Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, ka përkujtuar sot 81-vjetorin e lindjes së presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si një prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe lidershipit paqësor.
Spiropali theksoi se Rugova dallonte nga politikanët e tjerë, pasi “nuk çirrej, nuk mburrej dhe nuk denigronte kundërshtarët”.
“Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet. Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme. Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi. Ibrahim Rugova ishte një Prijës politik e shpirtëror misionar. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie”, shkruan Spiropali.
Ministrja e përshkroi Rugovën si një prijës politik e shpirtëror misionar, ku butësia e tij përfaqësonte “forcë të papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie”.
Ajo theksoi se Rugova do të kujtohet përgjithmonë për rolin e tij në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Rugova nuk udhëhiqej nga turmat. Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës. Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar. Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon. Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdije atdhetare të palëkundur. Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë”, shkruan ministrja.











