Aktori i njohur Artan Imami, i cili është një prej mbështetësve të projektit për teatër të ri, ka reaguar pas sulmeve në drejtim të tij.
Mes atyre që e kritikuan, ishte edhe analisti Fatos Lubonja të cilin ai e ironizon teksa shkruan se “këtë mirë që duhet ta durojmë çdo natë në TV, por ky të zë pusi edhe që në mëngjes në gazetë”.
Imami shkruan se “ka pasur fatkeqësinë ta njohë”.
Referuar të dhënave për dënimin e Lusonjës nga regjimi komunist, aktori Imami kujton se Lubonja u arrestua “edhe në bazë të ca ditarëve mbushur me delire gjysmë erotike të një adoleshenti. Tani na duhet ta durojmë çdo natë në TV, në të cilat shkon e dërdëllit për gjithçka si gjitholog që është”.
Letra e plotë:
Drejtuar ca pisanjosëve (që bëjnë pis letrën)
“Më mirë një epitaf i keq sesa të hysh në gojën e aktorëve” Shakespeare
Sot në mëngjes, pasi bëra kafen, u ula të lexoja shtypin e ditës për atë që për disa është një ngjarje vajtimtare, ndërsa për mua dhe shumicën, një ngjarje e gëzueshme. Siç e kuptoni dhe vetë, bëhet fjalë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Si fillim, fytyra e parë në ballë të “Panoramës” më doli i përhershmi Fatos Lubonja.
Se këtë mirë që duhet ta durojmë çdo natë në TV, por ky të zë pusi edhe që në mëngjes në gazetë.
Ky tipi, pasi mbaroi punë dhe asgjësoi totalisht Ismail Kadarenë si shkrimtar dhe jo vetëm, pasi arriti qëllimin ta bënte Skënderbeun një njeri të dyshimtë se e kishte nënën serbe, pasi i dha mend gjithë botës, megjithëse bota hiç nuk e pordhi, pasi bëri copë Ed Ramën dhe oligarkët, gjeti kohë të na nderonte me sharashkrimet e tij edhe neve aktorëve, që s’kemi qenë kurrë aktorë, sipas tij.
Duke filluar nga unë. Unë kam pasur fatkeqësinë ta njoh këtë tipin pothuajse sa doli nga burgu, e i prezantuar si ish-i burgosur politik e humanist i madh, siç tashmë e di gjithë bota (Edi Rama nga të parët).
E pasi e filloi jetën në liri, nisi të vërë në provë durimin tonë, që nga ajo ditë e 28 vite në vazhdim, vetëm se kishte bërë 17 vjet burg. Burgun, me thënë të drejtën, e pësoi nga i ati (apo i ati nga ai?!), megjithëse pak më vonë sistemi zbuloi që i biri na paskësh qenë një kundërshtar i madh.
E pastaj historia vazhdon, Fatosin më në fund e dënuan për ca biseda kundër regjimit, më saktë biseda me çerek nënkuptimesh kundër regjimit, të bëra me të atin, me zë të ulët brenda shtëpisë.
Ah, se desh harrova, edhe në bazë të ca ditarëve mbushur me delire gjysmë erotike të një adoleshenti. Tani na duhet ta durojmë çdo natë në TV, në të cilat shkon e dërdëllit për gjithçka si gjitholog që është (edhe këtë Edi Rama ia ka thënë i pari).
Në fakt, ai gjithmonë flet në fund, sepse mundohet të përmbledhë mendimet e të tjerëve, por po e ndërpreu njeri, e humbet fillin, dhe kjo është normale se nuk janë mendimet e tij. Pastaj, pasi merr rrogën e natës (se mos kujton njeri se shkon gratis aty), fillon e shkruan, bile njëherë tentoi edhe një roman, a një libër kujtimesh, nuk më kujtohet, të cilin ia bleva për mëshirë dhe direkt ia fala një shitësi librash të vjetër, që i shesin për disa qindarka në trotuar.
Kam 10 vjet që atë libër e shoh akoma aty. E këtij tipi që më kujton sa herë e shoh personazhin e famshëm të nëntoger Dubit, përshkruar nga Hasheku si mistrec e gjysmë pordhac, shkurtë e qartë po i them: “Ik o Fatos, merru me veten…!”.
Pasi hapa faqen tjetër, më përplaset një mallkim nga Sesilia Plasari (që është varianti quazi femër i Bujar Asqeriut), që me vikamat e saj më çau… daullen e veshit, por për arsye që tashmë dihen, nuk dua të merrem me të, po i them vetëm, FJALËT MBRAPSHT.
Në atë moment, më ra telefoni dhe më thanë: “Lexo çfarë ka shkruar ‘Shekulli’ për ju”. Hej bela, thashë me vete, hajde lexo “Shekullin” tani.
E bëra këtë mundim dhe gjeta një shkrim nga një farë Laci, i cili shkruante me qesëndi ‘alla lac’, plus sharje dhe ofendime për këdo emër të nderuar që i ishte bashkuar listës për ndërtimin e Teatrit të Ri.
