Analisti Martin Leka, i ftuar në studion e emisionit “Open,” ka komentuar pezullimin e çështjes “Xibraka” nga SPAK, duke theksuar dimensionin politik dhe retorikën që ka shoqëruar këtë rast.
Sipas Lekës, sulmi ndaj vëllait të kryeministrit është një shembull i qartë i përdorimit të familjarëve të liderëve politikë si mjete në betejat e brendshme politike. “Kjo është një çështje me ngarkesa politike. Sulmi ndaj vëllait të kryeministrit, siç ka ndodhur rëndom gjatë këtyre 34 viteve, ku janë prekur familjarët e kryeministrave, është edhe këtë herë një luftë klasash e modernizuar që nuk i bën nder asnjë lloj politike në vend,” tha ai.
Leka gjithashtu kritikoi gjuhën e përdorur nga politikanët shqiptarë, duke theksuar se shpifja dhe insinuatat janë bërë norma në diskursin publik. “Gjuha e shpifjes në Shqipëri, sidomos nga politikanët me imunitet, është bërë normë dhe kjo normë duhet të marrë fund një herë e mirë. Nuk mund të ecësh në vitin 2025 me një gjuhë ordinere dhe insinuatash,” shtoi ai.