav i dëgjuar dhe trim në luftë”.
***
Kush është Joana, e cila në dokumentet historike mbiquhet si Joana e Durrësit?
Joana ka jetuar dhe mbretëruar në vitet 1343-1382. Në histori ajo njihet si Joana e Durrësit, por ka sunduar në qytetin e Napolit.
Ajo ishte aq e fuqishme, sa përkrahte pseudopapën Klementi VII, që apostoloi në vitet 1378 deri në 1394, që përkrahej nga anzhuinët francezë dhe qe kundërshtar i papës së Romës Urbani VI, i cili ka apostoluar në vitet 1378-1389.
Kjo kundërvënie në rrafsh evropian qe plot kontradikta dhe përpjekje, intriga dhe luftëra të mëdha.
Barleti, deri më sot është i vetmi historian që e cilëson Joanën e Durrësit me kombësi epirote, pra shqiptare, dhe thotë se ka pasur atdhe Durrësin, pra Durrësi është vendlindja e prindërve ose dhe e vetë asaj.
Marin Barleti e vazhdon historinë e pasardhësve të Joanës në disa hulli. Por, unë nuk dua të zgjatem në këtë aspekt.
Është interesant që mbreti Vladislav, i quajtur dhe si Lancilak, vdiq mbas 29 vjetësh në mbretërinë e Apolisë në Itali pa lënë fëmijë dhe fronin e tij e zuri e motra, e cila gjithashtu quhej Joana.
Kjo Joanë, u martua me Jakov Piceninin, kont dhe kondotier, i cili me të vëllanë e tij Franciskon, ishte në shërbim të anzhuinëve kundër mbretit Ferdinand të Napolit, e ky i fundit mik i Skënderbeut. Është ky Jakov Picenini, që u thye nga ushtria e Skënderbeut, gjatë ekspeditës së kryetrimit shqiptar në Itali më 18 gusht 1462. Barleti flet gjerësisht për Ferdinandin dhe Alfonsin e Napolit, që qenë mbretër dhe aleatë strategjikë të Skënderbeut.
Po ç’dimë më tepër për Joanën I, të ashtuquajtur të Durrësit, mbretëreshë të Napolit në shek. XIV?
Është Milan Shuflaj medievelisti më i shquar në historinë e kombit shqiptar, i cili thotë se në vitin 1372 Ludoviku i Navarës, i shoqi i Joanës durrsake, bëri një kontratë me prijësin francez, grofin e Coucyt “për pushtimin e gjithë Shqipërisë”.
Ishte fjala për një kontratë, që nëse do të pushtoheshin fshatra, qytete dhe kështjellat e Shqipërisë, atëherë do të sanksionoheshin disa të drejta juridike për situatën e krijuar politike në atë që quhej Mbretëria e Shqipërisë.
Ky projekt ka një interes të veçantë, sepse kërkon të rikrijojë edhe një herë të ashtuquajturën “Regnum Albaniae” të Karlit I Anzhu, i cili më 1272 krijoi Mbretërinë e Shqipërisë si një funksion të shtrirjes së pushtetit anzhuin në të gjitha territoret bizantine, sidomos në gadishullin ballkanik.
Ludoviku i Navarrës mund të ketë qenë i ndikuar nga e shoqja e tij Joana e Durrësit, që pikërisht sulmin kryesor ta realizonte në qytetin e Durrësit.
Kjo tregon tërthorazi pse Joana e nxiste Ludovikun e Navarës për këtë aksion.
Joana përkrahej nga anzhuinët francezë.
Roli i anzhuinëve francezë në historinë mesjetare shqiptare është mjaft i madh.
Dihet se princi shqiptar Karl Topia, po i shekullit XIV, ishte një fëmijë i lindur nga një baba shqiptar dhe nga një nënë anzhuine franceze.
Historia e Karl Topisë të kujton ngjarjet e romaneve kalorsiake, ose të romanit gotik a pikaresk.
Konti i Durrësit, Tanush Topia, bëri një aventurë të pabesueshme.
Ai rrëmbeu Helenën, vajzën e Robert I Anzhu. Helena po vinte me një anije nga Italia sepse do të martohej, me një kontratë politike, me një princ bizantin.
