Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Prokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj për të dëshmuar në lidhje me dosjen ‘Habilaj’
Saimir Tahiri, aktualisht deputet i lirë i Kuvendit, është paraqitur Prokurorinë për Krimet e Rënda ku po merret ne pyetje nga prokurorët e çështjes së tij.
Ish-ministri i Brendshëm po pyetet nga prokurorët një ditë pasi oficerët gjyqësore kontrolluan në banesën e tij, ku nuk gjetën asnjë gjë që ta implikojë deputetin me grupin e Habiljave në trafikun e drogës drejt Italisë.
Vetë Tahiri ka kërkuar më shumë se një herë që të merret në pyetje personalisht, për t’i shkuar deri në fund, sipas tij, të vërtetës.
Edhe gjatë mbrojtes përpara Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, ish-ministri i Brendshëm deklaroi se nuk i ishte kërkuar për asnjë moment dëshmia e prokurorëve për hetimin ndaj tij.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e ish- ministrit Saimir Tahiri si i përfshirë me bandën e Habilajve, anëtarët e të cilëve janë arrestuar në Itali për trafik droge dhe armësh, por Kuvendi me votat e mazhorancës rrëzoi kërkesën e Prokurorisë.
Një ditë më parë, 4 oficerë të policisë gjyqësore kontrolluan banesën e ish-ministrit për disa orë me radhë. Kujtojmë se ditën e parë pas publikimit të përgjimeve të grupit “Habilaj”, Tahiri kërkoi një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla por që nuk u realizua kurrë.
Tahiri ka deklaruar më parë se nuk ka asnjë ore kohë për të humbur duke i kërkuar prokurorisë së Krimeve të Rënda të përshpejtojë procesin për zbardhjen e së vërtetës.
a.ç