Në pjesën që është botuar sot në “GSH” rrëfehen përplasjet në PD, dalja e Nanos nga burgu për varrimin e të ëmës, pozicioni që pati atë kohë kreu i Partisë Republikane Sabri Godo, një vizitë në shtëpinë e Haxhi Lleshit.
E Diel, 5 Mars 1995
U mblodh konferenca e jashtëzakonshme e PD-së dhe përjashtoi Eduard Selamin, së pari, se ai guxoi të mendojë një moment ndryshe nga “Sulltani”; së dyti, se donte ridimensionim të pushteteve, bashkimin e postit të kryetarit të PD-së me atë të kryeministrit dhe së treti, se ishte për një rrugë të afërt me tonën për çështjen e bërjes së vendit me Kushtetutë. Megjithëse dihej rezultati të cilin e shpalli Y. Vejsiu pardje në Ambasadën Gjermane! Por më i rëndësishëm për t’u shënuar është kursi politik agresiv që u dëgjua dhe u adoptua në këtë konferencë, sipas të cilit te ne nuk ekzistuaka rreziku i neokomunizmit, por vetëm i komunizmit, i kolektivizimit etj. Veçse, ja që “ka një shpatë që do t’ia presë gjymtyrët këtij përbindëshi”! (RD). Kjo “shpatë” identifikohet me PD-në e pushtetin e saj që “duhet përjetësuar”!
Një kuriozitet: Më vjen në zyrë Xhevdet Shehu, korrespodenti i Zërit të Amerikës dhe më kërkon një prononcim për aktivin e PD-së. Kur i them që nuk kam informacion të mjaftueshëm, ai më vuri para regjistratorin dhe dëgjoj pa pritur zërin e Berishës në aktiv që duke ndërprerë Selamin po thoshte:
– Ja dëgjoni, nuk po flet Selami, jo, ua them unë juve, po flet Servet Pëllumbi. Po, po!
– Deri këtu paskan shkuar akuzat ndaj tij? – i them Xhevdetit.
– E dëgjove vetë, – më tha. –
Ta kthej edhe një herë ta dëgjosh më mirë, se kjo s’përbën më ndonjë sekret!
– Faleminderit, janë praktika të njohura të atij njeriu! Mjerë ata!
Më poshtë dëgjoj një nga replikat e Berishës: “Socialistët kanë përdorur dhunë në zgjedhje… tri herë më shumë do ta përdorim atë për të mos ua lënë pushtetin socialistëve”; kurse kandidati për kryetar i PD-së T. Shehu deklaron: “Lufta politike në Shqipëri, veçanërisht në këtë fazë ka marrë e do të marrë një formë shumë herë më të ashpër nga ajo e vendeve të tjera demokratike, se në fund të fundit vazhdon të jetë midis dy sistemeve të papajtueshme, demokracisë dhe komunizmit marksist”! Në këtë frymë, në konferencën e PD-së janë dëgjuar thirrjet: “Komunistët (siç na quajnë ata ne socialistëve) janë një lukuni që kërkon të hajë mish në vathën tonë” (P.Arbnori); “Ta presim damarin që sjell gjak të keq e të bëjmë djathtas”. Çfarë gjuhe! Thirrje tipike të tipit fashist!
E martë, 28 mars 1995
Ja dhe një “zë” tjetër i ngjirur kundër Marksit dhe marksistëve. S. Ngjela që e prezanton veten si dishepull të kulturës anglosaksone më sulmon me emër duke thënë: “Jo z. Pëllumbi, marksizmi ka vdekur që në vitin 1956-1959. Atë e varrosi SD europiane. Marksizmi është relikte e së kaluarës”! (Tribuna Demokratike, 28. 03. 1995). E ç’t’i them unë “anglosaksonit”? Në një rast të tillë, mbase do të mjaftonte shprehja: “Edhe këtë kishim mangët!”.
