Siç edhe e kishte paralajmëruar më herët, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka miratuar rregulloren e re në të cilën është përcaktuar në mënyrë të detajuar e gjitha praktika që duhet të ndiqet.

PËRFITIMI
Ndryshe nga sa ndodhte më parë, për të përfituar pagesën mujore, personat me aftësi të kufizuar nuk do të duhet më t’i drejtohen KMCAPve (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë), pasi vendimi do të merret bazuar në dokumentacionin e dosjes së dërguar nga mjeku dhe përgjigjja do t’i dërgohet në shtëpi nga administratori shoqëror pranë njësisë ku edhe banon.
Pra “filtri” i vetëm do të jenë mjekët specialistë, të cilët do të përcaktojnë edhe diagnozën. Mbi bazën e dokumentacionit që këta të fundit do të dorëzojnë, anëtarët e KMCAP do të gjykojnë nëse plotësohen ose jo kushtet ligjore, do të vendosin grupin e përfitimit, pra, nëse i sëmuri ka nevojë për përkujdesje apo jo, si edhe afatet e përfitimit.
Në përfundim të kësaj praktike, dosja dërgohet pranë Drejtorisë së Shërbimit Social, e cila e referon më tej listën e përfituesve pranë njësisë administrative. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për të verbrit, që janë aktualisht në skemë dhe ata që do të përfshihen rishtazi. Aplikimi do të kryhet elektronikisht nga Komisionet Mjeko-Ligjore dhe shqyrtimi i kërkesës do të bëhet brenda 30 ditëve.
AFATET
Ndryshime kanë pësuar edhe afatet e daljes në Komision. Në rastin e personave me aftësi të kufizuar dhe të verbërve, koha e rivlerësimit do të jetë 1, 3, 5 vjet dhe përgjithmonë. Ndërsa për ata persona që KMCAP i shpall të aftë për të punuar, koha e përfitimit të kempit do të jetë vetëm 48 muaj, me qëllim riintegrimin e tyre në tregun e punës dhe shkëputjen nga skema e mbështetjes financiare. /panorama

ma.me










