Ilir Hashorva ka bërë një refleksion të gjatë për krimet e komunizmit. Ai sjell disa kujtime, mes të cilave edhe një letër të djalit të Mehmet Shehut, Vladimirit, që ia dërgon Enver Hoxhës pas vrasjes së të atit. Në të ai dënon veprimtarinë “armiqësore” të të atit, duke thënë se është me Partinë dhe jo me të atin. Dy muaj pas kësaj letre, Vladimir Shehu u vetëvra në Gramsh. Ja çfarë shkruante ai:
“I dashur shoku Enver, Me anë të kësaj letre dëshirojmë t’ju shprehim dënimin e plotë dhe pa rezerva të veprimtarisë armiqësore të tradhtarëve të Partisë, Mehmet e Fiqret Shehu, solidarizimin e plotë me letrën tuaj drejtuar të gjithë komunistëve për vijën e Partisë dhe me politikën e saj për luftën e klasave. Gjithashtu, dëshirojmë t’i shprehim falënderimet më të thella Partisë dhe juve personalisht, për diferencimin që bëtë midis nesh dhe pjesëtarëve të tjerë të ishfamiljes sonë të përlyer në veprimtari armiqësore….. Ne ju jemi borxhli me gjakun tonë dhe të fëmijëve tanë. Ju falënderojmë nga zemra, veçanërisht për interesimin e posaçëm që treguat ndaj nesh në ditët e para të vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Ky interesim na mbush me forcë dhe optimizëm për të punuar pa kursyer asgjë për t’ia shpërblyer Partisë. Për sa i përket qëndrimit ndaj pjesëtarëve të familjes së Mehmet Shehut, ndarja me ta është çështje parimore. Çështja në këtë rast shtrohet: o me Partinë, o me armikun. Ne jemi me Partinë dhe s’kemi të bëjmë me ata njerëz. Edhe një herë, Ju premtojmë se do të punojmë me të gjitha forcat duke dhënë po ta lypë nevoja edhe jetën për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e vijës së Partisë. Ju kërkojmë ndjesë për bezdinë që po ju shkaktojmë në këto momente, kur ju jeni i zënë me shumë punë të mëdha të partisë dhe shtetit.
Me respekt Vladimir e Fatbardha Shehu, Tiranë më 4.1.1982”