Anija ndaloi në brigjet e Durrësit. Në këtë pushim, befas Tanush Topia e pa Helenën dhe u dashurua marrëzisht me të.
Por, është e vërtetë që edhe Helena u dashurua menjëherë me Tanushin.
Tanushi e rrëmbeu Helenën dhe u martua me të. Helena ishte bionde, një bukuroshe e hajthme dhe e vendosur nga krahina e anzhusë në Francë.
I dërguari i mbretit anzhuin në Durrës më kot e kërcënoi në emër të Robert I Anzhu, që Helena t’i bindej të atit dhe të mos e bënte këtë marrëzi. Helena nuk u bind.
Pas një viti lindi një djalë, fryt i kësaj dashurie të parrëfyer.
E ëma ia vuri emrin Karli në kujtim të gjyshit të saj Karli I, mbret i Napolit dhe Sicilisë, që ishte njëkohësisht dhe vëllai i mbretit të Francës, Shën Luizit.
Mbas një viti, i ati i Helenës i bëri një ftesë Helenës dhe Tanush Topisë, që të vinin në Napoli, sepse gjoja i kishte falur dhe dëshironte të bënte një gosti të madhe për çiftin rebel.
Ai u tha atyre të merrnin me vete edhe nipin, Karl Topinë.
Në momentin e fundit Tanushi, dyshues dhe largpamës, nuk e mori Karlin me vete, hipi në një anije me gruan Helena dhe shkoi në Napoli.
Pritja paraprake qe madhështore, u organizua një gosti e paparë, por i ati i Helenës, hakmarrës deri në fund, i masakroi dhëndrin dhe të bijën në gjumë, duke bërë kështu një vepër makbethiane, të denjë për penën epokale të Shekspirit.
Karl Topia i vogël u rrit i mbrojtur, sepse jeta e tij kërcënohej nga agjentët e mbretit francez.
Kështu u rri ky personazh i mesjetës shqiptare, nga më të fuqishmit dhe me jetë vetiake nga më të çuditshmet.
Karl Topia e mbante veten në të gjitha mbishkrimet e tij zyrtare si njeri me gjak francez.
***
Stema heraldike e Karl Topisë që ndodhet sot në Muzeun Historik Kombëtar, pasqyron relievin e një luani anzhuin, si dhe figurat e zambakëve anzhuinë, që janë simbole mbretërore anzhuine.
Kjo stemë heraldike është më e bukura e të gjitha stemave heraldike të Shqipërisë.
Në vetvete, kjo stemë, ka disa të dhëna mjaft interesante, ka një sistem simbolesh, që ende nuk janë përkthyer dhe shpjeguar siç duhet.
Në sipërfaqen e gurit të kësaj steme paraqitet një mburojë e vendosur pjerrtas në këndin e djathtë poshtë dhe që ka një të çarë përsëgjati.
Ana e djathtë është e ndarë në kuadrate, ku të katër fushat kanë të njëjtat figura, një disk, i cili ndahet në këndin e djathtë në dy diametra të kryqëzuar mes dy kryqeve poshtë dhe dy sipër.
Ana e majtë e mburojës tregon një fushë të mbushur me zambakë, mbi të cilën kalon pjerrtas një vizë nga e djathta në të majtë.
Këtu duket dhe një shirit tjetër, që sipas mendimit të dijetarit austriak Teodor Ippen, ka të bëjë me një qafore garash ushtarake, të gdhendur keq, që në heraldikë e ka kuptimin e shenjës së pasardhësit, ose në një linjë të re të një familjeje fisnike.
Mburoja e stemës kulmon me një kaskë të mbyllur garash kalorsiake prej së cilës varen poshtë të dy tëmthoret e kaskës, të cilat nga jashtë janë mbuluar me lule zambaku.
Në vend të kreshtës apo kurorës mbi helmetë ngrihet një jastëk drejtkëndësh, mbi të cilin rri luani i kurorëzuar. Kurora e luanit mban tri pendë struci.
Stema heraldike e Karl Topisë mund të ketë diçka të përbashkët me heraldikën e përdorur nga anzhuinët në mbretërinë e Napolit.
