Nga Alfons Çupaj
Verë tragjike! Ky sezon turistik mund të quhet i trishtë sa i përket numrit te vdekjeve në plazhet shqiptare.
Referuar komunikatave zyrtare të policisë dhe raportimeve në media, 33 pushues kanë humbur jetën këto 3 muaj në ujërat shqiptare.
Mungesa e parametrave të sigurisë, rojeve bregdetare dhe kullave të vrojtimit janë padyshim një ndër faktorët që ka çuar në këtë bilanc tragjik, shkruan javanews.
Referuar të dhënave të muajve qershor, korrik dhe gusht, rezulton mesatarisht 1 i mbytur çdo 3 ditë.
Mungesa e kullave bregdetare të vrojtimit dhe rojeve të plazheve, me siguri që ka pasur impakt të drejtpërdrejtë në përmasat e këtij bilanci tragjik. Nëse kullat e vrojtimit do të ishin efikase dhe gjërat do të funksiononin sipas ligjit, numri i viktimave do të ishte më i ulët.
Siç kemi konstatuar edhe në shkrime të tjera të javanews, kullat e vrojtimit janë të vendosura në plazhe, por thuajse në asnjërën prej tyre nuk ka vrojtues, kjo në shkelje flagrante të ligjit “Për kushtet e ushtrimit të veprimtarisë në plazhe”. E ndërsa disa plazhe kanë kulla vrojtimi pa rojtar, në shumë plazhe nuk ka asnjë kullë vrojtimi.
Rastet e pushuesve të huaj. Erdhen për pushime, por u kthyen të vdekur.
Nëse i referohemi kombësisë së pushuesve që kanë humbur jetën në plazhet shqiptare, rezulton se 11 nga 33 viktimat nuk janë shqiptarë.
Shumica e pushuesve të huaj që kanë humbur jetën teksa pushonin në Shqipëri janë kosovarë.
7 shqiptarë të Kosovës kanë humbur jetën në plazhet shqiptare, si në Velipojë, Shëngjin, Tale, Durrës dhe Vlorë. Ndërkohë që 3 nga pushuesit e huaj që kanë humbur jetën janë nga vende të ndryshme të Europës, shkruan javanews.
Rasti më tragjik është vdekja e një adoleshente ruse në Ksamil. Ndërkohë që edhe një turist sllovak dhe një çeke, humben jetën tragjikisht në plazhet shqiptare.
– 7 nga viktimat janë shtetas kosovarë
– 1 nga viktimat është një i ri nga Kumanova
– 3 nga viktimat janë turistë të huaj (një vajze ruse 16 vjeçe, një sllovak 66 vjeç dhe një grua çeke 74 vjeçe)
Tragjike, 11 nga viktimat janë të mitur
Nëse do i referohemi moshës së viktimave, atëherë situata bëhet edhe më alarmante. 11 fëmijë të mitur kanë humbur jetën tragjikisht teksa po laheshin në ujërat shqiptare. Ndërkohë, referuar po komunikatave zyrtare të policisë, 4 nga viktimat janë të rinj të moshës 16 deri në 27 vjeç, shkruan javanews
– 11 viktima janë fëmijë nga mosha 10 deri në 15 vjeç
– 4 nga viktimat janë të moshës 16 deri në 27 vjeç
Jetët e humbura në det, liqen dhe lumenj
Nëse iu referohemi vendit ku kanë ndodhur mbytjet, rezulton se pika më problematike është plazhi i Zvernecit, ku kanë humbur jetën 4 persona. Sipas të dhënave, 21 nga pushuesit kanë humbur jetën në det, 5 të tjerë janë mbytur në liqen dhe 7 nga viktimat janë mbytur në lumenjtë e Shqipërisë, shkruan javanews.al
– 21 nga pushuesit që kanë humbur jetën janë mbytur në det
– 5 nga pushuesit kanë humbur jetën në liqen; 2 në liqenin e Shkodrës, 2 në liqenin e Pogradecit dhe 1 në liqenin artificial të Tiranës.