Mendova me vete, mirë kjo fytyra e trishtuar është stërmunduar të na shajë, por Koço pse e lejon? Tani që Koço Kokëdhima, ky pistolero, e përdor gazetën e tij për të plagosur lehtë kundërshtarët e tij politikë (megjithëse këto të fundit nuk e pjerdhin fare) nuk ma merrte mendja se do të merrej edhe me ne.
Koçua, të cilit i iku zëri duke ulëritur kundër korrupsionit, është tipi që më ka habitur gjithmonë, është njeriu që nuk thotë mos më kërkoni llogari si e bëra 1 milionëshin e parë (se këtë ia dimë), por thotë mos më kërkoni llogari si bëra 10 të tjerët.
Koço është iluzionist, magjistar. Pasi ka hapur e ka mbyllur 112 kompani, të cilat dilnin me humbje, dhe sigurisht nuk paguanin taksat, bënte Magjinë e Madhe. Në vend të varfërohej, pasurohej.
Pasi harxhoi disa vite për të ndriçuar si mentor Edi Ramën, vendosi të braktiste gjithçka dhe të jepej me mish e me shpirt për të mirën e popullit. U bë DEPUTET. E do mbahet mend si njeriu që e përjashtuan nga ai Parlament, që me nivelin që ka, i bie sikur të të përjashtojnë nga bordelloja për imoralitet.
I dashur Koço, ke bërë mirë që ke ndërtuar një kishë të vogël brenda shtëpisë tënde, siç më kanë thënë, se të duhet të lutesh për falje tri herë në ditë. E që ta mbyll, po i them le të merret ai dhe gazeta vetëm me të sërës së tij, që janë Parlament e lartë.
E ndërsa e hodha gazetën, mendova, pse të mos them dy fjalë që s’i kam thënë deri tani për të gjithë ata që kanë marrë lehtësisht guximin të merren me emrin tim?
E pra, pse?…. Se boll ma kanë….
Po e filloj me… i shkreti unë që s’di si ta quaj, ……
Po e quaj specialist të drurit. Quhet Arben Derhemi. Po e quaj specialist të drurit, meqë argument kryesor të strukturës së fortë të Teatrit, quante dërrasat me 0.2% lagështirë.
Arbeni mori guximin që me zë të lartë e me një pamje bodyguard-i diskoteke, të më hiqte të drejtën mua, që së bashku me mbi 200 anëtarë artistë të një shoqate për mbrojtjen e të drejtave të interpretuesve, të konkurrojmë sipas ligjeve të shtetit për një licencë që mbron të drejtat tona, të drejta që për nëntë vjet rresht janë abuzuar, vjedhur.
Sot po i them atij, avokatit të tij e ca të tjerëve (mos ardhtë dita të përmend emra), një gjë që ata e dinë, por publiku jo. Prokuroria ka filluar të bëjë detyrën e saj për rastin konkret. E dua t’i kujtoj që qëndrimi im personal në lidhje me godinën është konsekuent që prej 20 vitesh, kur shoqata që unë jam pjesë fatkeqësisht nuk kishte lindur. Kohë, në të cilën ai i binte maces me lugë.
Që i gjori Arben u detyrua të linte mënjanë hunjtë e të mos derdhte gjak, apo larg qoftë të na binte dëshmor, nuk di kë të falënderoj. Por, kur pashë se si luajtën me të, si top llastiku, po i them që nuk je top 50 lekësh, po 40 lekësh (artikull e çmim komunizmi) e që DRURI, pavarësisht lagështirës, DRU ngelet…..
Për tipin që dua të flas, që s’po ia zë emrin në gojë, që të moës i jap shans të përgjigjet, mund t’i them vetëm që, ai është përjashtim i proverbit: “mali që s’ka pyll, ka minerale”, dhe ia kuptoj depresionin nga braktisja e përgjithshme, që ka pasur gjithë jetën, jo vetëm prej shpirtit flori që ka, por edhe nga pamja.
Këshillë: lër mjekërr që të mos të të duhet të shohësh atë surrat-fytyrë në pasqyrë, të mërzitesh, e t’ua derdhësh helmin të tjerëve. E sa për të tjerët që i shoh në tufë, ju them, disave prej tyre, që u mjafton talenti, emri e mbiemri që kanë, të thonë të distancuar nga këta më sipër, atë që duan.
Uuu….. më thanë që paska shkruar dhe Syçi kundër nesh. Po ik o Syç, shko na bli një paketë cigare…. Me këta të politikës nuk po merrem, por i siguroj të interesuarit se në truallin e Teatrit do ngrihet vetëm Teatër dhe ngjitur me të nuk është zbuluar ndonjë burim nafte.
I përshëndes të gjithë të lartpërmendurit e ju them qetësi e bythë të forta! Po që e ndjej veten më të lehtë që i shkruajta këto radhë, qenka qejf.
Profesioni, AKTOR
(Mos ma merrni për mburrje)