Një fakt i pastudiuar deri më sot, që i ka shpëtuar syrit të historianëve, është se në qytetin e Krujës ka ekzistuar kulti i Karlit të Madh, Sharlëmanjit, të Francës.
Është pikërisht një historian shqiptar, e konkretisht Dhimitër Frëngu, që ka qenë arkëtar dhe njeri fort i besuar i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Dhimitër Frëngu ka shkruar dhe botuar një histori për Skënderbeun, që ka njohur shumë përkthime dhe botime në Evropë.
Dhimitër Frëngu ka qenë intimisht i informuar, jo vetëm pse ka jetuar në Krujë, por ai ka njohur kancelarinë e Skënderbeut, lidhjet e Skënderbeut me botën evropiane, si dhe atë që quhet urbanistika e brendshme e ndërtimeve të perimetruara nga muret e kështjellës së Krujës.
Pikërisht Dhimitër Frëngu shkruan të zezë mbi të bardhë, se në një nga sheshet e Krujës qe ngritur një statujë e përsosur e Karlit të Madh të Francës.
Dhimitër Frëngu shton se disa princat shqiptarë mburreshin se gjoja e kishin origjinën e tyre me gjak francez.
Këtë gjë thotë edhe Barleti, që është i vetmi që ka shkruar se qytetin e Krujës e kanë krijuar Topiajt, pra pinjollë më të hershëm sesa Tanush Topia, i ati i Karl Topisë.
Me gjak francez e quajnë veten e tyre edhe dukagjinasit.
Për mendimin tim, ekzistenca e skulpturës së Karlit të Madh të Francës nuk duhet vënë në dyshim.
Ajo mund të jetë një skulpturë e punuar nga ndonjë skulptor vendës ose francez dhe lidhet me ngjarjen historike të krijimit të Mbretërisë Shqiptare nga Karli Anzhu më 1272 me kryeqytet Durrësin.
Kulti i Karlit të Madh të Francës, i cili i bashkoi frankët dhe krijoi një perandori të madhe evropiane, me synim që të krijonte edhe një perandori botërore, duke përfshirë dhe perandorinë bizantine, ka qenë një motiv krenarie për anzhuinët.
Skulptura e Karlit të Madh do të ketë qëndruar në Krujë për shumë kohë.
Kjo skulpturë mund të jetë hequr nga pushtuesit turq, kur ata zotëronin Krujën, por do të jetë rivendosur gjatë kthimit të Skënderbeut në Krujë më 1443.
Dhimitër Frëngu është dëshmitar okular dhe rrjedhimisht ai e ka parë këtë skulpturë me sytë e tij. Kjo do të thotë që skulptura e Karlit të Madh, që është një paraprijës i idesë së një Evrope të tërë shtetërore, ka shërbyer edhe për Skënderbeun si një simbol i lidhjes së Shqipërisë me Evropën Perëndimore.
***
Askush deri më sot nuk është marrë seriozisht me analizën e miteve gjenealogjike të princërve shqiptarë, për origjinat e tyre gjoja franceze.
Gjenealogji të tilla edhe fantaziste kanë qenë tipike për epokën humanistike.
Nga ky qerthull i traditës anzhuine duhet parë edhe lidhja e Joanës së Durrësit, pikërisht me Durrësin kryeqytetin anzhuin të mbretërisë shqiptare.
Të dhëna të papritura dhe të çuditshme për Joanën e Durrësit gjenden në librin e studiuesit Aleksandër Paramidhisis, kushtuar papës Joani XXIII, të njohur si Baltazar Cozza, i cili ka lindur në Napoli dhe ka vdekur në Firence, në vitin 1419.
Në këtë libër jepen aspekte të historisë së luftës fetare, më të çuditshmes të mesjetës, midis papëve të Romës dhe antipapëve të Avinjonit. Antipapa Klementi VII, kishte ithtarë Pjetrin e lumtur të Luksemburgut, si dhe shenjtorin Vikentij (Ferie).
Klementit i shërbente edhe Koleta e Shenjtë, e cila vetëm 100 vjet pas vdekjes u shpall shenjtore dhe u përligj vetëm në kohën e papës Piu VI. Papa Urbani VI kishte ithtarë Pjetrin e Aragonit dhe Katerinën e Sienit.
