Qeveria ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Aleancës Gavi për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat Covax. Synimi i këtij projektligji është blerja e vaksinave.
“Ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit, ndёrmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (Covax Facility), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji”, thuhet në projektligjin që është dërguar në Kuvend.
Në këtë program janë të përfshira aktualisht 80 shtete në të gjithë botën, përfshirë edhe vendet e BE-së. Sipas projektligjit, Shqipëria pritet të marrë 1 140 000 doza, shifër kjo që mbulon 20% të popullsisë.
Shuma totale që do të paguhet është 3.99 mln Dollarë amerikanë, shifër kjo që do të paguhet nga buxheti i alokuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe FSDKSH.
“COVAX Facility” është një mekanizëm ndërkombëtar që koordinon resurset dhe kërkesën për vaksinë ndaj Covid-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine.
Fillimisht do të furnizohen të gjitha vendet me mjaftueshëm doza për të mbuluar 20% të popullsisë. Më pas do të vijojë furnizimi i vendeve me pjesën e mbetur të dozave të kërkuara.
g.kosovari