Në zyrën e presidencës, Ilir Meta do të ketë ditën e fundit sot, kur vendin e tij do ta zërë Bajram Begaj, i votuar më 4 qershor me 78 vota nga Kuvendi i Shqipërisë, para të cilit më 24 korrik do të bëjë edhe betimin. Presidenti në detyrë Ilir Meta, u vendos në krye të shtetit më 24 korrik të 2017, disa muaj pasi ishte zgjedhur me propozim të socialistëve, u votua në Kuvend vetëm nga mazhoranca, me 88 vota, në një kohë që opozita kishte dy muaj që bojkotonte. Shumë shpejt, Meta do të bëhej president i atyre që nuk ishin në kuvend për ta votuar, duke u rreshtuar hapur në krah të tyre. Që para se të betohej në atë detyrë ai u përfshi në fushatën e vitit 2017, në krah të kandidatëve të LSI dhe me flamurin e ish-partisë së tij, edhe pse ishte president i zgjedhur.
Drejtimi i Presidencës u karakterizua nga përplasje të shpeshta me qeverinë, të cilat zanafillën e kanë në fillim të 2019, kur Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt, si ministër të Jashtëm duke e cilësuar të papërgjegjshëm dhe pa përvojë. Një tjetër përplasje me qeverinë, kreu i shtetit e shënjoi po në 2019, pas dekretit q shtynte zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, dekret që nuk gjeti zbatim nga shumica socialiste, pasi zgjedhjet i mbajti pa opozitën.
Më 2 mars, të vitit 2020 Meta shënoi një tjetër akt të pazakontë të një kryetari shteti duke thirrur protestë kundër qeverisë. Më 2 mars të 2020 ai u zhvendos nga zyra e tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në tubimin kundër atij që e quajti grusht shteti.
Përplasja më e ashpër u regjistrua në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2021, në fushatën e të cilave, Meta u angazhua pavarësisht rolit në krye të shtetit. Retorika e tij, përmes të cilës kërcënonte se nuk do të lejonte prekjen e votës së lirë, prodhoi edhe konfrontim fizik në zyrat e një partie politike, FRD në 12 mars të 2021.
Kjo periudhë shënoi edhe krisjen më të thellë me ndërkombëtarët, veçanërisht me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Meta u bë presidenti i parë në historinë e pluralizmit për të cilin Kuvendi merr nismën për ta shkarkuar, 2 herë, megjithatë arriti të çonte deri në fund mandatin presidencial.
Përgjatë 5 viteve në krye të shtetit, Meta luhatje pati edhe në marrëdhënie me opozitën, të cilën e kundërshtoi për lënien e mandateve duke e quajtur tradhti ndaj demokracisë, edhe pse pjesë e këtij vendimi ishte edhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, si kryetare e LSI.
Krahasuar me paraardhësit në krye të shtetit, Presidenca e Ilir Metës do të mbahet mend edhe për dhënien e një numri shumë të lartë të dekoratave, 276 vetëm brenda 2022, me të fundit dje, atë për Dritëro Agollin.
Fill pasi të lërë presidencën, ditën e nesërme, LSI mbledh Konventën Kombëtare, ku pritet që Meta të marrë drejtimin e forcës politike që themeloi e drejtoi. Aleati i tij kryesor do të jetë Sali Berisha, bashkëpunimin me të cilin nuk e ka fshehur as në ditën e fundit të tij në presidencë…
Braimllari: Pikënisje për ridimensionimin e partisë! Ilir Meta domosdoshmëri për ndryshimin
Lëvizja Socialiste për Integrim mban të hënën Konventën Kombëtare, një event i rëndësishëm politik për këtë parti, që rikthen në politikën aktive edhe Ilir Metën. Ky i fundit, do ta shfrytëzojë për një mesazh mbështetësve të tij.
Por më shumë sesa një takim mes anëtarëve të LSI, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Endrit Braimllari thotë se Konventa Kombëtare do të shërbejë si pikënisje për një ridimensionim të LSI.
“Duhet të ridimesionohet dhe të shtojë energjitë e saj, sepse ne tashmë kemi sfida të reja. Sot vendi përballet me shpopullim total, largimin e të rinjve e të rejave, me kosto të lartë të jetesës, paga të ulëta e mungesën e vëndeve të reja të punës. Pra, një forcë politike nuk mjafton vetëm t’i denoncojë, por duhet edhe të sjellim një alternativë sesi do t’i qaset opinionit publik, për të qenë altenativë qeverisëse nesër për ndryshimin. Në këtë kuadër, nevojitet një ridimensionim total”, tha Endrit Braimllari.
Rikthimi i Metës në opozitë, sipas Braimllarit është një domosdoshmëri për të bërë të mundur ndryshimin.
“Opozita ishte e tradhëtuar nga lidershipi i shkuar i Partisë Demokratike. Kontributi i zotit Meta do të jetë një kontribut i jashtëzakonshëmpër ridimensionimin e rolit të opozitës, por mbi të gjitha do të jetë një nevojë e domosdoshmepër të sjellë ndryshimin në vend”, tha Braimllari.
Braimllari zbulon për Report Tv se LSI do të nisë një fushatë të asaj që e quan thithje të energjive të reja.
“LSI si forcë opozitare bën aleancë me qytetarët, me shoqërinë civile që është në luftë reale me keqqeverisjen. Cilido që është faktor politik a jo-politik që është kundër politikës së Edi Ramës dhe rilindjes patjetër që i ka dyert e hapura. Por cilido qoftë që mendon për interesat personale meskine nuk i shërben as LSI në vetvete dhe as vendit. Pra synojmë që LSI të jetë mekanizëmqë i shërben atyre për të ndryshuar vendin. Në këtë kuadër, kërkohen energji të reja, vizion i ri dhe një tjetër qasje politike”, tha Braimllari.
Konventa e LSI e nesërme e LSI do të jetë politike, dhe jo zgjedhore. Fjalime do të mbajnë përvec Metës edhe figurat qëndrore të kësaj force politike. Pas saj, pritet që të zhbillohen zgjedhjet që do të ngjisin sërish në krye themeluesin e kësaj force politike, që sic Report Tv ka mësuar përmes burimeve Ilir Meta mund t’i ndryshojë edhe emrin./m.j