E gjithë kjo panoramë nuk është e treguar nga ish të burgosur të regjimit. Këto janë detaje të përshkruar në dy raporte informative të Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe Dhori Panariti, krejtësisht zyrtare me numër protokolli të firmosura e të vulosura në fund, mbi gjendjen e burgut dhe qelitë e paraburgimit në Tiranë, si dhe për një varg ankesash nga të burgosur të sëmurë dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme.
Për ta parë të detajuar panoramën e gjendjes së burgjeve në këtë periudhë në Shqipëri po i sjellim të plota për lexuesit e Shqiptarja.com dy dokumentet e përmendura së bashku me faksimilet.
INFORMACION
MBI GJENDJEN NË BURGUN DHE DHONAT E
PARABURGIMIT NË RRETHIN E TIRANËS
Edhe herë të tjera e kemi ngritur problemin e gjendjes së padëshirueshme në burgun e Tiranës si dhe në dhomat e paraburgimit, gjendje e cila megjithëse në raste të shkëputura ndryshon, përsëri mjaft probleme nuk gjejnë zgjidhje definitive. Ndër këto më kryesoret janë:
1) Burgu i Tiranës është transit për të dënuarit e rretheve të tjera para dërgimit nëpër burgje e reparte riedukimi. Këta të dënuar në pritje për t’u shpërndarë, qëndrojnë aty nga dy, tre e më tepër muaj, përveç kohës që kanë qëndruar në dhomat e izolimit të rretheve prej nga vijnë. Në këtë mënyrë në periudha të ndryshme grumbullohen jashtë kapacitetit të burgut dhe kështu flenë shumë shtrënguar. Është për t’u theksuar se në shumicën dërrmuese këta janë të rinj dhe të mitur. Kështu p.sh. tani ndodhen në këtë burg 165 të dënuar prej të cilëve 121 janë të rinj dhe të mitur.
Duke qëndruar këta të dënuar në burgun e Tiranës për një kohë të gjatë, dëmtohet shëndeti i tyre, kjo forcë nuk shfrytëzohet për punë dhe njëkohësisht vështirësohet riedukimi i tyre.
2) Gjendja e këtyre të dënuarve nga ana higjieno-sanitare është jo e kënaqshme. Meqenëse ata janë transit rrobat e fjetjes janë jashtë përdorimit dhe të pamjaftueshme. Po kështu meqë nuk kanë kushte për ujë të ngrohtë, teshat personale nuk i lajnë. Mendojmë se në këto rrethana duhen parë edhe kushtet e tyre në dhomat e paraburgimit të Degëve të Punëve të Brendshme nëpër rrethe.
3) Nga kontrolli i ushtruar nga ana jonë, në datën 10.04.1973 në dhomat e paraburgimit të burgut të Tiranës, u konstatua se në 48 dhomat ekzistuese janë aktualisht 151 persona, nga të cilët 18 janë gra. Në këta 151 persona nuk përfshihen 21, që u hoqën në datën 09.04.1973 dhe u dërguan në dhomat e burgut. (Për këta, me përjashtim të njërit, vendimi i dënimit nuk ka marrë formën e prerë).
Sipas instruksionit për kubaturën ekzistuese, në këto dhoma paraburgimi, nuk duhet të ketë më tepër se 2 persona. Në fakt në 20 dhoma ka nga 3 persona, në 10 dhoma ka nga 4, në 3 dhoma nga 6 dhe në 1 dhomë ka 7 persona. Pra në 34 dhoma ka nga më tepër se 2 persona.
Në disa dhoma paraburgimi, qëndrojnë bashkërisht persona me moshë të re me ata me moshë të rritur, gjë kjo që vjen në kundërshtim me pikën 32 të instruksionit.
Mendojmë që gjendja e burgut dhe e dhomave të paraburgimit në përgjithësi kërkon një studim të gjithanshëm për të bërë një përmirësim rrënjësor dhe në përputhje me instruksionin në fuqi, të kushteve të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Dobësi të tilla ka edhe në dhomat e izolimit të Degëve të Punëve të Brendshme të rretheve të tjera, sidomos në Lushnjë, Kolonjë, Krujë e Gjirokastër.
