Gjatë vizitës së tij në Brazil, ministri i jashtëm Ditmir Bushati ka patur takime me homologun Mauro Luiz Iecker Vieira si dhe ministrin e turizmit Alberto Alves. Palët konfirmuan marrëdhëniet e mira dhe vullnetin e përbashkët për thellimin e tyre nëpërmjet institucionalizimit të bashkëpunimit, shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, sidomos në fusha si turizmi, agrobiznesi dhe minierat.
Ministri Bushati vlerësoi si të rëndësishëm zgjerimin e bashkëpunimit bilateral pas hapjes së ambasadave respektive në Tiranë dhe Brazilia. Dy ministrat u ndalën gjithashtu tek zhvillimet më të fundit në rajonet respektive, duke shkëmbyer pikëpamjet e tyre. Shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi qasjen e përshkallëzuar të Brazilit kundrejt Kosovës, e materializuar së afërmi me njohjen e dokumenteve të udhëtimit.