Ky draft që pritet të gëzojë shumë ndërtues pallatesh pa leje, apo individësh që kanë blerë apartamente pa leje, së shpejti miratohet në qeveri. Ai përcakton procedurat e detajuara se si duhet të veprojë ndërtuesi apo pronari i pallateve apo apartamenteve pa leje.
Dokumenti i plotë
I. LEGALIZIMI NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE ME SHKELJE TË LEJES SË NDËRTIMIT
1.Procedurat e legalizimit të objektit me shkelje të lejes së ndërtimit kryhen në favor të poseduesve (si porositës, apo pronarë trualli, sipas kontratave të porosisë/ sipërmarrjes, ose aktmarrëveshjes) në rastet e mëposhtme:
a)Subjekti ndërtues/investitori është në kushtet e nenit 99 (ose 187) të ligjit nr.9901 datë 14.04.2008 “Për shoqëritë tregtare” të ndryshuar; ose
b)Subjekti ndërtues/investitori nuk dorëzon brenda 30 ditësh nga data e njoftimit, dokumentacionin e kërkuar zyrtarisht nga ALUIZNI sipas ligjit nr.9482 date 03.04.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar, ose nuk shlyen, brenda të njëjtit afat, detyrimet financiare sipas nenit 43 të të njëjtit ligj. Këtu përfshihet dhe rasti kur subjekti rezulton me veprimtari të pezulluar prej të paktën 1 viti, sipas informacionit të administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
2.Kur plotësohen kushtet e pikës 1 të këtij vendimi, drejtoritë e ALUIZNI-t vijojnë legalizimin në favor të poseduesve të apartamenteve, ose ambienteve me funksion social-ekonomik, në vijim të quajtura “njësi individuale”, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim.
3.Drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t, pas kryerjes së procedurave të evidentimit në terren, hartojnë listat e ndërtimeve të ngritura nga subjektet që gjenden në kushtet e pikës 1 të këtij vendimi, si dhe listën e poseduesve të njësive individuale dhe i afishojnë ato në faqen zyrtare të ALUIZNI-t, në ambientet e drejtorive dhe të objekteve që do t’i nënshtrohen procesit të legalizimit, si dhe pranë njësive të qeverisjes vendore.
4.Legalizimi dhe regjistrimi për objektet që trajtohen sipas këtij kreu, në varësi të gjendjes ligjore, kryhet në dy faza:
a)Miratimi i lejes së legalizimit për objektin kryesor (sipas projektit të miratuar nga organi kompetent) së bashku me shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara nga subjekti ndërtues dhe regjistrimi i tyre në ZVRPP në emër të ALUIZNI-t, duke u përjashtuar nga taksat dhe tarifat e shërbimit.
b) Miratimi i lejes së legalizimit për shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara nga vetë subjektet poseduese.
5.U nënshtrohen kritereve kualifikuese të parashikuara në VKM nr.280, date 01.04.2015 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”, vetëm shtesat në tejkalim të lejes së ndërtimit. Nëse shtesa gjendet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi, legalizohet dhe regjistrohet vetëm objekti kryesor.
6. Poseduesit e njësive individuale duhet të dorëzojnë dokumentacionin që provon marrëdhënien juridiko-civile me subjektin ndërtues/investitor. Pas procedurave sipas pikës 4, germa a), e këtij vendimi, drejtoria e ALUIZNI-t miraton lejet e legalizimit për njësitë individuale, në favor të poseduesve, sipas dokumentacionit të sipërpërmendur.
7. Kur për të njëjtën njësi individuale ka pretendime nga dy apo më shumë persona, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata. Procedurat e legalizimit në këtë rast pezullohen, me paraqitjen e vërtetimit gjyqësor nga pala e interesuar, apo me vendim gjyqësor për vendosjen e masës së sigurimit të padisë. Këto procedura rinisin në përputhje me dispozitivin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, të dorëzuar nga subjekti i interesuar.
8. Regjistrimi i njësive individuale dhe i pjesës takuese të bashkëpronësisë do të kryhet sipas lejes së legalizimit. Për këtë qëllim, zbatohen procedurat e parashikuara në VKM nr.095, datë 28.12 .2015 “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.
9. Dokumentacioni për qëndrueshmërinë konstruktive të objektit i parashikuar në nenin 37, shkronja b) e ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar, do të depozitohet nga poseduesit e njësive individuale.
10. Për pagesën e tarifës së shërbimit nga poseduesit, do të zbatohen pikat 2 deri në 4/1 të VKM nr.860, datë 10.12.2014 “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim” të ndryshuar.
11. Penalitetet sipas nenit 43 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar, mbarten nga subjekti ndërtues/investitor dhe nuk pengojnë legalizimin në favor të poseduesve, sipas këtij kreu. Ato llogariten nga drejtoria e ALUIZNI-t dhe i njoftohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nëse subjekti është duke iu nënshtruar procedurave të falimentit, ato i njoftohen edhe personit të ngarkuar me likuidimin e shoqërisë tregtare dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit.
