Në kulmin e përplasjeve brenda partisë demokratike, nga njësia 7 në kryeqytet, Lulzim Basha i rezervoi sërish një ftesë mbështetësve të Berishës që t’i bashkohen.
Por gjatë takimit me strukturat kreu i PD përsëriti edhe një herë qëndrimin, se dyert për Sali Berishën i ka mbyllur përfundimisht.
“Shqipëria nuk mund të mbetet peng, Partia Demokratike nuk mund të mbetet peng, prandaj këtu jam dhe do të jem si pengu i demokratëve dhe si pengu i shqiptarëve, por si njeri i lirë përballë rrëgjimit dhe përballë atyre që janë bërë njësh me rrëgjimin duke denigruar, përçarë dhe fryrë frymës së përçarjes.”- u shpreh Basha.
Sipas Bashës mbështetja për Berishën po tkurret në numër çdo ditë e më shumë, e duke ju rikthyer 8 janarit, tha se kjo datë duhet të shërbejë për reflektim.
“Nga njëra anë me të vërtetë janë një pjesë njerëzish, janë më pak se ç’kanë qenë para një muaji apo para dy muajsh, shumë më pak se ç’kanë qenë në 8 janar, një datë që duam ta harrojmë, por në fakt nuk mund ta harrojmë pa nxjerr konkluzionet brenda familjes sonë”- tha Basha.
Takimi i Bashës me demokratët e njësisë 7 u organizua pasditen e së martës, ndërsa ashtu si në takimet e tjera u prit me protestë nga mbështetësit e Komisionit të Rithemelimit.
Fjala e plotë e Bashës
Lulzim Basha: E rëndësishme është një gjë, që ky proces do të ishte një proces i vështirë, për këtë i pari kam qenë i vetëdijshëm unë. Dhe se kam qenë i vetëdijshëm se sa i vështirë do të ishte procesi, kam bërë gjithçka që të mbaja peshën më të madhe të vendimit. Po pa këtë vendim, sot ne nuk do e dinim se ku do të ishte Partia Demokratike, apo a do të ishte Partia Demokratike. Çfarë ka rëndësi? Rëndësi ka të përdorim atë që na ka dhënë Zoti për të komunikuar, mendjen dhe gjuhën. Njerëzit komunikojnë me mendje dhe me gjuhë. Rëndësi ka ta përdorim ashtu siç dinë ta përdorin demokratët, me pastërti, me të vërteta dhe kur nuk biem dakord, edhe kur kemi mendime të ndryshme, edhe kur kemi kritika, edhe kundërshtira. Dhe duhet t’i kemi, se po s’i patëm nga ndryshon nga sistemi që kemi lënë pas. Mendim ndryshe po, kritika po, kundërshti po, të gjitha! Dhe me zë të lartë, garë po, por jo dhunë, jo mashtrime dhe gënjeshtra, jo vese me të cilat kemi 8 vite që përballemi në emër të demokratëve dhe në emër të të gjithë shqiptarëve me qeverinë më të korruptuar të Europës. Nuk mund t’i lejojmë tani këto vese të bëhen pjesë e sjelljes në Partinë Demokratike. Ndaj, nga njëra anë me të vërtetë janë një pjesë njerëzish, janë më pak se ç’kanë qenë para një muaji apo para dy muajsh, shumë më pak se ç’kanë qenë në 8 janar, një datë që duam ta harrojmë, por në fakt nuk mund ta harrojmë pa nxjerr konkluzionet brenda familjes tonë dhe do jenë edhe më pak kur ta kuptojnë që dora e shtrirë nuk është vetëm e imja, por është e çdo demokrati, se na bashkojnë qëllimet. Sepse mund të vëmë në pikëpyetje gjithçka, përveç motiveve dhe qëllimeve tona. Motivi është ky vend. Për këtë vend dhe për këta njerëz është themeluar kjo familje politike.
