Kanë kaluar 30 vjet që kur Bashkim Shehu takoi Liri Belishovën, kur sapo kishte dalë nga burgu. Kishte dëgjuar shumë të flitej për të, përtej atyre që kishte mësuar në shkollë, më tej në burg kishte njohur të shoqin e saj. E pas kaq shumë vitesh prej asokohe Bashkim Shehu, i biri i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, shkruan një libër për të parën grua në Byronë Politike, që u dënua e persekutua, si të tjerë rivalë të udhëheqësit Hoxha. Një libër mes biografisë dhe esesë që rrëfen dramën, duke u ndalur në pikat kulmore të jetës së Belishovës.
Titullohet “Liri Belishova dhe koha e saj”, një botim i “UET Press”, me parathënien e profesoreshës dhe përkthyeses Diana Kastrati. Pasi libri gjendet në duart e lexuesve, Bashkim Shehu ishte i ftuari i parë i bashkëbisedimeve me Departamentin e Humaniteteve në Universitetin Europian të Tiranës. Ai iu përgjigj interesit të të pranishmëve në lidhje me librin, për mënyrën se si është shkruar, materialet e përdorura dhe nëse do të ketë një libër të ri për të atin.
“Tri gjëra dua të them! E para, vështirësia ime ishte që për Liri Belishovën është shkruar shumë dhe përveç kësaj ka qenë mjaft e pranishme në media gjatë këtyre dekadave, për të treguar jetën e saj. Kisha pak mundësi që të thosha ndonjë gjë të re. Mirëpo, me një përkthim fjalë për fjalë të një shprehje spanjolle ‘vështirësinë ta kthesh në virtyt’, kjo më çoi në një fokusim të një tjetër lloji, që të ndalesha në momente të caktuara të saj. Në ato që janë më domethënëse për historinë e Shqipërisë të periudhës së komunizmit. Titulli im i parë ka qenë ‘Liri Belishova, portreti në pasqyrën e kohës’.
Kjo përcaktoi edhe zhanrin. Mund të them se pasi mbarova librin, e kuptova se ishte një përzierje zhanresh, nuk është as biografi, as thjesht ese, por mund të themi se është diçka e ndërmjetme, një ndërthurje e këtyre dy zhanreve. Aspekti i tretë që dua të vë në dukje është se koha e saj, sfondi në të cilin nis aty, ka dy gjëra të rëndësishme. E para totalitarizmi. Lidhur me totalitarizmin, si një nga boshtet e këtij libri, nuk pretendoj se sjell ndonjë gjë të re në konceptin e këtij sistemi, ka shumë mendimtarë që e kanë trajtuar. Por është interesante në raport me personazhin me fatin tragjik të protagonistes së këtij libri. Një çështje tjetër që është e rëndësishme dhe konstante me gjithë këtë trajektore të jetës dhe të vetë historisë së Shqipërisë dhe komunizmit është Jugosllavia, d.m.th., raporti i shtetit shqiptar më Jugosllavinë”.
Liri Belishova ishte e vetmja grua në Byronë Politike dhe pyetja që ngrihet sot është se cilat ishin arsyet e vërteta të rënies së saj. Sipas Shehut “janë tre faktorë që çojnë në rënien e dytë të Liri Belishovës.
“Është e vetmja që ka pësuar dy rënie. Njëri ka të bëjë me faktin që ishte e vetmja grua në byronë politike. Faktori tjetër është që dikush duhej të bëhej kurban nga prishja me Bashkimin Sovjetik. Nuk ishte shaka të prisheshe me Bashkimin Sovjetik në atë kohë, sidomos për një vend të vogël si Shqipëria.
Dhe duhej një kurban i rëndësishëm që të mund të parandalonte çdo kundërshtim të mundshëm. Nëpërmjet terrorit, të krijonte mobilizimin. Kjo ka qenë metodë e Stalinit. Faktori i tretë është pikërisht rënia e parë e saj.
Nga njerëzit që u goditën, Liri Belishova, Fadil Paçrami dhe Mehmet Shehu janë goditur më vonë dhe pa bërë asgjë kundrejt Enver Hoxhës”.