E enjte, 6 prill 1995
Më ka habitur sot edhe Sabri Godo, i cili dje në Korçë, në thelb është deklaruar kundër paktit social të propozuar prej nesh. Ja arsyetimi i tij: “PS-ja kërkon fitoren pa telashe dhe propozon një pakt social deri në zgjedhje. Jemi dakord, se as ne nuk duam rrugaçëri në gazeta, aq më pak sharje dhe ndeshje në rrugë… Po s’mund të rrimë pa i kujtuar popullit se krerët më në zë të PS-së vijnë drejt e nga kabinetet e E. Hoxhës e R. Alisë dhe se duke u hequr si të rinovuar nuk janë më pak të dëmshëm. Kërcënimi është real dhe po bëhen përditë e më arrogantë, tashmë të sigurt në fitore…” (Republika, 6 prill 1995). Madje bën thirrje për t’u bashkuar rreth PD-së, “për t’i prerë rrugën pushtetit social-komunist”!
E ç’t’i them unë edhe Godos që hiqet mik i të gjithëve kur i intereson, kurse kur do të marrë pronat e vjehrrit “ngjishet” pas PD-së dhe lavdëron “liderin e madh”, duke luajtur rolin që i paracaktoi Ramizi në krye të Partisë Republikane?!
E mërkurë, 12 prill 1995
Fatosi më përcjell një letër që i kishte dërguar Bashkimi, në të cilën ankohet dhe bën vërejtje prapa shpine për mua dhe shokë të tjerë të kryesisë. Veçse bie në sy që bën aludime indirekte dhe kërcënime si “përmes oqeanit…”, të kuptueshme për Fatosin” etj, sepse në letrën që më dërgon Fatosi tregohet shumë i ashpër me Bashkimin, të cilit i kujton “lugën e çorbës…”. Në letër, porosit që të thirret Bashkimi dhe t’i thuhen ato që më kishte shkruar për të… Sot mblodha atë që ne e quajmë shkurt “Kryesi Ekzekutive”, diskutuam rreth problemeve që ngre Bashkimi për funksionimin e kryesisë dhe arritëm në përfundimin se probleme ka dhe ato ne i diskutojmë dhe po i zgjidhim, ndërsa Bashkimi i përdor ato si pretekst për të komunikuar gjëra të tjera dhe për të bërë presione. Kur thirra Bashkimin, në fillim ai mohoi që t’i kishte shkruar ndonjë letër Fatosit. Më pas kur ia tregova letrën, u hodh në sulm kundër Fatosit duke bërtitur: “Qorri, na shet parime tani… letra është midis tij dhe meje. Unë nuk kam gjë me ju” etj., etj. Mjeran! A mund t’u besohet e të punosh me të tillë?! Fatosit i lumtë, po u tregon vendin edhe disave prej “miqve” që duan të përdorin emrin e tij për interesa karrieriste!
E diel, 22 tetor 1995
F. Nano i dërgon një mesazh të rëndësishëm Komitetit të Përgjithshëm Drejtues. Që në fillimin e tij thuhet: Të dashur shokë. Kam kënaqësinë t’ju përshëndes e t’ju përgëzoj për pjekurinë politike, përkushtimin atdhetar e demokratik dhe seriozitetin intelektual e profesional me të cilin po përballoni detyrat me përgjegjësi të drejtuesve të zgjedhur të PSSH-së në këtë prag fushate elektorale dhe në situatën anormale që ka krijuar për opozitën dhe për shumicën në Shqipëri regjimi i Berishës.
Por edhe më të rëndësishme janë disa teza socialdemokrate të shtruara prej tij që shërbejnë si bazë për programin elektoral dhe për Kongresin e Dytë të Partisë. Si të tilla do të nënvizoja: 1. Deviza jonë ka qenë dhe mbetet: Jo komunizmit. Jo antikomunizmit! 2. Baza e botëkuptimit tonë është bashkëjetesa e jo përjashtimi, harmonizimi i iniciativës me drejtësi dhe solidaritetin social dhe jo shtypja dhe shfrytëzimi. 3. Ne nuk jemi as marksistë as antimarksistë! Ne jemi antifashistë, jemi kundër diktaturave, ne jemi socialistë në opozitë me regjimin e “Stalinit pa mustaqe”! 4. Socialistët nuk i lidh asgjë me krimin, aq më pak me genocidin. 5. Ne nuk jemi pa të kaluar, prandaj nuk jemi as pa të ardhme… (Zëri i popullit, 22. 10. 1995).