Qëllimi është i qartë, atë që nuk u arrit më 25 prill, jo për shkakun e sakrificës tuaj, po për shkak të masakrës zgjedhore, ndryshimin ta sjellim një orë e më parë. Dhe ndryshimi do të vij, na ra ne barra e peshës të kalojmë përmes një sprove shume të madhe, pas asaj të masakrës zgjedhore. Por e sigurt është që vullneti i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, për t’i dhënë fund tranzicionit, për të pasur qarkullimin e elitave, për të pasur një klasë politike e cila hynë në politikë për të shërbyer, vlerësohet me votë dhe ata që janë pjesë e klasës politike, që e abuzojnë pushtetin, ballafaqohen me pasojat e abuzimit me drejtësinë, kjo është aspiratë e shqiptarëve do të bëhet realitet, nuk e ndal dot askush, nuk e ndal dot Edi Rama. Dhe për fat të keq, do të na duhet tani, të paktën deri në shërimin e një plage që padrejtësisht i është mbivendosur Partisë Demokratike, që një pjesë të energjisë ta shpenzojmë edhe brenda familjes. Sepse ata demokratë që janë jashtë aty, ata ndër demokratët që janë jashtë, duhet ditë për ditë e javë për javë t’i kemi kështu, bashkë me ne përpara të keqes. Aty ku ndodh e keqja, nga kryeministria tek ministritë, tek institucionet e tjera të zaptuara që po ua bëjnë jetën ferr shqiptarëve. Sepse sonte që flasim, edhe sonte që flasim, nuk duhet të harrojmë që gjysma e familjeve shqiptare, arrijnë të paguajnë vetëm një vakt në ditë.
Edhe sonte që flasim, s’duhet të harrojmë që gjysma e familjeve shqiptare paguajnë vetëm, arrijnë të paguajnë vetëm një vakt në ditë, për tjetrën ose marrin borxh ose aq hanë. Bëjnë sikur hanë 2 apo 3, një hanë. Këtu ka ardhur Shqipëria nga korrupsioni dhe keqqeverisja nga rrëgjimi i Edi Ramës. Nuk bëhemi dhe nuk do të bëhemi kurrë më as alibi, as strehë, as çarçaf për të mbuluar gabimet, të metat e të kaluarës. Sigurisht pa mohuar në asnjë çast ato gjëra të mira që kemi bërë për shqiptarët, që nuk i bëjnë dot kurrë këta. Se këta pushtetin e shohin si një mjet për veten e tyre, kurse për ne ka qenë një obligim për ta çuar Shqipërinë përpara. Prandaj çdo hap që Shqipëria ka hedhur përpara ka ndodhur kur kemi qeverisur ne, por ama nuk mund të fusë poshtë divanit të metat, gabimet dhe korrupsionin që ka ndodhur. Nuk ka palë brenda familjes tonë. Ka një qëndrim të qartë kundër korrupsionit dhe ka një qëllim të qartë për të larguar rrëgjimin e korruptuar të Edi Ramës.
Nuk ka asnjë familje tjetër politike, asnjë fuqi tjetër politike në këtë vend që mund ta nxjerrë vendin nga kjo greminë, përveç Partisë Demokratike. Prandaj e kemi marrë këtë përgjegjësi, këtë barrë të dyfishtë mbi supet tona. Në radhë të parë për familjen tonë politike dhe në radhë të dytë për familjet e gjithë shqiptarëve dhe familjen e madhe, për gjithë Shqipërinë. Kjo na jep kurajë, kjo na jep qartësi, kjo na jep qëndresën dhe vendosmërinë për ti shkuar deri në fund. Por të ndahesh me të shkuarën nuk do të thotë të lësh prapa ata që duan me zemër të kontribuojnë për të ardhmen, duan me zemër të kontribuojnë për Shqipërinë. Përkundrazi, detyra jonë e parë, këtë javë, është që ti marrim me vete, t’iu shtrijmë dorën, t’iu themi nuk ka të tepër, nuk ka demokratë të tepër në familjen tonë. Shqipëria nuk mund të mbetet peng, Partia Demokratike nuk mund të mbetet peng, prandaj këtu jam dhe do të jem si pengu i demokratëve dhe si pengu i shqiptarëve, por si njeri i lirë përballë rrëgjimit dhe përballë atyre që janë bërë njësh me rrëgjimin duke denigruar, përçarë dhe fryrë frymës së përçarjes. Ata do të dështojnë. Ne do të fitojmë, Shqipëria do të fitojë!
/b.h