Por pavarësisht se Liri Belishova përbën gjithnjë një figurë që ngjall kuriozitet dhe figura e saj është e rrethuar me një tis misteri, çka do të thotë se libri do të tërheqë jo pak vëmendje, vetë eta dhe karriera e Bashkim Shehut është e shënjuar në mënyrë të paevitueshme nga ajo e të atit, ish-Kryeministrit më jetëgjatë të vendit, Mehmet Shehu.
Ndonëse ai herë pas here e ka trajtuar historinë e të atit përmes librash dhe intervistash, duket se për lexuesin ka ende për të zbuluar dhe kurioziteti i të pranishmëve në takim ishte nëse do të kishte një libër tjetër mbi të atin.
“Unë kam shkruar tashmë dy libra për Mehmet Shehun, përveç intervistave që kam dhënë dhe që akoma ka njerëz që pyesin dhe kërkojnë. Nuk di çfarë kam pasur pa thënë dhe nuk kam gjë për të thënë. Kam shkruar ‘Vjeshta e ankthit’ dhe ‘Rrëfim nga një varr i zbrazët’. Janë romane autobiografikë. Gazetat përsërisin një temë dhe publiku trajtohet si fëmijë ‘t’ia tregojmë përrallën edhe një herë’. Unë këtë lloj gjëje nuk e pranoj. Unë çfarë kam pasur për të thënë, e kam thënë”, tha ai.
Ndërkohë që historinë e Belishovës e konsideron një dramë.
“E dini gjykimin që kam për tim atë dhe faktin që ai është im atë. Për mua kjo është një dramë. Dhe vetëm kur më vjen për të thënë, e them dhe kur më pyesin kam reagimin e kundërt. Në këtë libër, sigurisht që ka dhe ka mjaft, veçanërisht në periudhën e viteve ’50, dhe sidomos në pleniumet për Bashkimin Sovjetik, aty citohet dhe del qartë nga protokollet e mbledhjeve, materiale arkivore, që janë ndërhyrjet e anëtarëve të ndryshëm të byrosë politike, të komitetit qendror dhe në këtë rast edhe im atë. Ai ka pasur një rol jo të vogël në rënien e dytë të Liri Belishovës”.
Sa u takon materialeve që ka përdorur për këtë libër, ai thotë se “u jam referuar materialeve të ndryshme arkivore, dëshmive të ndryshme, të Liri Belishovës kryesisht, por edhe djalit të saj, Petritit, i cili më ka ndihmuar shumë në bisedat tona. Në libër them të vërtetën ashtu siç e shoh unë. Mund të jem dhe i gabueshëm. Në përgjithësi është qasja e esesë.
Protokollet janë shumë diskredituese dhe unë i kam botuar pa asnjë koment pasi nuk ka nevojë për komente. Ka momente kur Liri Belishova, duke u përpjekur të mbrohet, iu referohet procesverbaleve dhe u thotë për të njëjtën gjë ‘ju më keni lavdëruar dhe tani po më akuzoni. Çfarë ka ndodhur?’ ‘Lëri procesverbalet. Ato s’kanë rëndësi’, i thotë Enver Hoxha. Edhe Ramiz Alia i thotë ‘ato nuk janë të sakta’”.
BASHKIM SHEHU:
Pranverë 1991. Liri Belishova sapo është kthyer në Tiranë mbas tridhjetë vjetësh internim. Ish-anëtare e Byrosë Politike dhe ish-sekretare e Komitetit Qendror, gjer pak muaj më parë ka qenë, zyrtarisht, armike e Partisë dhe e popullit. Kjo anatemë ra me shpërbërjen e pushtetit që e kishte dënuar. Gjërat ndryshonin me shpejtësi. Revolucion? Sipas përkufizimit klasik, apo të zakonshëm, jo.
Në Tiranën e dimrit që sapo kishte kaluar dhe të një pranvere marramendëse, tepër të bukur, apo së paku kështu më ka mbetur në kujtesë, bëheshin, kur e kur, demonstrata, fenomen jashtëtokësor për Shqipërinë gjer pak më parë, dhe të krijohej përshtypja se mjaftonte një demonstratë që të shembej edhe një copë nga rrënojat e mbetura të ngrehinës dikur të frikshme të atij pushteti. Sapo kisha dalë nga burgu.