Pikërisht shenjtorja Ekaterinë e Sienit e këshilloi Papën Urbani VI të shpallte një kryqëzatë kundër Pseudopapës antikrisht, Klement.
Më 1378 Urbani e mallkoi mbretërinë e Napolit, Joanën Durrsake dhe e shpalli të rrëzuar, sepse ajo u bashkua me Klementin.
Në bulën e tij të datës 31 prill 1380 Papa Urbani e quajti Joanën Durrsake (bijë të padrejtësisë dhe të mëkatit, heretike dhe inçestare).
Papa e thirri nga Hungaria Karlin dhe me ushtritë e Karlit e shkatërroi mbretërinë e Napolit, duke vrarë dhe çuar në mjerim tërë trashëgimtarët e Joanës.
Konkretisht, në sulmin kundër Joanës, Papën Urban e ndihmoi shenjtorja Ekaterina e Sienit.
Ajo shkoi në Hungari dhe e bindi mbretin hungarez që të dërgonte në Napoli nipin, Karlin, që u quajt Karl Durrsaku. Karli e përkrahu Urbanin dhe e sulmoi hapur. Ai në fillim kapi rob Ludovikun e Navarrës, pastaj edhe Joana Durrsakun.
Urbani VI i futi në burg dhe i mbyti duke i helmuar. Mbret i Napolit u shpall Karl Durrsaku. Është shumë i çuditshëm ky përcaktim, sepse quhej një titull shumë i lartë që krahas titullit mbret i Napolit, të quheshe edhe i Durrësit.
Nuk kaloi kohë dhe midis Karlit dhe Urbanit lindën kontradikta.
Kështu në “Analet Redio” thuhet se Lufta midis Karlit dhe Urbanit arriti aq larg, sa që papa Urbani e çkishëroi Karlin madje dhe gruan e tij, Margaritën, si dhe fëmijët deri në brezin e katërt.
Për të vepruar kundër Karlit, i quajtur Durrsaku, papa Urbani caktoi Baltazar Cossan.
Karli u zemërua shumë me Papa Urbanin dhe vendosi ta sulmonte në tokat e tij dhe ta dëbonte.
Mbreti Karl e rrethoi Papën dhe në “analet napolitane” thuhet se e qëlloi pallatin e Papës me katapultë.
Sekretari i papës, Dihtri Fon Nim, ka shkruar: “që të hakmerrej sadopak kundër Karlit Papa Urban VI dilte katër herë në ditë në dritaren e kështjellës me qiri në njërën dorë dhe zile në tjetrën dhe me zë të lartë, solemn, me sa fuqi kishte, mallkonte mbretin Karl dhe ushtrinë e tij. Karli e dëboi Papën nga qyteti Noçera.
Papa shkoi në Salerno.
Mbas pak Karli vdiq. Mbeti mbretëresha Margaritë, një vejushë shumë trime.
Papa Urbani e bëri mallkimin publik të mbretëreshës dhe arriti që të vriste edhe atë edhe djalin, trashëgimtarin e Karlit.
Kështu mbaroi kjo histori e denjë për subjektet e romaneve të Aleksandër Dymasë.
Ajo që na intereson në këtë shkrim është fakti që në shek. XIV, në historinë e intrigave të dy kishave, të Romës dhe të Avinjonit, ndërfuten dhe personazhe shqiptare, siç qe Joana e Durrësit.
Emri i Durrësit qe aq i famshëm sa që edhe Karli i Hungarisë, mbasi e pushtoi Napolin u mbiquajt Karli i Durrësit.
***
Duke lexuar një guidë të Napolit, kam rënë në gjurmët e varrit të Joana Durrsakes, në një nga kishat e këtij qyteti. Do të ishte me interes të mësonim më shumë dhe konkretisht për këtë var monumental.
Studiuesi Fabian Miraj më siguron se ka parë me sytë e tij në Manastirin e Shën Klarës, varrin origjinal të Joana Durrsakes.
Ky varr ndodhet pranë një varri tjetër të një princeshe e cila quhet Anjeze Durrsaku.
Ekzistenca e këtyre monumenteve të ndërlidhura me emrin e lavdishëm të Durrësit i bën nder mesjetës shqiptare.(dita)
-*-