Të paktën shtatë kompani ndërmjetëse shqiptare dhe dy të huaja, janë angazhuar gjatë vitit 2012 në një fushatë për mbledhje të borxheve të CEZ, sipas një kontrate dypalëshe me të. Kompanitë, në shumicë lidhje politike me qevrinë Berisha, kanë përfituar miliona euro, në varësi të fuqisë politike që ato kanë pasur.
“Debt International Management” me administrator Kastriot Ismailaj, ka përfituar nga CEZ-i 649 milion lekë, ose gati 6,5 milion dollarë.
Në janar të vitit 2013, kur CEZ u rikthye nën administrimin shtetëror dhe anuloi kontratën, kjo kompani hapi padi, duke kërkuar dëmshpërblim për prishje të njëanshme, padi e cila solli faktet që po debatohen sot.
Në vend të dytë, për nga shuma e përfituar, vijnë kompani të tjera, përkatësisht “CE 2 Services”, “CE 2 Debt Management” dhe Co2 Dept Collection, “CE 2 Services”.
Dy nga këto kompani kanë përfituar nga CEZ-i 3,2 milion dollarë, në gjysmën e dytë të vitit 2012.
“Elite Consulting”, kompania e gruas së Elvis Mataj, e cila është në proces gjyqësor për skemë mashtruese, ka përfituar rreth gjysëm milion euro .
Pas tij vijnë Astin, ATU, dhe Constal me shifra të përafërta poshtë një milion euro fitim.
Pas kompanive shqiptare janë dhe ato me pronarë e administratorë çek, si Mercel, EOS, të cilat kanë pronarë të huaj çekë dhe duket se janë lidhje të pronarëve çekë të CEZ.
Praktika normale dhe korrupsioni
Gjatë emisionit të djeshëm në Opinion, u vu re një dukuri interesante, ndoshta nga prania e Frangajt në studio, larg kamerave, që u shfaq disa herë si rastësisht. Sa herë flitej për kompaninë DIA të Kastriot Ismailaj konsideroj skandal dhe vjedhje, ndërsa për kompanitë e tjera çdo gjë konsiderohej normale, pasi siç thoshte dhe Fevziu, janë marrëdhënie private mes dy kompanive.
Formalisht të gjitha kompanitë janë në të drejtën e tyre të punojnë si kompani për blerje borxhi, por këtu skandali është së pari tek përzgjedhja, që është bërë me marrëveshje dypalëshe dhe në disa duar të vetme.
E dyta është përdorimi i pushtetit për të mbledhur borxhet e CEZ.
Gazeta TemA ka siguruar dokumente që çojnë para drejtësisë Sali Berishën, i cili përmes një urdhëri që u ka dhënë ujësjellsave të Shqipërisë të paguajnë borxhet, si dhe disa ndërmarrjeve të tjera publike, ka lejuar që disa nga këto kompani të përfitojnë nga këto fonde. Rasti më flagrant është Albpetroli, por dhe ujësjellsat dhe disa bashki e komuna. Kjo është një praktikë tipike e kapjes së shtetit. Gazeta ka zbardhur dhe po zbardh dhe emrat formal që janë në krye të kompanive, të cilat nëse i kryqëzon me punët e tyre reale, të çojnë pranë njerëzve me ndikim pranë ish- qeverisë Berisha.
Manuali i fitimit nga kjo praktikë korruptive
Sipas dokumenteve që kemi zbuluar nga një prej kompanive shtetërore Albpetrol, kompania ndërmjetëse kishte këto përfitime:
Tarifa e suksesit është 28 për qind për detyrimin e mbledhur, dhe të derdhur në llogaritë e CEZ, nga debitorët buxhetor dhe jo buxhetore, përvec Albpetrolit, për periudhat e rëna dakord.
Tarifa e suksesit është 50 për qind për kamatvonesat e mbledhura nga debitorët, buxhetor ose jobuxhetorë, përjashtimisht Albpetrolit, për periudhat e rëna dakord.
Tarifa e suksesit është 32 për qind e detyrimit të mbledhur nga Albpetrol sh.a sipas periudhës së rënë dakord për mbledhjen.
Tarifa e sukesit është 50 për qind për kamatvonesat e mbledhura nga Albpetrol sh.a.
Sipas dëshmive që gazeta ka siguruar nga drejtuesit e financave të asaj kohe në Albpetrol, ekzektuimi është bërë me telefonata kërcënuese nga një botues i afërt me Berishën dhe bllokim të llogarive të Albpetrolit, duke kaluar lekët direkt në llogaritë e kompanisë.
Kështu është vepruar dhe me ndërmarrjet e tjera publike.
*Shkrim i marrë nga gazeta TemA









