• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, December 21, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

“Do të vdes si burrë”, çfarë shkroi Riza Dani në letrat e cigares para pushkatimit! Kush ishte juristi që sfidoi Enver Hoxhën e Koçi Xoxen..

by Os De
20/12/2025 10:09
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Historia shqiptare e shekullit XX është e mbushur me figura të ndritura që u shuan dhunshëm, jo për faj, por për mendim. Një ndër këto figura tragjike është Riza Dani, intelektual shkodran, jurist, publicist dhe patriot, i cili u pushkatua nga regjimi komunist më 1948. Jeta dhe vepra e tij përfaqësojnë dramën e inteligjencës shqiptare që u përpoq të mbrojë ligjin, lirinë dhe dinjitetin njerëzor në një kohë kur dhuna ideologjike po shndërrohej në normë shtetërore. Riza Dani lindi në Shkodër, qytet me traditë të thellë kulturore dhe qytetare. I formuar në një mjedis ku fjala e lirë, debati dhe kultura juridike kishin rrënjë të hershme, ai u edukua me parime europiane të drejtësisë dhe shtetit ligjor. Studimet e tij në fushën e juridikut dhe përgatitja intelektuale e bënë shpejt pjesë të elitës mendore të kohës. 

Dani ishte nga ata njerëz që e shihnin shtetin jo si mjet force, por si kontratë morale mes pushtetit dhe qytetarit. Në shkrimet dhe qëndrimet e tij publike, ai shfaqej si mbrojtës i ligjit, i pronës dhe i lirive themelore, duke besuar se Shqipëria mund të ndërtohej vetëm mbi bazën e drejtësisë dhe respektit për individin. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria hyri në një periudhë dramatike transformimi politik. Regjimi komunist, i dalë fitues nga lufta, nisi menjëherë instalimin e një pushteti totalitar. Në këtë klimë frike dhe dhune, Riza Dani nuk heshti. Ai nuk ishte politikan partiak në kuptimin klasik, por një qytetar i angazhuar, që e konsideronte heshtjen si bashkëfajësi. Ai kundërshtoi hapur shkeljen e ligjit, konfiskimin arbitrar të pronës, gjyqet politike dhe eliminimin e kundërshtarëve. Në një kohë kur shumica u detyruan të përshtaten ose të heshtin për të mbijetuar, Riza Dani zgjodhi të fliste. Kjo zgjedhje do t’i kushtonte jetën. 

ÇËSHTJA KOMBËTARE 

Së bashku me Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin, Mati Logorecin, vëllezërit Kraja, Riza Dani ishte ndër 166 pjesëtarët e klubit “Gjuha shqipe” themeluar prej Kel Marubbit. Qe shumë aktiv për ngritjen e flamurit më 1913 në Shkodër së bashku me të vëllanë, Dan Hasanin. Malazezët u përpoqën ta arrestonin më 1914, por iku në Mirditë. Ishte ndër organizatorët e lëvizjes kundër austro-hungarezëve që u mbajt tek “Xhamia Plakë” po në Shkodër, ku më pas mori pjesë në administratën austro-hungareze në Drejtorinë e Përgjithshme të Drejtësisë. Qe pjesë e organizatës revolucionare “Krahu Kombëtar” dhe qe ndër këshilltarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, të cilin e përfaqësoi në Kongresin e Durrësit. Në vjeshtën e vitit 1919 pasi Komiteti Qendror i organizatës “Krahu Kombëtar” nuk e pranoi në radhët e veta, doli nga kjo organizatë. U zgjodh deputet i parlamentit të parë shqiptar (1921-1923), i cilësuar “ex-Nëkryetari” i klubit “Bashkim” dhe i shoqërisë “Vaso Pasha”, duke bashkëpunuar ngushtë me Gurakuqin dhe bëri pjesë në grupin e 12 deputetëve shkodranë. Fillimisht qe pjesë e shkaktarëve të krizës së dhjetorit 1921, më pas vetëm ka përkrahur opozitën ku figura kryesore ishin Gurakuqi dhe Noli. Mbështeti Lëvizjen e qershorit më 1924 dhe u caktua prefekt i Durrësit përgjatë qeverisë së Nolit. 