E diel, 5 nëntor 1995
Një konferencë shtypi Berisha ia kushtoi ligjit të zgjedhjeve. Ne jemi shprehur për ligjin ekzistues dhe në një takim për këtë çështje, i kam thënë Berishës se jemi për ligjin e zbatuar në vitin 1992 që ju nxori ju fitues, pra për modelin miks gjerman: 100 mazhoritar dhe 40 me korrektim proporcional. Por Berisha është si puna e atij që vazhdonte të ngjitej mbi pemë kur të gjithë ata që ishin poshtë i thoshin zbrit! Sot ai tha se është për mazhoritar të pastër që populli të votojë për individët e jo për alternativat e partive. Qëllimi i tij me sa duket është që të grumbullojë tërë votat e spektrit të djathtë dhe të na heqë ne mundësinë e koalicionit me partitë e vogla që aktualisht e kemi më të mundshëm dhe më të favorshëm. Po kështu ai llogarit provokimin e një përçarje në PS duke shfrytëzuar luftën e brendshme midis maleshovistëve dhe marksistëve për të cilën ai ka ndërmend të investohet tërësisht duke shpresuar edhe në prishjen e “neutralitetit” të tanishëm të Kryetarit të Partisë Socialiste F.Nano. Pozat e Berishës në konferencën e shtypit dukeshin prepotente, por optimiste tamam sikur donte të thoshte: “Unë bëj edhe diellin edhe shiun!”. Ne e kemi të qartë që ligjin do ta bëjë si do ai, por luftën në Parlament duhet ta bëjmë të fortë. Pozicioni ynë: Jemi për ligjin ekzistues, por jemi gati të pranojmë edhe sfidën e një ligji mazhoritar në qoftë se do të miratohet me dhunën e kartonëve dhe pa dëshirën tonë. Ne do të fitojmë!
E enjte, 7 dhjetor 1995
Fatosi më dërgoi një letër të gazetarit të njohur Frok Çupi që mban datën 6 dhjetor, në të cilën Kryetarit të PS-së në burgun e Berishës i shtrohet një problem tepër shqetësues. “Unë, – vëren Froku, – ndiej nevojën që t’ju shkruaj për disa gjëra që as mund të publikohen në gazeta dhe as mund të bëhen objekt i një rrethi të gjerë”. Në radhët e opozitës, sipas Frokut, ka elemente (nuk përmendet asnjë emër) që përpiqen të afrohen dhe t’i shërbejnë politikës zyrtare. “Nuk mund të them se një parti e tërë, ose as edhe një Kryesi partie është duke u tërhequr për të bërë shërbimin ndaj politikës zyrtare, me të cilën është shpallur në opozitë…”. Por ndërkohë ai bën fjalë për “një grup njerëzish që mbajnë poste në këto parti (ose në këtë), të cilët po punojnë për të bërë shërbimin në kundërshtim me programin dhe principin e partisë politike që përfaqësojnë. Rreziku më i madh është se në zgjedhjet e ardhshme, – shkruan Froku, – këta mund të vijnë në pushtet…”.
Problem vërtet i madh edhe sikur të jetë pjesërisht i vërtetë dhe duket se ka të bëjë me partinë tonë që pritet të fitojë zgjedhjet pas 5-6 muajve. Fatosi ma dërgon mua këtë letër-problem për filtrim. Duke e lexuar atë disa herë dhe që është një ndër shumë letrat që i venë Fatosit me lloj-lloj problemesh dhe informacionesh, mendova: në thelb ai duhet kuptuar e mëshiruar, pra dhe falur për qëndrime shpesh të ashpra e kontradiktore! Duket edhe këtë ka parasysh kur më shkruan se: Po bëj shkollën e jashtëzakonshme të burgut!