Tiranë, më 14.04.1973
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
(Dhori Panariti)
(vula, firma)
Dokumenti i dytë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURORIA E PËRGJITHSHME
(Drejt. Kont. Vep. hetimore)
Nr. 737/1 Sekret
Tiranë, më 19.04.1973
SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
(SHOKUT HAKI TOSKA)
TIRANË
Bashkangjitur po ju dërgojmë relacionin “Mbi disa të dënuar që kanë nevojë për t’u shtruar në spital për kurim”.
Këtë relacion ia kemi dërguar edhe shokut Kadri Hazbiu.
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
(Dhori Panariti)
(vula, firma)
Shokut Qemal Murseli:
Për ta parë me Ministrinë e Brendshme dhe të Shëndetësisë që të marrin masat e nevojshme që të zbatohen udhëzimet e dhëna.
20.04.1973
(firma)
RELACION
MBI DISA TË DËNUAR QË KANË NEVOJË PË
SHTRIM NË SPITAL
Në Prokurorinë e Përgjithshme janë lutje nga të dënuar që ndodhen në repartet e riedukimit, me të cilat kërkojnë ndërhyrje për t’u shtruar në spital, sipas rekomandimeve që kanë dhënë komisionet mjekësore gjatë vizitave periodike që janë bërë në këto reparte. Gjithashtu një pjesë e të dënuarve ankohen, sepse megjithëqë nuk kanë rekomandim nga komisioni, ndiejnë nevojën e shtrimit në spital si për mjekime ashtu edhe për analiza, konsulta apo për të qenë nën observacionin e mjekëve specialistë. Shumë ankesa të kësaj natyre u janë bërë prokurorëve të rretheve gjatë kontrolleve që kanë ushtruar në repartet e riedukimit si dhe të deleguarve të Prokurorisë së Përgjithshme kur kanë zhvilluar kontrolle në vendet e vuajtjes së dënimit. Vetëm në repartin e riedukimit të Bulqizës janë 34 të dënuar që kanë nevojë të vizitohen tek otorinologu, 23 tek ortopedi, 14 tek okulisti, 16 te dermatologu dhe 9 te psikiatri. Kërkesa të tilla ka edhe në reparte të tjera.
Duke u nisur nga konstatimet që ka vetë Prokuroria e Përgjithshme si dhe nga disa relacione të dërguara nga prokuroritë e rretheve, rezulton se është bërë një punë jo e pakët për t’i dhënë ndihmën mjekësore të dënuarve që kanë pasur nevojë për një gjë të tillë, sipas rekomandimeve nga komisioni. Vetëm për vitin 1972, janë shtruar në spital apo sanatorium 226 të dënuar të ndryshëm. Një pjesë e këtyre të dënuarve janë shtruar brenda një kohe të shkurtër nga dita e konstatimit të sëmundjes dhe e rekomandimit të komisionit, për rrjedhim të sëmurët janë shëruar plotësisht, është evituar përparimi i sëmundjes dhe koha e qëndrimit të tyre në spital ka qenë më e shkurtër. Në këto çaste edhe qarkullimi i të sëmurëve ka qenë më i madh, duke krijuar mundësi për t’u shtruar në spital më shumë persona. Në repartin e riedukimit të Qytetit Stalin dhe të Borshit, ndonëse kërkesat për shtrim kanë qenë më të pakta në krahasim me repartet e tjera, duhet thënë se janë marrë masa më të mira për dërgimin dhe shtrimin e të sëmurëve në spital. Në disa reparte të tjera si në Ballsh, Bulqizë, Spaç, ky problem nuk është zgjidhur si duhet. Të dhënat nga prokuroritë e rretheve tregojnë, se për personat e dërguar në spital gjatë vitit 1972 janë vërtetuar vonesa të theksuara. Në repartin e Bulqizës, të dënuarit Ismail Halili, Zyhdi Sela, Hiqmet Murati, Bilal Korriku, Hazis Hasani, Spiro Gjuni, Hazis Lushaj etj., janë rekomanduar për shtrim e mjekim që në janar 1972 dhe efektivisht janë shtruar më 22 maj 1972. Në repartin e Spaçit, i dënuari Asllan Shima është shtruar pas 4 muajsh nga dita e rekomandimit të komisionit etj. Duhet theksuar se një pjesë e të sëmurëve vuanin nga sëmundje të rënda dhe infektive ose kanë pasur nevojë për operime të ndryshme dhe pa dyshim koha e gjatë që ka kaluar ka influencuar në keqësimin e gjendjes shëndetësore dhe nga ana tjetër ka vështirësuar shërimin e shpejtë të tyre. Kështu i dënuari Muharrem Mborja, pothuajse prej 1 viti ka kërkuar shtrimin në spital dhe përfundimisht, pasi u shtrua me insistimin e prokurorisë së rrethit Fier, në gjendjen e tanishme mjekët ishin të mendimit se për shkak të avancimit të sëmundjes nuk ka shërim por i duhet prerë këmba, dhe në fakt kështu u veprua.
