Në Ditën Ndërkombëtare të monumenteve kulturore, Ambasada Amerikane thekson nevojën e ruajtjes së tyre dhe investimeve që SHBA ka bënë në Shqipëri për të mbrojtur kulturën e saj të pasur.
Ambasada Amerikane thekson se janë investuar 1.2 milionë dollarë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe rindërtimin e disa nga monumentet që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit si Sahati i Krujës, kalaja e Durrësit dhe kulla e orës në Prezë.
“Sot është Ditën ndërkombëtare të monumenteve kulturore, e cila thekson nevojën për të ruajtur vendet kulturore dhe për të festuar larminë e trashëgimisë kulturore në të gjithë botën. Gjatë 20 viteve të fundit, SHBA ka investuar mbi 1.2 milionë dollarë në mbrojtjen e trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë duke ndihmuar në ruajtjen e vendeve dhe ne jemi duke punuar për stabilizimin dhe konservimin e kullës së Sahatit të Krujës, kalaja në Durrës dhe kullës së orës në Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit”, shkruan Ambasada Amerikane në twitter.
Që nga viti 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet, datë e cila u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983. Që nga kjo periudhë, 18 Prill ka shënuar ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj./ b.h