Isha i etur të takoja sa më shumë njerëz, të njohur të vjetër apo të saponjohur, dhe të dëgjoja. Nuk besoj të ketë pasur tjetër kohë në jetën time që të kem takuar aq shumë njerëz. Një pjesë të madhe të atyre bisedave i kam harruar. Në atë rrjedhë të rrëmbyer përvojash, takimi me Liri Belishovën është ndër ata që më janë mbresuar më qartë. Ishte hera e parë që takohesha me të.
Kemi qenë fqinj për disa vjet në Bllokun e Udhëheqësve, po unë isha tepër i vogël kur Liri Belishovën e shpallën armike dhe e larguan s’andejmi. Nga shkolla dhe nga fjalimet e ish-bashkëluftëtarëve dhe ish-bashkëpushtetarëve të saj, më ishte përftuar mendimi se Liri Belishova qenkësh një komuniste hiperfanatike dhe se, prej atyre që e kishin dënuar, e ndante vetëm filosovjetizmi, një filosovjetizëm që përbënte identitetin e saj primar. Moska si Meka, apo Kremlini si Porta e Lartë. Apo mauzoleu i Leninit si varri i humbur i Krishtit.
Për herë të parë, diçka ndryshe dëgjova nga i biri i një anëtari tjetër të Byrosë Politike, nga Agim Myftiu, në vitet shtatëdhjetë, në shtëpinë e tij, e cila më parë kishte qenë shtëpia e Liri Belishovës. Më tha se Liri Belishova nuk qe tamam ashtu. Dhe se kishte qenë nga njerëzit më të zgjuar në udhëheqje.
Më pas, në burgun e Burrelit, u njoha dhe u miqësova me të shoqin e saj, Maqo Çomon, dhe të vëllanë, Bardhyl Belishovën, njerëz fisnikë të dy. Megjithatë, për Lirinë dija fare pak. Njihja vetëm konturet e një portreti dhe përfytyroja në të vragat e lëna nga rrëshkatat e jetës. Dhe tani sërishmi ishim fqinjë, ose pothuaj. Banonte në një apartament në Rrugën e Durrësit, as dyqind metra nga vendi ku banoja unë. Një pasdite, shkova dhe e takova.
Dy gjëra më janë thadruar në mendje nga ajo bisedë. Njëra është e përgjithshme: kthjelltësia me të cilën e gjykonte të kaluarën e saj si udhëheqëse. Nuk përligjte asgjë.
E dyta është një fjali e shkurtër: “Ishim si të droguar”. Ndërsa e para më kujton vargjet e dramaturgut Peter Weiss, “… ta të heqësh veten për flokësh/ta kthesh veten duke nxjerrë të brendshmen përjashta dhe ta shohësh krejt botën me një vështrim të ri”, e dyta tingëllon si perifrazim i thënies së famshme të Marksit për fenë si opium, perifrazim dhe përmbysje njëkohësisht. Ja thënia e tij e plotë, para se të arrijë gjer te feja si opium: “Feja është zemra e një bote pa zemër, truri i një bote pa tru…” Le ta zëvendësojmë “fenë” me “marksizmin”, apo me “marksizëm-leninizmin”, apo sido që ta quajmë atë çka do ketë pasur në mendje Liri Belishova.
Mbas njëzetegjashtë vjetësh vendosa të shkruaja këtë libër. Ndërkohë, nga mesi i viteve nëntëdhjetë, para se të largohesha për në Barcelonë, ishim takuar disa herë në rrugë dhe një ose dy herë në shtëpinë e saj. Kish ndërruar banesë, banonte në ish-Bllokun e Udhëheqësve, në shtëpinë e dikurshme të një anëtari të ish-Byrosë Politike, në skajin e përkundërt me shtëpinë e saj të dikurshme, kur kishte qenë anëtare e Byrosë Politike.