E premte, 15 dhjetor 1995
1. Sot paradite, unë, Sabiti dhe Kastrioti (i porsakthyer nga Gjermania ku shkoi për gjashtë muaj “specializim” dhe qëndroi dy vjet e gjysmë duke i paguar dhe rrogën e deputetit), bëmë një vizitë në shtëpinë e Haxhi Lleshit, ish-Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ka thyer këmbën dhe ka kohë në shtrat. Mbahet mirë, gjithsesi me mendje të kthjellët për moshën 82-vjeçare. Problemi që tërhoqi bisedën: Hedhja në erë parmbrëmë në orën 00:2 të natës e lapidarit në kujtim të Konferencës së Pezës -16 shtator 1942. Mendohet se është “vepër e ballistëve”, të cilët me ardhjen e Abaz Ermenjit (që qëndron sfidues në vilën e M. Shehut në Vlorë dhe ruhet nga forcat e rendit), po kërkojnë një lloj revanshi deri dhe me parulla në rrugët nacionale. Hap i rrezikshëm, i gabuar sidomos për vetë mbeturinat e Ballit Kombëtar që e quajnë veten Parti Kushtetuese! Haxhi Lleshi na tha: – Nuk është pa nuhatje politike A. Ermenji, ka për të qenë aleati kryesor i Berishës në zgjedhjet e ardhshme, por prapë do ta pësojë, se atje në Francë do t’i ketë harruar shumë nga hilet e veta, të cilat sot i di më mirë S. Berisha!..
2. Sot pasdite vdiq Maria Nano, nëna e Fatosit. Shkuam për ngushëllim nga të parët. U interesuam që t’i jepej lejë Fatosit për varrim. Më parë iu dha lejë Gramozit dhe Ilirit për të shkuar në Bënçë për t’i dhënë lajmin e hidhur Fatosit. Iu dha 17 orë lejë. Në orën 15:30 erdhi edhe Fatosi. Shumë njerëz edhe nga rrethet. Pas varrimit, në shtëpinë e Fatosit, me kërkesën e tij bëmë mbledhjen e Kryesisë. Gjë e veçantë. Veçse nuk më la shije aq të mirë toni me të cilin foli Kryetari. Asnjë fjalë të mirë, vetëm vërejtje. Sikur të jemi argatët e tij dhe ai “pronari” që vjen për të bërë “kritikën e punës”. Sepse mu kujtua letra e Ramizit drejtuar Dritëroit. Më konkretisht po shënoj diçka në formë tezash: Jeni një hap prapa Berishës. S’keni iniciativën…
Fola pas tij dhe solla fakte dhe iniciativa të ndërmarra prej nesh që dëshmonin për të kundërtën. Kuptohet pa e atakuar Fatosin drejtpërdrejt, sepse i tillë ishte rasti dhe për më tepër ishim në shtëpinë e tij. Thënë ndryshe, i dhashë një përgjigje asimetrike sepse ai duhet ta dijë që duhet një distancë kohore për të parë më mirë dhe për të kuptuar prirjet dhe hollësitë e realiteteve… Për këtë arsye filozofia e popullit këshillon për të mos prerë gjërat shkurt me sëpatën e dardharit! Me shokët e tjerë, siç më thanë më pas, u mirëkuptuam sepse “shija” që la kjo “mbledhje në orët e zisë” nuk ishte e mirë jo vetëm për mua.
Për më tepër që njerëzit e shumtë u detyruan të dalin jashtë që “Kryetari të bëjë mbledhjen e kryesisë”! Diçka shokuese! Gjithsesi, duke parë gjithë ata njerëz që vinin e takonin, disa dhe me lot në sy, një lloj kapardisje në mbledhjen e improvizuar të kryesisë, mendova: A do të dijë ta kuptojë dhe ta përballojë pozitivisht Fatosi gjithë këtë mbështetje e popullaritet që s’është vetëm diçka personale? Jam disi skeptik!