Kryeministri Edi Rama në podkastin e tij “Flasim”, si çdo fundjavë. Këtë të dielë, 5 prill, e nisi me një urim për besimtarët katolikë.
“Më së pari uroj Gëzuar Pashkën, besimtarëve katolikë, atyre ortodoksë dhe të gjithë shqiptarëve. Bekimi është qofshin Krishtlindje, Bajram, Pashkë apo Sulltan Novruz. Ka një atmosferë të përgjithshme të dëshirës për të festuar festën e një besimi.”
“Jemi përfshirë në një proces, në një fushatë të brendshme në Partinë Socialiste, për të zgjedhur ata që do të jenë drejtuesit në qarqe. Nuk është thjesht një fushatë e brendshme, por edhe një fushatë komunikimi mes nesh dhe të gjithë atyre që na mbështesin, na besojnë apo që kanë dëshirë dhe nevojë të na dëgjojnë dhe t’i dëgjojmë”, u shpreh Rama lidhur me takimet intensive që ai vetë ka zhvilluar së fundmi, si një përgatitje për zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Gënjeshtra safi, sajesa e fabrikime”, i quajti ato që qarkullojnë në media sa i takon procesit të negocitave Shqipëri-BE.
“Punët e Shqipërisë identifikohen me një luftë mizerabël politike dhe me një përpjekje të vazhdueshmë të kujtdo që është në anën e kundërt me ne që qeverisim Shqipërinë për të bërë çmos që punët të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre, me baltën e urrejtjes, mllefit dhe inateve të tyre. Padyshim kemi shumë punë për të bërë, por ama Shqipëria punon dhe punët e saj në tërësi janë në vijë. Ashtu sikundër është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në BE.”
“Do të kemi lajme shumë të mira”, paralajmëroi kreu i qeverisë.