Tani, vila e ish-udhëheqësit i qenkësh kthyer ish-pronarit të shpronësuar mbas lufte – “shpronësuesit shpronësohen”, po të përdorim një shprehje tjetër të Marksit – dhe ishte copëzuar në një sërë apartamentesh që tashmë jepeshin me qira. Në njërin prej tyre banonte Liri Belishova. Po përsëri ishim fqinjë, sepse tani edhe unë banoja në atë zonë, përballë një kopshti fëmijësh ku kisha qenë vetëm disa ditë në kohën që ajo u dëbua, dhe tani banoja përsëri jo më shumë se dyqind metra larg saj.
Nga ajo bisedë, ose nga ato biseda, nuk më kujtohet asgjë, përveçse, ashtu turbull, që ato vërtiteshin rreth aktualitetit politik të Shqipërisë. Me sa dukej, ishte e thënë që, nga bisedat me Liri Belishovën, kujtesa ime të ruante më mirë ato që bënin fjalë për ngjarje të largëta, të asaj që quajmë “e kaluar”, ndonëse gjithçka në jetë është e kaluar, përderisa gjithçka rrjedh, ikën.
Dhe, përkundrazi, ose për më tepër, siç thotë Follkneri pak a shumë, e kaluara nuk kalon asnjëherë. Takimi tjetër ndodhi pasi kisha vendosur ta shkruaja këtë libër, në vitin 2017, në një shtëpi tjetër, ku banonte tani Liri Belishova, një apartament përballë Gjykatës.
Është verë, me një vapë jo të zakonshme qoftë dhe për stinën e nxehtë në Tiranë. Po nuk është e mundimshme për mua të shkoj përmes vapës gjer në shtëpinë e saj, ngaqë edhe tani, më 2017, jemi fqinj.
Natyrisht, jemi kur, gjatë ndonjë shkëputjeje nga Barcelona, gjendem sërishmi në Tiranë. Kujtesa dhe harrimi, e tashmja dhe e kaluara, larg dhe afër. Liri Belishova është nëntëdhjetë vjeç. Trupi i saj i vogël është edhe më i tkurrur. Dhe kërrusja e shkaktuar nga kushtet e rënda të punës në internim është bërë më e theksuar. Dhe është e sëmurë, mezi lëviz.
Asgjëmangut, sa herë ndihet më mirë, është e gatshme që të bashkëbisedojmë dhe të rrëfejë. Vështirësia e vetme në bashkëbisedim vjen ngaqë dëgjimin e ka tepër të dobësuar, aq sa edhe aparati nuk ndihmon, dhe mjaft shpesh më duhet që t’i bëj disa herë të njëjtën pyetje.
Zëri i saj, ndërkaq, vazhdon të jetë kumbues, po ai që kam dëgjuar çerek shekulli më parë, duke mos dashur t’ia dijë për kalimin e viteve. Po kujtesa? Më vjen në mendje një fragment nga ‘Ferri’ i Dantes, nga Rrethi i Gjashtë, ai i heretikëve.
Njëri prej personazheve shpjegon se shpirtrat e të vdekurve të Ferrit mund të shohin të ardhmen, por jo të tashmen, jo gjërat që “afrohen ose janë”.
Më vjen në mendje kjo në sajë të një analogjie me përmbysje të kohëve, me ndryshim të rrjedhës kohore: nga bisedat me Liri Belishovën, kujtesa ime ruante më mirë komentet e saj për të kaluarën e politikës dhe jo ato për aktualitetin, a thua kish hyrë në rezonancë me kujtesën e saj, shumë të qartë për të kaluarën, por që, përgjatë kësaj bisede dhe të tjerave që do pasonin, nuk i ruante ato që “afrohen ose janë”, atë çka sapo kish ndodhur, përgjigjet që sapo më kish dhënë, dhe që, prandaj, herë pas here m’i përsëriste. E tashmja, e ardhmja, e kaluara me sytë e së tashmes, e ardhmja me sytë e së kaluarës…
Biografia takohet me historinë: detaje biografike që ndërthuren gjithmonë dhe gjithsesi me refleksione mbi kohën, me reflektimin e njeriut në pasqyrën e kohës.
(Gazeta Panorama)