Prokurori i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho, ka folur lidhur me hetimet mbi bandën kriminale të trafikut të drogës ‘Habilaj’, ku akuzohet si i përfshirë dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Zyrtari i lartë deklaroi se drejtësia italiane vepron në mënyrë të barabartë për të gjithë njerëzit, pavarësisht se cilës shtresë i përkasin.
Në Tiranë, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, De Raho tha se italianët kanë vetëm një rregull, të aplikojnë gjithmonë ligjin dhe ta zbatojnë atë në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa folur për një person që mund të jetë politik apo shoqëror.
“Ne bashkëpunojmë me të gjithë ata që kanë objektiv luftën kundër krimit të organizuar dhe mafioz. Niveli jonë nuk ka folur kurrë për një person që mund të jetë politik apo shoqëror, por kemi vetëm një rregull, që të aplikojmë gjithmonë ligjin dhe ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Çdo lloj niveli politik, shoqëror, ekonomik t’i përkasin hetimet kanë ecur gjithmonë përpara. Kjo është forca jonë. Për hapa tjerë që janë bërë lidhur me krimin ne do të vijojmë me të njëjtën mënyrë. Ky është pozicioni më i mirë aktual, që mund të merrem si përfaqësues i dy shteteve për të arritur objektivin në goditjen e grupeve kriminale”, tha prokurori i antimafias italiane.