12. Përjashtimisht, për rastet e parashikuara në gërmën “a”, pika 1, të këtij vendimi, detyrimi për pagesën e penalitetit konsiderohet i shuar, si pasojë e mos ekzistencës së subjektit investitor/ndërtues, në përputhje me nenet 99 dhe 187 të ligjit nr.9901/2008 i ndryshuar.
II. LEGALIZIMI NË EMËR TË SUBJEKTIT NDËRTUES/INVESTITOR
13. Për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, që nuk trajtohen sipas kreut i të këtij vendimi, leja e legalizimit miratohet për subjektin ndërtues/investitor që rezulton i tillë nga leja e ndërtimit, apo për subjektin të cilit i janë njohur të drejta mbi ndërtimin, nëpërmjet:
a) veprimeve juridiko-civile (kontrata, akte noteriale) për kalimin e të drejtave mbi investimin/ndërtesën, nga investitori/ndërtuesi tek një subjekt tjetër;
b) vendimit gjyqësor të formës së prerë.
14. Legalizimi nuk pengohet nga detyrimet tatimore që kanë palët si rezultat i veprimeve të kryera më parë për kalimin e të drejtave mbi objektin, dhe as nuk i shuan këto detyrime. Në zbatim të kësaj pike ALUIZNI, në momentin e dërgimit të lejes së legalizimit për regjistrim pranë ZVRPP, përcjell kopje të dokumentacionit të praktikës, pranë drejtorisë rajonale tatimore, për vlerësimin e detyrimeve përkatëse.
15. Rregullat e përcaktuara në pikat 4 dhe 5 të këtij vendimi, zbatohen edhe për objektet që legalizohen sipas këtij kreu.
Ill. LEGALIZIMI I OBJEKTEVE SHUMËKATËSHE PA LEJE NDËRTIMI, TË DESTINUARA PËR KALIM PRONËSIE APO QERADHËNIE
16. Evidentimi i objekteve shumëkatëshe (mbi 5 kate), të ngritura pa leje ndërtimi të organeve kompetente, për qëllim shitblerje apo qiradhënie të njësive individuale të banimit apo shërbimit, kryhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t, nëpërmjet bashkërendimit dhe shkëmbimit të informacionit me njësitë e qeverisjes vendore si dhe nëpërmjet procedurave të evidentimit në terren.
17. Subjekti ndërtues/investitori që ka ngritur objektin shumëkatësh pa leje të organeve kompetente, me qëllim shitblerjen dhe/ose qiradhënien, paguan pranë njësisë së qeverisjes vendore, taksën e ndikimit në infrastrukturë sipas pikës 2 të nenit 27 të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar. Drejtoritë e ALUIZNI-t, për këtë qëllim zbatojnë procedurat e parashikuara në pikën 5 të VKM nr.860, datë 10.12.2014 “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim” të ndryshuar.
18. Kur aplikues për legalizim janë banorët/poseduesit e njësive individuale të ndërtimit shumëkatësh, procedurat administrative ndiqen nga ALUIZNI në favor të tyre. Në këtë rast, taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet sipas pikës 2/1 të nenit 27 të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar. Për subjektet që nuk kanë paraqitur aplikim për legalizim, zbatohet pika 3/1 e VKM nr.589 datë 10.09.2014 “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik, në terren, të ndërtimeve pa leje/shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale” të ndryshuar.
19.Për objektet që trajtohen sipas këtij kreu, drejtoritë e varësisë së ALUIZNIt, nuk marrin parasysh asnjë veprim juridiko-civil që ka për qëllim kalimin tek të tretët të të drejtave mbi objektin shumëkatësh, apo mbi njësitë individuale. Përjashtim nga ky rregull bëjnë rastet kur aplikues për legalizim janë poseduesit e njësive individuale.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
20. Problematikat e pozicionimit të objektit me shkelje të lejes së ndërtimit dhe/ose të sheshit të ndërtimit zgjidhen duke u mbështetur në gjendjen ndërtimore, të evidentuar në terren nga drejtoritë e ALUIZNI-t.
21. Në rastin kur rezulton se objekti/sheshi i ndërtimit shtrihet jashtë truallit të përcaktuar në lejen e ndërtimit drejtoritë e ALUIZNI-t, si rregull, procedojnë sipas neneve 15/1 dhe 17 të ligjit nr.948 2, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, nëse nuk arrihet marrëveshje juridiko-civile mes palëve private. Këto dispozita zbatohen edhe kur ka ndryshime të gjendjes juridike të pronësisë të sheshit të ndërtimit, në raport me dokumentacionin e lejes përkatëse të ndërtimit.
22. Në pikën 11 të vendimit nr.465, datë 22.06.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, në fund të fjalisë shtohen fjalët “,ose kur gjendja juridike e pronësisë së sheshit të ndërtimit ka ndryshuar”.
23. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare./a.m.
KRYEMINISTRI EDI RAMA
MINISTER EGLANTINA GJERMENI