Nga Fatos Çoçoli
Hekurudhat janë mjeti më ekonomik dhe më i lirë i transportit. Më 21 dhjetor 2023, Komisioni Europian miratoi 120.5 milionë euro për projektet hekurudhore në Shqipëri, si pjesë e një paketë investimi prej 680 milionë eurosh, në hekurudhat dhe energjinë e rinovueshme në Ballkanin Perëndimor.
Projekte hekurudhore me financim nga BE 2024-2027
– Hekurrudha Vorë-Hani i Hotit
– Hekurrudha Durres-Rrogozhinë 120.5 mln euro
– Hekurrudha Tiranë-Rinas-Durrës 91.5 mln euro
Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës
Projekti Tiranë-Rinas-Durrës është i pari për modernizimin e rrjetit tejet të amortizuar hekurudhor në vend. Në tetor 2020 u shpall kompania fituese e tenderit të oprganizuar nga Komisioni Evropian, italiania INC S.P.A .
Kompania do të bëjë rehabilitimin e lidhjes hekurudhore 34.2 km midis Tiranës dhe Durrësit, si dhe ndërtimin e kilometrave të linjës së re hekurudhore midis Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.
Gjithsej kostoja totale e projektit është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant nga Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe 36.9 milionë euro janë nga kredia e butë e BERZH-it. Pjesa e mbetur do të financohet nga qeveria shqiptare.
Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit të Procesit të Berlinit, e cila synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën Perëndimore. Trenat e vjetër do të zëvendësohen nga trena me shpejtësi të lartë rreth 100 km/h. Qytetari do të shkojë nga Tirana në Durrës në 22 minuta.
Hekurudha Durrës-Rrogozhinë
Financimi do të përdoret për rindërtimin e linjës 33.5 km ndërmjet Durrësit dhe Rrogozhinës, kësaj rradhe me tren elektrik. Fondi i dhuruar nga Bashkimi Evropian është 62.5 milionë euro në këtë investim. Hekurudha do të përfundojë në vitin 2028. Do kemi në pak vite rilindje të mirëfilltë të sistemit tonë hekurudhor.
Puna do të përfshijë elektrifikimin, si dhe sistemet e sinjalizimit dhe telekomunikacionit. Linja në Shqipëri do të jetë pjesë e Korridorit të VIII-të Pan-Evropian, i cili lidh Italinë Jugore me Detin e Zi.
Tek ne, segmenti hekurudhor Durrës-Rrogozhinë është pjesë e linjës hekurudhore Durrës – Pogradec, e cila parashikohet të lidhet me Maqedoninë e Veriut në fshatin Lin. Projekti përfshin zgjerimin e trasesë nga Shkozeti në Rrogozhinë, në një gjatësi prej 33.1 km, si dhe ndërtimin e urave të reja, në përputhje me standardet europiane dhe kushtet gjeologjike-inxhinierike e sizmologjike të zonës së projektit.
Hekurudha Durrës-Rrogozhinë është pjesë e planeve për shtrirjen e Rrjetit Rrugor dhe Hekurudhor të Bashkimit Evropian TEN-T në Ballkanin Perëndimor. Financimi i saj përfshihet në paketën e gjashtë financiare të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, me një financim total prej 16.6 miliardë eurosh, i cili synon përfundimisht të hapë rrugën për pranimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar lehtësisht në BE, me ndërlidhjen rrugore dhe hekurudhore të garantuar.
Teksa paraqiste në nëntor të këtij viti Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen cilësoi se “Ndërsa ne vazhdojmë të punojmë së bashku për pranimin, ne duhet të ndërmarrim veprime vendimtare për ta sjellë Ballkanin Perëndimor më afër ekonomisë sonë. Së bashku, ne po hedhim themelet për rritje të qëndrueshme dhe integrim më të afërt, duke demonstruar edhe një herë angazhimin tonë të fortë për prosperitetin e rajonit dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE”.
Hekurudhë dhe me Kosovën?
Ndërkohë, Hekurudha Shqiptare ka përzgjedhur një konsorcium të kompanisë austriake ILF Consulting Engineers Austria dhe Abkons, për të kryer një studim 14-mujor leverdisshmërie, për ndërtimin e një linje hekurudhore me Kosovën. Studimi do të kushtojë 1.8 milionë euro. Ai do të shqyrtojë dy variante për pjesën e Shqipërisë, degëzimin nga linja ekzistuese Durrës – Shkodër dhe kalimi i kufirit pranë Morinës.
Varianti i parë është një itinerar 137 km nga Mjeda, me 107 km itinerar në Shqipëri dhe 29.5 km tunel. Varianti i dytë është 125 km i gjatë dhe përmban 108 km në Shqipëri, duke u nisur nga Miloti. Parashikohet që ndërtimi të fillojë në vitin 2025, i financuar nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës. Hekurudha mes dy vendeve tona synon të bëhet pjesë e korridoreve brenda Ballkanit, por edhe pjesë e korridoreve që i lidhin të dyja vendet tona me Evropën Perëndimore.
Dhe hekurudhat janë mënyra e transportit më me leverdi ekonomikisht dhe më miqësore ndaj mjedisit. Me hekurudhën Shqipëri-Kosovë, vëllimi i mallrave tregtare që shkëmbehen mes dy vendeve tona pritet të pësojë rritje dyshifrore çdo vit, pasi mallrat që përpunohen në Portin e Durrësit për tregun kosovar do të transportohen 60 përqind më lirë me tren, se sa me kontenierë të lëvizur nga kamionë.
Hekurrudha do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës në vitet e ardhshme, pse jo vetëm që do të mundësojë transportin e shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave, së pari mes Shqipërisë dhe Kosovës e më tej drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por do të rrisë me 30 përqind vëllimin e shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut-Bullgari, vetëm në vitin e parë të funksionimit të saj.