Që prej themelimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Sali Berisha dhe të tijtë e kanë akuzuar Arben Krajën, prokuror dhe ish drejtues i SPAK se ka qenë ish anëtar i Sigurimit të Shtetit. Akuzat janë intensifikuar kohët e fundit që prej ditës kur Kraja kërkoi masë sigurie ndaj Sali Berishës, si prokuror i dosjes së aferës Partizani dhe po e heton ish Kryeministrin për korrupsion.
Report Tv sjell dokumentet, të botuara për herë të parë, dokumente origjinale që përgënjeshtrojnë Berishën edhe një herë tjetër dhe vërtetojnë se akuzat e tij ndaj sistemit të drejtësisë janë sulme politike për interesa të tij personale.
Arben Kraja është emëruar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, së bashku me 7 kolegë të tij, si prokuror i SPAK më 25 nëntor 2019. Përzgjedhjes së tij i parapriu një proces i rreptë verifikime nga ana e KLP, edhe pasi kishte kaluar me herët vettingun.
Kthim përgjigje për KLP nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
Në këtë dokument, që mban datën 4 prill 2019, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit informon Këshillin e Lartë të Prokurorisë për vendimin e marrë një ditë më parë, për përcaktimin e Arben Krajës si të pastër dhe pa lidhje me ish sigurimin e shtetit.
“Për Zotin Arben Isa Kraja, nga verifikimet e kryera deri më tani, nuk figuron të ketë materiale, në dokumente të ish sigurimit të shtetit në emër të tij”, thuhet në vendimin e firmosur nga Gentiana Sula kryetare e Autoritetet dhe anëtarët Altin Hoxha, Simon Miraka dhe Mareglen Kasmi.
Vendimi i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për Arben Krajën
Ka qenë pikërisht një dokument i përpiluar nga ky i fundit, Mareglen Kasmi, mendim paralel argumentues, i cili shpjegon me hollësi pse Kraja nuk ka pasur lidhje me komunizmin. Në pjesën argumentuese të vendimit janë pasqyruar të dhëna konkrete të përftuara nga verifikimi.
“Nga verifikimet e kryera deri tani, rezulton se, shtetasi Arben Isa Kraja, ka qenë me detyrë hetues në Hetuesinë e Rrethit Shkodër në vitin 1990, pra përpara datës 2 korrik të vitit 1991 që është edhe fushëveprimi i ligjit mbi bazën e të cilit vepron Autoriteti. Nga përmbajtja e dokumentacionit që ndodhet në arkivat tona, rezulton se Z. Arben Kraja, ka hetuar një çështje penale në ngarkim të dy të pandehurve për kalim të paligjshëm të kufirit në bashkëpunim. Si vepër penale, kalimi i paligjshëm i kufirit bën pjesë në kreun 8-të “Krime kundër rendit administrativ” dhe jo në kreun “Krime kundër shtetit” vepra penale këto të parashikuar në kreun e parë neni 47 të Kodit Penal të vitit 1977. Si e tillë vepra penale kalim i paligjshëm i kufirit, nuk bën pjesë në kategorinë e veprave penale në kuptim të ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, dhe si rrjedhim nuk bën pjesë në fushën e veprimit të ligjit nr. 45/2015 neni 2 sipas të cilit “Ky ligj zbatohet për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë dhe që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr. 7514, datë 30.9.1991”, thuhet në dokument.
Mendimi i argumentuar i anëtarit të Autoritetit të Dosjeve, Mareglen Kasmi për pastërtinë e figurës së Arben Krajës
Argumentet e plota ligjore:
1. Informimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, qoftë edhe në pjesën argumentuese, për aktivitetin e z. Kraja si hetues në vitin 1990 nuk është kompetencë e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet i ish-Sigurimit të Shtetit dhe është kësisoj jashtë fushës së veprimit të ligjit 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Ligji 45/2015 detyron Autoritetin të japë informacion vetëm për ish-Sigurimin e Shtetit dhe për strukturat që vareshin prej tij. Në vitin 1990, Hetuesia nuk ishte pjesë e Sigurimit të Shtetit dhe nuk kishte lidhje hierarkie me të.
Sa më sipër, në kuadër të verifikimeve institucionale sipas detyrimeve të përcaktuara në nenin 29, pika 2 të ligjit 45/2015, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit i përgjigjet institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për zyrtarin që emërohet ose ngrihet në detyrë, përkatësisht nëse: a) ka qenë ose jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm; b) ka qenë ose jo bashkëpunëtor aktiv i ish- Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe c) figuron ose jo në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
2. Po ashtu, ne pjesën argumentuese qartazi është shkruar se z. Kraja ka hetuar një çështje penale në ngarkim të dy të pandehurve për kalim të paligjshëm të kufirit në bashkëpunim, çka edhe asokohe konsiderohej “Krim kundër rendit administrativ” dhe jo “Krim kundër shtetit”. Si e tillë, vepra penale kalim i paligjshëm i kufirit, nuk bën pjesë në kategorinë e veprave penale në kuptim të ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politike”, dhe si rrjedhim nuk bën pjesë në fushën e veprimit të ligjit nr. 45/2015. Pse duhet që Autoriteti të shprehet për diçka që është jashtë fushës së veprimit të tij?
3. Dokumentacioni i konsultuar nga Autoriteti në rastin konkret nuk është hartuar nga Sigurimi i Shtetit. Sipas përcaktimeve të ligjit 45/2015, neni 2, pika 1, Autoriteti e zbaton ligjin për informim vetëm mbi dokumentet e krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit.
Akuzat e Berishës dhe Rithemelimit të tij e kanë detyruar faktorin ndërkombëtar por edhe institucionet e drejtësisë që të reagojnë në mbrojtje të prokurorëve të SPAK. Ata kanë kujtuar se procesi i përzgjedhjes së prokurorëve të SPAK zgjati plot 9 muaj. Në përfundim të atij procesi konkurrues e transparent, është bërë gjithçka mirën për të garantuar suksesin thelbësor të SPAK përmes përzgjedhjes të prokurorëve më të mirë.
Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri. Madje, kalimi i këtyre testeve ka qenë një parakusht për të marrë pjesë në garën e organizuar nga KLP për përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Më tej prokuroret e SPAK janë përzgjedhur midis shumë të tjerëve në një proces konkurrues dhe transparent. Të gjithë faktorët që parashikon ligji për kontrollin e figurës së prokurorëve janë kontrolluar në detaje./shqiptarja.com