– 7 nga viktimat kanë janë mbytur në lumë: 2 në lumin Erzen, 1 në Bulqizë, 1 në lumin Shkumbin, 1 në lumin Drin, 1 në Vaun e Dejës, 1 në lumin Vjosë
Çfarë parashikon ligji shqiptar për kullat e vrojtimit?
Vendosja e kullave të vrojtimit në plazhe është detyrim ligjor për çdo subjekt privat në plazhet jopublike dhe për bashkitë në territorin e plazheve publike, shkruan javanews.
Sipas ligjit parashikohet krijimi i një ambienti të sigurtë për turistët e huaj dhe vendas. Ka një VKM të qeverisë që daton më 18.05.2016, ku në Nenin 6. Pika c, parashikohet që pushteti lokal që jep ambientet me qira, bizneseve private duhet t’i detyrojë ata në bazë të VKM që të ndërtojnë një kullë vrojtimi dhe të punësojnë një vrojtues, ndërkohë që edhe vetë pushteti lokal, pajis me kulla vrojtimi dhe rojtar plazhet publike.
E shtuna e zezë dhe “heroi” nga Tetova
E shtunë e zezë në bregdetin e Vlorës. 4 persona kanë humbur jetën pasi janë mbytur në Detin Jon brenda një ditë. Kjo është edhe ngjarja më e zezë e shënuar në plazhet shqiptare këtë sezon. Tragjedia ndodhi në Zvërnec, në zonën e Portonovës , ku 3 të rinj janë nxjerrë pa jetë nga uji. Viktimat janë Manuela Maraj 27-vjeçe, banuese në Babicë e Madhe të Vlorës, Xhoana Cani 25-vjeçë nga Tirana dhe 24 vjeçari Beniamin Ferati, banues në Tetovë të Maqedonisë. Sipas dëshmitarëve 25-vjeçarja nga Tirana ka qenë duke u larë dhe në një moment ka kërkuar ndihmë.
I riu nga Tetova është nisur për ta ndihmuar, por është mbytur bashkë më të si pasojë e detit të trazuar dhe dallgëve të mëdha. Manuela Maraj e afërme e vajzës nga Tirana ka tentuar t’i ndihmojë por edhe atë e ka përpirë uji. Trupat e pajetë të 3 të rinjve janë nxjerrë nga Roja Bregdetare dhe janë transportuar drejt morgut të Vlorës. Më herët në plazhin pranë Marinës u mbyt një 14-vjeçar. Endri Bejkotaraj u ndihmua nga një person, i cili e nxori në breg, por adoleshenti nuk mundi të mbijetojë.
Jetë të marra nga motorët e ujit
Vdekja e një turiste ruse në Ksamil është një tjetër ngjarje tragjike që nxori në pah një problem tjetër të madh në plazhet shqiptare. Vdekja e 16-vjeçares, e dyshuar se është kryer nga një person që lëvizte me motorr uji, ka kthyer në vëmendje tragjeditë e panumërta që po shkaktojnë këto mjete uji që nga Saranda deri në Velipojë. Një vit më parë një tjetër turist rus humbi jetën si pasojë e goditjes nga motorët e ujit, shkruan javanews.
Nga ana tjetër janë edhe dhjetra raste të tjera me të vdekur e të plagosur që janë regjistruar që nga Saranda, Himara, Vlora, Durrësi, Velipoja, thuajse përgjatë gjithë gjatësisë bregdetare. Të dhënat flasin se në 3 vitet e fundit ka pasur afro 3 viktima nga motorët e ujit, pa llogaritur panikun e pushuesve në plazh.
Javanews.al sjell të rastet e dokumentuara të mbytjeve në plazhe 01 qershor – 03 shtator 2017
02/06/2017
Një 46-vjeçar nga Tirana mbytet në plazhin e Kallmit.