LARGIMI NË ITALI 

Me Triumfin e Legalitetit dhe ardhjes edhe njëherë në pushtet të Ahmet Zogut, u largua drejt Italisë me bashkëpunëtorët e lëvizjes nga Vlora më 24 dhjetor 1924. Po hante darkë me Gurakuqin në restorantin e hotel “Cavour” në Bari, para se miku i tij të vritej. Më 21 tetor të 1925 u lëshua një letërqarkore nga Prefektura Shkodër, ku Dani figuron në listën e emrave që ishin të lirë të ktheheshin në atdhe, por nuk u kthye. Dani ishte ndër anëtarët e opozitës së vjetër që mori pjesë në “Konare”, u vendos në Zara dhe si anëtarët e tjerë të Konares, kishte kontakte me jugosllavët. Shtatorin e 1927 u largua nga Konareja, pasi Kominterni kërkoi riorganizim ideologjik të Komitetit drejt së majtës. Pas kësaj mbështeti qëndrimet e Mustafa Krujës, të dy të ndihmuar nga Italia; më pas me Krujën pati një thyerje në relata. Pas atentatit ndaj Zogut në Vjenë më 1931, autoritetet austriake e larguan dhe Dani u zhvendos në Fiume. 

KTHIMI NË ATDHE 

Riza Dani u kthye në atdhe më 5 qershor 1939 pas pushtimit italian, më 10 tetor 1940 anëtar i Këshillit të Shtetit (deri më 1943) kërkoi vjetërsi/pension shërbimi për kohën e emigracionit bashkë me disa dhjetëra antizogistë të tjerë. Më 18 prill 1940 vizitoi Vlorën me rastin e mitingut të njëvjetorit të “bashkimit personal” me Italinë, si figurë e lartë e kohës. Qe gjithashtu anëtar i Komisionit për përcaktimin e rrogave jetike për meritat e atdheut. Pas kapitullimit të Italisë më 1943, anoi nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare, kryetar i Këshillit Antifashist të qytetit dhe pas Kongresit të Përmetit më 24 maj zgjidhet anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Megjithatë, për shkak se bënte pjesë në partinë nacionalçlirimtare, qeveria ‘Mitrovica’ e pushon nga puna si anëtar i Këshillit të Shtetit më 29 prill 1944 duke filluar zbatimi financiar nga 3 dhjetori 1943. Pas ardhjes në fuqi të komunistëve, qe kryetar i Komitetit Ekzekutiv i Prefekturës Shkodër 1944-1945 dhe pas janarit 1945 anëtar i Komisionit për asistencën sociale për ndihmë të të dëmtuarve nga Lufta, formuar nga Këshilli Nacionalçlirimtar në Shkodër. Kandidoi dhe u zgjodh deputet nga lista e kandidatëve të Frontit Nacionalçlirimtar në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. 

KUNDËRSHTITË NË PARLAMENT 

Në parlamentin e ri, Riza Dani ishte një nga drejtuesit e opozitës. Më 12 janar 1946, kur po mbahej mbledhja e katërt e kësaj Asambleje, që si pikë të dytë të rendit të ditës kish zgjedhjen e Presidiumit të Asamblesë, Riza Dani e kundërshtoi listën e propozuar në emër të pesë deputetëve të Beratit nga Kahreman Ylli. Mbas shumë debatesh fitoi të drejtën për të paraqitur edhe ai një listë të re, ku përfshiu Sheh Ibrahim Karbunarën, Aleksandër Xhuvanin, Kolë Kuqalin etj., por jo Enver Hoxha. Më 21 janar 1946, kur po diskutohej projektrregullorja e Asamblesë, Dani replikoi me guxim me Koçi Xoxen dhe Enver Hoxhën. Ai kërkoi që procesverbalet e plota të botoheshin në Gazetën Zyrtare. Për këtë arsye Dani u vu në qendër të kritikave dhe të goditjeve. Më 23 dhjetor 1946, atij dhe tre të tjerëve, iu hoq mandati i deputetit. 

ARRESTIMI I DEPUTETIT 

Në vitin 1947–1948, vala e arrestimeve kundër intelektualëve të pavarur, klerikëve, juristëve dhe nacionalistëve u intensifikua. Riza Dani u arrestua dhe u përball me një gjyq farsë, ku vendimi ishte marrë paraprakisht. Akuzat ishin tipike për kohën: “armik i popullit”, “sabotator”, “kundër pushtetit popullor”. Më 14 maj 1947, mbërriti vendimi i Byrosë Politike, firmosur nga Enver Hoxha, Nako Spiru, Hysni Kapo dhe Shefqet Peçi, ku urdhërohej arrestimi i dhjetë deputetëve dhe dënimi i tyre me vdekje. Akuzave të tjera, iu shtua edhe ajo e organizatorit të Lëvizjes së Postribës. Dhe më 22 janar 1948, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake e dënoi me vdekje, i indinjuar Dani i përgjigjet akuzës në gjyq: “Me 9 shtator më ka vdekë vajza, fëmija i vetëm, e ju mendoni se tue pasë kyt rast në shpi do merresha me Lëvizjen? Paçi hijen tuej!”. Në hetuesi dhe në gjyq mbajti qëndrim të pathyer dhe nuk pranoi asnjë nga akuzat, ndonëse u torturua çnjerëzisht. U ekzekutua më 7 shkurt të po atij viti në një varr kolektiv me deputetët e tjerë, ende deri më sot të pagjetur. 

