Qytetarët dhe bizneset kanë kursyer më shumë para vjet. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë vlera e depozitave në fund të muajit dhjetor 2025 arriti në rreth 14.8 miliardë euro, shifra më e lartë historike, duke u rritur me 1.2 miliardë euro krahasuar me 2024-ën.
Shifrat tregojnë se në fund të dhjetorit kursimet në lekë ishin 7.1 miliardë euro, me rritje prej gati 814 milionë euro krahasuar me 2024-ën. Ndërkohë nëpër banka janë 7.7 miliardë euro kursime në monedhë të huaj euro dhe dollarë, me rritje prej 411 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në fakt në shtimin e kursimeve ka një paradoks shqiptar, pasi raporti i vitit të kaluar i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave tregonte se një në tre llogari të çelura në sektorin bankar është bosh, ndërsa pakica ka pjesën dërrmuese të kursimeve.
Mbajtja e depozitave në lekë është më e sigurt gjatë viteve të fundit, kjo pasi nuk ekspozohen ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, siç ndodh me kursimet në monedhë të huaj.
Për këtë arsye, paratë po mbyllen në banka më shumë në lekë me ritëm më të shpejtë sesa në valutë, pasi dobësimi i euros dhe dollarit i ka dëmtuar qytetarët dhe bizneset që i kishin kursimet e tyre në këto monedha.
Depozitat e mbajtura në euro apo dollarë e humbasin vlerën kur këmbehen me lekun. Nëse një individ tërheq 10 mijë euro kursime në monedhën evropiane, dhe i konverton në lekë ai do të marrë pas vetëm 960.000 lekë, pra 400 euro humbje prej zhvlerësimit të euros përball lekut, krahasuar me vitin 2024. E njëjta gjë me të gjithë ata që kanë kursime në një llogari në valutë të huaj.











