Pas dorëzimit të kërkesës ankimore në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se Gjykata e Lartë nuk pranoi provat e tij, Deputeti demokrat Edi Paloka tha se do të vijojë luftën e tij kundër Kryeministrit. Kreu i grupit parlamentar të PD theksoi se nën ndikimin e Ramës, Gjykata e Lartë nuk pranoi provat e drejtuara prej tij, kundër kryeministrit. Kësisoj, shtoi Paloka luftën do ta vijojë në Kushtetuese ose edhe deri në Gjykatën e Strasburgut nëse është e nevojshme.
“Qeveria po ushtron presion mbi drejtësinë dhe Gjykata e Lartë është tërësisht nën dhunën dhe presionin e Ramës dhe qeverisë së tij. Shpresoj tashmë që Kushtetuesja të jetë më e lirë nga presioni i kryeministrit, por gjithsesi, edhe nëse nuk do të jetë, ne do të shkojmë deri në Strasburg për të kërkuar të drejtën tonë, aty ku realisht mbrohen të drejtat e njeriut”, tha Paloka.
Kryeministri Rama paditi Palokën disa muaj më parë, pas akuzave që ky i fundit bëri gjatë një deklarate punlike, ku tha se kreu mazhorancës ishte i lidhur me grupet kriminale.