Aktualisht janë 99 të dënuar që kanë raport nga komisioni mjekësor për t’u shtruar në spital apo në sanatorium, që i përkasin repartit të Ballshit 48 të dënuar, repartit të Spaçit 20, repartit të Fishtës 6, repartit të Borshit 7, repartit të Burrelit 5 dhe repartit të Bulqizës 13 të dënuar. Mjaft nga të sëmurët kanë disa muaj që presin për t’u shtruar. Kështu 48 të dënuarit e repartit të Ballshit janë caktuar që në muajin qershor 1972 për t’u shtruar dhe efektivisht nuk janë shtruar akoma, 15 të dënuarit e repartit të Spaçit janë që nga muaji gusht 1972, 13 të dënuar të repartit të Bulqizës janë që nga muaji qershor 1972 etj. Pra siç shihet, të sëmurët kanë nga 8-9 muaj që presin për t’u shtruar në spital apo sanatorium.
Shkaku kryesor për këtë gjendje është se kapaciteti i spitalit të burgut është i vogël dhe masat që parashikohen të merren nuk e zgjidhin këtë problem definitivisht. Në të njëjtën kohë nuk është ndjekur edhe një kriter i drejtë për shtrimet. Kështu ndërsa të dënuarit e reparteve të Ballshit, Spaçit apo Bulqizës qëndrojnë pa u shtruar në spital që nga muaji qershor e gusht 1972, të dënuar të tjerë nga këto reparte apo nga reparti i Burrelit dhe Borshit ndonëse me sëmundje të njëjta janë rekomanduar dhe shtruar brenda një kohe të shkurtër në muajin dhjetor 1972 ose janar e shkurt 1973. Pra vende në spital janë liruar herë pas here, por këto nuk u janë rezervuar në radhë të parë rekomandimeve më të vjetra, duke përjashtuar natyrisht rastet urgjente. Gjithashtu edhe puna në spital nuk është organizuar si duhet për të mjekuar më shpejt të sëmurët me qëllim që të lirohen sa më parë vendet.
Problem që akoma nuk ka gjetur zgjidhje është edhe çështja e shtrimit në spital të paraburgosurve që dërgohen për ekspertiza sidomos psikiatrike. Në praktikë ka pasur raste që të paraburgosurit kanë qëndruar me 3-4 dhe 5 muaj në dhomat e izolimit në pritje për t’u dërguar në spitalin psikiatrik. Aktualisht janë 25 të paraburgosur që mbahen në hetim vetëm sepse nuk është zhvilluar ekspertiza psikiatrike për mungesë të vendeve në spital.
Jemi të mendimit se është e domosdoshme marrja e masave të tjera për ndryshimin e gjendjes së krijuar si për sa i përket mjekimeve ashtu edhe shtrimeve në spital, të zbatohet më mirë për këtë qëllim, udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë, mbasi aktualisht ky udhëzim nuk po gjen zbatim. Do të ishim të mendimit që mjaft kërkesa të të dënuarve si p.sh. për analiza laboratorike, për radioskopi, për konsulta ose observacione te specialistët, mund të zgjidheshin në marrëveshje me seksionet e shëndetësisë të rretheve ku janë vendosur repartet e riedukimit. Kjo do të evitonte shtrimin e të dënuarve në spitalin e burgut dhe do lehtësonte gjendjen e krijuar për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm të spitalit. Gjithashtu mendojmë se dërgimi i të paraburgosurve për ekspertin psikiatrik mund të organizohej edhe në spitalin e Elbasanit dhe Vlorës ku janë mundësitë teknike për kryerjen e këtij lloj ekspertimi.
Tiranë, më 17.04.1973
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
(Dhori Panariti)
(vula, firma)