Asnjë provë reale, asnjë proces i drejtë. Vetë fakti që ishte jurist dhe njihte ligjin e bënte të rrezikshëm për një regjim që sundonte përmes terrorit. Në sallën e gjyqit, Riza Dani ruajti dinjitetin e intelektualit, duke mos kërkuar falje për bindjet e tij dhe duke mos u nënshtruar ndaj poshtërimit. Më 1948, Riza Dani u pushkatua. Me vdekjen e tij, regjimi synoi të dërgonte një mesazh të qartë: mendimi i lirë dënohet me vdekje. Pushkatimi i tij nuk ishte vetëm eliminim fizik, por një akt simbolik kundër inteligjencës shqiptare. Familja e tij u persekutua, emri i tij u ndalua të përmendej, dhe për dekada të tëra Riza Dani u la në harresë të detyruar. Librat e historisë nuk e përmendën, arkivat u mbyllën, dhe kujtesa kolektive u deformua. Në mesin e shtatorit të 1946 u arrestuan të gjithë meshkujt e familjes Dani, dënohen 3 veta prej tyre me 26 vite burg së bashku dhe iu sekuestruan shtëpitë dhe fabrikat. 

GJYQI KUNDËR TIJ 

Riza Dani arrestohet dhe nga 11 tetori i 1946-ës torturohet nga ‘hienat’ komuniste antinjerëzore deri në 23 dhjetor 1946, dita kur i hiqet “imuniteti”. Ja si e tregon një pjesë të vuajtjeve të deputetëve të Shkodrës, Kol Prela e Riza Dani, bashkëvuajtësi i qelive e burgjeve, Sami Rrepishti: “Kol Prela më tregoi se në nevojtoren ‘qeli’ pranë ishte Riza Dani, deputeti i Shkodrës, që herë pas here shpërthente me thirrje të nalta e shamje, që shuheshin menjëherë nga rojet e kuqe e shkopi i tyre mbi kurrizin e shtatëdhjetëvjeçarit demokrat”. Më 11 tetor 1946 merret në pyetjeje Riza Dani nga hetuesi i Sigurimit të ushtrisë, Stavri Xhara para majorëve Vaskë Koleci e Zoi Themeli. Kjo ndodh mbasi ai kishte kaluar tortura antinjerëzore, që vetëm ai ka ditur t’i përballojë. Mandati i hiqet në 23 dhjetor 1946, pra një deputet me mandat u nënshtrohet hetimeve me metoda sllavo-mesjetare e qëndron me dinjitet e forcë morale lartë, duke kundërshtuar me guxim të pavërtetat. 

Hetuesia e përcjell me shënimin: “Qëndrimi i tij para hetuesisë ka qenë armiqësor, nuk ka pranuar të firmosë asgjë”. Me qëndrim krenar e stoik e me ndjenjë të lartë përgjegjësie, deputeti Riza Dani deklaron: “Jam i ndërgjegjshëm për çka kam thanë e çka kam ba e veprue. Paçi hijen tuaj”. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura, pa avokat. Nuk ka firmosë e nuk ka kërkue falje. Shpifja është argument i atij që s’ka arsye. 31 dhjetori 1947 si një re e zezë paralajmëron se është mbledhur Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i mbledhur për të gjykuar 19 të pandehurit. Në ato orë të vona të asaj nate të errët, komunikohet vetëm vendimi ogurzi: 7 pushkatim, 6 burgosje përjetë, të tjerët 20 e 15 vjet burgim. E gjithë kjo bëhet mbi bazën e një “Promemorie përcjellëse” që vinte nga hetuesia e mbushur me shpifje. 

AMANETI I DEPUTETIT 

Riza Dani la dëshmi konkrete të shkruara nga dora e tij në rripa letre cigareje, ia pat dhënë mbesës së vet, zonjës Fetie. “Çështja është tepër serioze, gjyqi me dyer të mbyllura, pa avokat e publik. Prokurori më akuzon si organizator i organizatës së deputetëve, kam marrë pjesë në mbledhjet e saj, kam ba mbledhje me të arratisur. Janë gënjeshtra të turpshme të formulueme me magji të një sistemi mesjetar torturash, sistem që asht aplikue edhe në mue. Sidoqoftë, moralisht jam i fortë e i kam mohuar të gjitha në gjyq. Ç’vendim jep ky, nuk e di. Rizai”, shënohet në një letër tjetër. Më pas ka shkruar: “Me shpresë në Zotin do të vdes si burrë. I falem nderit Fetit për kujdesin e për gjellët që më ka sjellë. Bulen (gruan) amanet nipave. Këto Feti ia jep doktor Omerit. Kopjen e ruan për histori”. Një tjetër ditë ka shkruar: “Tashti që po të shkruaj kam vuajtë shumë, 3 ditë pa bukë e ujë, 20 ditë çimento, shtrojë e mbulojë. Feti thuaj doktor Omerit këto që po të shkruaj: Akuzat i kam refuzue të gjitha si shpifje të turpshme. Në rast hallallëku, dua të varrosem pranë Agimes (vajzës)”. Deputeti i Shkodrës, Riza Dani, ekzekutohet në 7 shkurt 1948 e bie me të tjerët në një varr të përbashkët. Familja Dani nuk i ka gjetur akoma kockat e tij dhe duam vetëm të dimë ku prehet. 