20/06/2017
Një turiste 69-vjeçare nga Kosova është mbytur në plazhin e Shëngjinit
21/06/2017
Një person ka ndërruar jetë, pasi është mbytur në liqenin e Pogradecit.Sipas burimeve të policisë 80 – vjeçari me inicialet K.A banues në fshatin Bregas-Maliq ka qenë duke u larë në liqen.
25/06/2017
Dy të mitur janë mbytur tek ura në fshatin Mënik, në lumin Erzen. Mësohet se dy fëmijë përkatësisht A. B., 11- vjeç dhe S. B 10 – vjeç janë mbytur duke u larë në lumë.
28/06/2017
Një pushues 76-vjeçar me iniciale M.H nga Fieri është mbytur në “Ujin e Ftohtë” në qytetin e Vlorës.
29/06/2017
Një 60 – vjeçar me iniciale L.L ka është mbytur në liqenin e Pogradecit.
01/07/2017
Një pushues nga Kosova është mbytur në plazhin e Tales, në Lezhë. 46-vjeçari Sh. K. është nxjerrë me ndihmën e pushuesve nga deti dhe është transportuar me ambulancë, por ka ndërruar jetë rrugës.
02/07/2017
Një 75-vjeçar ka gjetur vdekjen në plazhin e Velipojës. I moshuari nga Kosova, i identifikuar vetëm me iniciale M.K. dyshohet se ka pësuar atak kardiak
09/07/2017
Një 40-vjeçar është mbytur në plazhin e Divjakës. 40- vjeçari me inicialet E.B banues në Krutje dhe vajzën e tij të mitur 7 vjeçe kanë qenë duke u larë por nga pakujdesia i ka marrë rrjedha e ujit. Vajza u shpëtua, por babai humbi jetën.
14/07/2017
Një pushues nga Kosova është mbytur në në Sektorin Apollonia në Durrës. 62 vjeçari me inicialet Rr.R. kishte ardhur për pushime në Durrës.
15/07/2017
Një 14 vjeçar u mbyt në plazhin e Marinës në Vlorë. Endri Bejkotaraj ishte shkëputur shumë nga bregu dhe nuk mundi të mbijetojë megjithë ndihmën e shpejtë mjekësore.
15/07/2017
E shtunë e zezë në bregdetin e Vlorës. 3 persona kanë humbur jetën pasi janë mbytur në Detin Jon.Tragjedia ndodhi në Zvërnec, në zonën e Portonovës , ku 3 të rinj janë nxjerrë pa jetë nga uji. Viktimat janë Manuela Maraj 27-vjeçe, banuese në Babicë e Madhe të Vlorës, Xhoana Cani 25-vjeçë nga Tirana dhe 24 vjeçari Beniamin Ferati, banues në Tetovë të Maqedonisë. Sipas dëshmitarëve 25-vjeçarja nga Tirana ka qenë duke u larë dhe në një moment ka kërkuar ndihmë. I riu nga Tetova është nisur për ta ndihmuar, por është mbytur bashkë më të si pasojë e detit të trazuar dhe dallgëve të mëdha.Manuela Maraj e afërme e vajzës nga Tirana ka tentuar t’i ndihmojë por edhe atë e ka përpirë uji.
20/07/2017
Një pushues nga Kosova është mbytur teksa ka hyrë në ujë për të shpëtuar gruan e tij. Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Velipojës. F. H. 35 vjeç ka dashur të shpëtonte bashkëshorten e tij, pasi ka qenë duke u mbytur por nuk ka mundur të dalë dot vetë.
21/07/2017
Një tjetër pushues ka gjetur vdekjen në ujërat e detit Jon. Bëhet fjalë për një adoleshente, rreth 16 – vjeç nga Rusia, e cila është mbytur në Ksamil të Sarandës, dyshohet nga motorët e ujit.
