Speciale Javanews/ Dhuna në familje është kthyer në një fenomen mjaft shqetësues për shoqërinë shqiptare. Shifrat e Policisë së Shtetit flasin për një situatë alarmante, sa i takon rasteve të proçeduara që shpesh herë kanë degraduar deri në vrasje në familje. Mjafton të kujtojmë që gjatë vitit 2015, policia regjistroi gjithsej 54 vrasje, dhe rreth gjysma e tyre kanë ndodhur brenda familjes, për të kuptuar dimensionin e fenomenit.
Gjatë muajit të fundit policia proçedoi mbi 2 mijë raste. Vetëm pak ditë më parë vendi u trondit nga një krim i rëndë brenda familjes ku në Tiranë, babai plagosi rëndë me thikë dy vajzat e tij. Një prej vajzave humbi jetën më vonë në spital nga plagët e rënda.
Ndërkohë pak javë më parë një person nga Pogradeci pasi vrau bashkëshorten ekzekutoi edhe gruan.
Këto janë disa prej rasteve të rënda të kohëve të fundit, por nuk kanë munguar edhe raste dhune që dikur kanë qenë të rralla, dhunë ndaj nuseve të djemve apo dhunë ndaj prindërve.
Si tentoi të më vrasë vjehrri në sy të burrit dhe vajzës
Gjykata e Tiranës dënoi me 5 muaj burg një 56-vjeçar i cili kishte tentuar të vriste me thikë nusen e djalit të tij. Javanews.al sjell të zbardhur dosjen hetimore të plotë ku tregohen rrethanat e ngjarjes, dëshmitë dhe në fund vendimi i fajësisë. H.Shullazi, u arrestua nga policia në tetor të vitit të shkuar. Ai u prangos pasi shtetasja A. Shullazi, nusja e djalit të tij kishte bërë denoncim në polici se vjehhri e kishte kërcënuar me jetë.
“Do të marr jetën”, ishin fjalët që i kishte thënë 56-vjeçari teksa i drejtonte një thikë.
Në vendimin e Gjykatës së Tiranës ku jepet e zbardhur dëshmia e kallëzueses thuhet:
“Nga aktet e ndodhura ne fashikullin e gjykimit, rezulton e provuar se ne daten 26.10.2015, rreth ores 20.00, sherbimet e Komisariatit te policise Nr.4, Tirane kane kapur ne flagrance te pandehurin Hysen Shullazi me nje thike ne xhep. Kapja e tij eshte bere pas kallzimit te bere nga nusja e djalit Aferdita Shullazi. Ne kallzimin e saj kjo shtetase ka shpjeguar se i pandehuri e ka kanosur duke i thene se do t’i merrte jeten dhe gjate kesaj kohe mbante nje thike me vete. Nje veprim i tille eshte bere edhe ne prezence te burrit te kallzueses dhe vajzes se saj. Eshte sekuestruar ne cilesine e proves materiale thika me doreze kaucuku, ngjyre e zeze dhe qe kishte nje gjatesi prej 25 cm”.
Kontradiktat e Drejtësisë
Në rastin e shtetases A. Shullazi, Gjykata ka shpallur fajtor vjehhrin e saj dhe e ka dënuar me burg, por dënimi ëhstë vetëm 5 muaj dhe në vendim shohim së paku dy kontradikta, të cilat mund të kishin sjellë një dënim më të rëndë, dhe që vënë në dyshim proceset e ngjashme.
Së pari, në 56-vjeçari është akuzuar vetëm për “dhunë në familje”, dhe jo për “kanosje” që dënohet deri në 3 vite burg siç në fakt rezulton e provuar në vendimin e Gjykatës ku thuhet:
“Ne rastin konkret i pandehuri e ka konsumuar vepren penale nepermjet veprimeve aktive te kundraligjshme dhe shoqerisht te rrezikshme. I pandehuri duke mbajtur nje thike ne dore e ka kanosur kallezuesen, nusen e djalit duke i thene se do i merrte jeten. Me veprimet e tij ai ka prekur raportet e vendosura nga shteti per te mbrojtur shendetin e pjesetareve te familjes nga veprimet ose mosveprimet kriminale”.
Së dyti, e reja është kërcënuar me një thikë 25 centimetra të gjatë, por që nuk është klasifikuar si armë e ftohtë. Ky ëhstë një tjetër detaj i rëndësishëm që mund të duket si i pavlerë, por që ul dënimin e fajtorit dhe drejtësia nuk bëhet sipas ligjit. Thika kishte dorezën, tehun normal dhe gjatësinë 25 centimetra. Që thika të quhet armë e ftohtë së paku duhet të jetë 4-5 centimetra, ndërkohë në arstin konkret thika ishte 5 herë më e gjatë.
Tërhiqen nga procesi
Gjatë dy viteve të fundit denoncimi i rasteve të dhunës në familje është rritur ndjeshëm. Sensibilizimi dhe aktivitetet e shumta në kuadër të policimit në komunitet kanë nxitur denoncimin e ngjarjeve të dhunës në familje.
Por pavarësisht denoncimit të dhunës, një pjesë e madhe e çështjeve mbyllen pa të dënuar në gjykatë. Kjo për arsye se gratë, që përbëjnë rreth 80 % të viktimave të dhunës në familje tërhiqen nga padia, ose ndëryshojnë dëshmitë. Kjo ndodh së paku për dy arsye. Së pari dhe më shqetësuesja për shkak të presioneve të bashkëshortit, dhe së dyti i tremben frikës nga prishja e familjes.
Pak kohë më parë, policia hasi një rast të ngjashëm në Tiranë ku një shtetas i bënte presion bashkëshortes të tërhiqet denoncimin. Por, policia e vënë në dijeni e vuri në përgjim dhe e arrestoi në flagrancë për kërcënimin.
Dhunojnë prindërit
Dikur gratë dhe fëmijët kanë qenë kryesisht në statistikat e policisë si viktma të dhunës në familje, por së fundi rritja e denoncimeve ka sjellë edhe zbulimin e një fenomeni të ri, dhuna ndaj prindërve.
Çdo ditë, Policia e Shtetit raporton për të paktën 1 rast të proçeduar ku prindi dhunohet nga fëmija i tij i rritur.
Sipas statistikave, mesatarisht rreth 15% e rasteve të dhunës në familje kanë për autorë fëmijët dhe viktima prindërit. Mendohet që shifrat të jenë edhe më të larta sipas ekspertëve pranë policisë nëse do të rritej edhe më tej sensibilizimi për të denoncuar fëmijët e dhunshëm.
Javanews/ A. Malasi