RIZA DANI SI SIMBOL 

Sot, Riza Dani përfaqëson më shumë se një individ. Ai është simbol i juristit që mbrojti ligjin kur ligji u shkel, i intelektualit që nuk e shiti mendimin për sigurinë personale, i qytetarit që besoi se Shqipëria duhej të ishte shtet i së drejtës dhe jo i frikës. Figura e tij radhitet përkrah intelektualëve të tjerë të pushkatuar ose të shkatërruar nga diktatura, duke dëshmuar se humbja më e madhe e Shqipërisë nuk ishte vetëm ekonomike apo politike, por shkatërrimi i elitës mendore. Në një shoqëri demokratike, kujtimi i figurave si Riza Dani nuk është thjesht akt nderimi, por detyrim moral dhe qytetar. Pa ballafaqim me të shkuarën, pa emra dhe pa histori konkrete, drejtësia mbetet e cunguar dhe demokracia e brishtë. Riza Dani nuk kërkoi të ishte hero. Ai kërkoi vetëm të ishte i ndershëm me ndërgjegjen e tij. Për këtë arsye u pushkatua. Sot, emri i tij duhet të rikthehet në vendin që i takon: në historinë e vërtetë të Shqipërisë, si shembull i intelektualit që nuk u përkul. Sepse kombet nuk maten vetëm me fitoret e tyre, por edhe me mënyrën se si i kujtojnë ata që u flijuan për të vërtetën. /Gazeta Panorama 

Next Post
Transportonte kallashnikov dhe municion brenda një valixheje, arrestohet pranë terminalit të autobusëve 24-vjeçari!

Transportonte kallashnikov dhe municion brenda një valixheje, arrestohet pranë terminalit të autobusëve 24-vjeçari!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Rama reagon për Ballukun: Nëse e lëmë miun e çbalancimit të na kalojë, nesër do të bëhet ujk

Rama: Jam shumë kurioz pse SPAK u ngut me një vrap mbresëlënës për masa ekstreme ndaj Ballukut

December 21, 2025
Ekonomia e ndikimit, si të rinjtë shqiptarë duan të pasurohen brenda natës

Ekonomia e ndikimit, si të rinjtë shqiptarë duan të pasurohen brenda natës

December 21, 2025
Avokati i Popullit, Rama: Opozita, qesharake deri në fund! Mend për herë tjetër…

Avokati i Popullit, Rama: Opozita, qesharake deri në fund! Mend për herë tjetër…

December 21, 2025
Pezullimi i Ballukut, Rama: Një prokuror dhe një gjykatës u bënë bashkë në errësirë! Çfarë thonë “Venecia” e “Strasburgu”

Imuniteti i Ballukut, Rama: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën e SPAK pa vendosur Kushtetuesja për pezullimin

December 21, 2025
Gjyqi për “Gërdecin”, biznesmeni Mihal Delijorgji shkon në GJKKO por refuzon të dëshmojë

Mediu thirrje për revoltë: Zgjedhje farsë, shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni

December 21, 2025
Britania shkurton ndihmën për Ballkanin Perëndimor: 40% më pak fonde kundër ndikimit rus

Britania shkurton ndihmën për Ballkanin Perëndimor: 40% më pak fonde kundër ndikimit rus

December 21, 2025
“Ministri qokash!” Xhelal Mziu sulmon Bajram Begajn: President kukull, dekretove Diellën

PD do të hyjë në grevë urie? Mziu: Mund të jetë një rrugë për kthimin e standardeve demokratike

December 21, 2025
E diela me mot kryesisht të kthjellët në të gjithë vendin dhe me vranësira kalimtare

E diela me mot kryesisht të kthjellët në të gjithë vendin dhe me vranësira kalimtare

December 21, 2025
Lamtumirë Ismet Bellova! Ndahet nga jeta ikona e gazetarisë sportive shqiptare

Lamtumirë Ismet Bellova! Ndahet nga jeta ikona e gazetarisë sportive shqiptare

December 21, 2025
Alis triumfon në Fest 64, “Nân” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026

Alis triumfon në Fest 64, “Nân” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026

December 21, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In