21/07/2017
Vetëm disa orë nga ngjarja e rëndë ku një turiste ruse u mbyt në Ksamil, një tjetër viktimë është shënuar në një plazh në zonën e Kavajës. Sipas burimeve të policisë shtetasi sllovak Beres S.,66 vjeç është mbytur në det pasditen e së premtes dhe është gjetur në bregun e plazhit të Golemit.
28/07/2017
Një fëmijë 9 – vjeç ka gjetur vdekjen rreth orës 10:50, pasi u mbyt në lumin e Gjadrit në Vaun e Dejës. I mituri është identifikuar me inicialet F. M dhe është nga fshati Naraç.
31/07/2017
Një person rreth 50 vjeç është mbytur në liqenin artificial të Tiranës. Personi është futur për tu larë në liqen dhe nuk ka dalë më.
05/08/2017
Një tjetër rast mbytje është shënuar në plazhet shqiptare. Një djalë i mitur është mbytur në det në rrethana ende të panjohura. Fëmija është 13 vjeç me iniciale L.I., nga Mitrovica e Kosovës.
06/08/2017
Një 49-vjeçar është mbytur në lumin e Vjosës në fshatin Mifol të Vlorës. Policia thotë se u njoftua nga qytetarët se 49-vjeçari i mbytur në lum është me iniciale A.N
08/08/2017
Një grua 55-vjeçare është mbytur në ujërat e lumit Drini i Zi në Peshkopi, pasi hyri për të shpëtuar dy nipërit e saj.Të miturit e moshës 6 dhe 10 vjeç rrezikuan të mbyteshin, por u shpëtuan nga gjyshja e tyre, e cila humbi jetën.
10/08/2017
Një 52-vjeçar me iniciale L.B nga Patosi është mbytur në vendin e quajtur “Kalaja” në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
14/08/2017
Një tjetër pushues nga Kosova është mbytur në plazhet shqiptare. Viktima është 76-vjeçari me iniciale B.A nga Prishtina është mbytur në Velipojë.
14/08/2017
Një vajzë 12 – vjeçare ka gjetur vdekjen në plazhin e Divjakës. E mitura me iniciale G.A, banuese në fshatin Krykuq të Divjakës po lahej në det bashkë me kushërirën e saj 11 – vjeçare M.L, 11 vjeçe.
15/08/2017
Një fëmijë është mbytur në lumin Shkumbin, ku po lahej së bashku me vëllain dhe kushëririn e tij.Sipas policisë së Elbasanit, 14-vjeçari me iniciale K.A nga fshati Hotolisht u tentua që të shpëtohej nga kushëriri dhe vëllai.
16/08/2017
Një tjetër rast i dhimbshëm në bregdetin e Zvërnecit në Vlorë vetëm 1 muaj nga mbytja e 3 të rinjve. Një 10 -vjeçarje humbi jetën në plazhin e Portonovës.
17/08/2017
Dy fëmijë të moshës 13 dhe 15 vjeç janë mbytur në ujërat e Liqenit të Shkodrës. Dy të rinjtë kushërinj me njeri- tjetrin banues në fshatin Gruemirë ishin hedhur për tu larë në Liqenin e Shkodrës, por nuk kanë mundur dot të dalin më.
31/08/2017
Mbytet në det roja i disa lokaleve në plazhin e Bunecit në Himarë. 60-vjeçari I.B., banues në Berat, është gjetur i mbytur në plazhin e Bunecit.
01/09/2017
Një i mitur është mbytur duke u larë në Bulqizë. Mësohet se fëmija 10 vjeç me inicialet A.D.10 – vjeçari po lahej në kanal dhe është rrëmbyer nga uji, ku dhe ka ndërruar jetë.
03/09/2017
Një turiste 74-vjeçare ka humbur jetën pasi është mbytur në det.Ngjarja ka ndodhur në Radhimë të Orikumit. Ajo është identifikuar nga policia me inicialet R.M nga Çekia.
(Javanews.al)