Izraeli dhe SHBA-të nisën sulme ditën e sotme ndaj Iranit, teksa vetëm pas disa orësh u konfirmua nga presidenti Donald Trump vdekja e udhëheqësit suprem Ali Khamenei.
Po kush është lideri iranian që ishte në politikë prej 64 vitesh?
I lindur në vitin 1939 në qytetin verilindor të Mashhad, djali i një studiuesi fetar, Ali Khamenei iu bashkua lëvizjes fetare opozitare të udhëhequr nga Ruhollah Khomeini kundër shahut Mohammad Reza Pahlavi në vitin 1962.
Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, Khamenei u emërua zëvendësministër i Mbrojtjes dhe ndihmoi në organizimin e Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC), një forcë kyçe ushtarake dhe politike në Iran.
Pas vdekjes së Khomeinit në qershor 1989, Assembly of Experts – një këshill klerikësh – e zgjodhi Ali Khamenein si liderin e ri suprem. Në atë kohë, ai nuk kishte arritur gradën e kërkuar fetare sipas kushtetutës, atë të marja-e taqlid (burim imitimi) ose ajatollah i madh. Për të zgjidhur këtë situatë, kushtetuta u ndryshua duke përcaktuar se lideri suprem duhet të tregojë “dije islame”, çka i mundësoi Khameneit të bëhej ajatollah dhe të zgjidhej në postin më të lartë.
Që nga ajo kohë, ai ka mbajtur një kontroll të fortë mbi politikën iraniane dhe forcat e armatosura, duke shtypur sfidat ndaj sistemit qeverisës, ndonjëherë edhe me dhunë.
Në politikën e jashtme, Ajatollah Khamenei ka mbajtur vazhdimisht qëndrime të ashpra, veçanërisht ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai ka shprehur mosbesim të thellë ndaj marrëdhënieve me Perëndimin, sidomos me SHBA-në, si dhe ka bërë thirrje të përsëritura për eliminimin e shtetit të Izraelit, duke vënë publikisht në pikëpyetje edhe Holokaustin.
Gjatë periudhës së udhëheqjes së tij, Iranin e kanë drejtuar shtatë presidentë. Ali Khamenei është baba i gjashtë fëmijëve.











