Ambasadorët e nderit të strategjisë makro-rajonale emërohen me çmimin “Mulliri i Përsosmërisë.” Studentët më të mirë të shkollave të mesme dhe universiteteve nga rajoni vlerësohen për idetë e tyre inovatore sipërmarrëse. Cilësia e mjedisit, turizmi i qëndrueshëm dhe rritja blu janë në qendër të diskutimeve tematike. Shqipëria do vazhdojë praktikën e mirë të presidencës sllovene. Këto janë disa nga ngjarjet kryesore që kanë shënuar ditën e dytë të Forumit të 6-të EUSAIR në Izola të Sllovenisë.
Pasi nënshkruan dje Deklaratën e Izolas, e cila përfshiu edhe anëtarin e dhjetë, Republikën e San Marinos, Ministrat së bashku me të pranishmit u përshëndetën fillimisht nga kryebashkiaku i Izolas, Danilo Markoçiç. Më pas, Ministrat sllovenë, Anzhe Logar dhe Zvone Çeraç, si dhe Komisionerja e BE-së për Reformën dhe Kohezionin, Elisa Ferreira, e shpallën zyrtarisht të hapur Forumin e 6-të të EUSAIR.
Komisionerja theksoi se “qytetarët e vendeve të EUSAIR jo vetëm që ndajnë detin, por ndajnë edhe të ardhmen e përbashkët.” Të frymëzuar nga dialogu ndërministror që u zhvillua në tryezën e rrumbullakët, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe dhe eksperti kryesor slloven për çështjen e ndryshimit të klimës, Luçka Kajfezh Bogataj, si dhe Ambasadori i Paktit të Klimës në BE, gazetari i të përditshmes Delo, Boshtjan Videshmek, shprehën vlerësime për të rinjtë dhe nismat e tyre guximtare duke bërë thirrje gjithashtu për ndryshimin e stileve të jetës dhe ngritjen e institucioneve të reja që do të jenë në gjendje të përballen me sfidat bashkëkohore.
Ndërkaq, konkursi YOUNG POPRI i organizuar nga Parku teknologjik bregdetar, i cili kishte për qëllim gjetjen e ideve më inovatore sipërmarrëse mes studentëve të shkollave të mesme dhe universitare nga nëntë vendet e rajonit të EUSAIR, nxori idetë më të mira dhe më kreative që u vlerësuan më pas në ceremoninë e mbylljes së Forumit të 6-të.
Fituesit e dy çmimeve të para morën çmimin e pjesëmarrjes në një seminar online 14-ditor të organizuar nga kompania M Accelerator me bazë në Kaliforni. Ekipet e para fituese janë nga Sllovenia, VISUS mes studentëve të shkollës së mesme dhe Magnet Strap Winder mes studentëve të universitetit. Ekipet që morën vendin e tretë dhe të katërt , Leaflife nga Italia dhe VAH nga Serbia mes shkollave të mesme, dhe Vocaka nga Mali i Zi dhe Eklinika nga Bosnia dhe Hercegovina mes universiteteve, si shpërblim do të kenë të drejtën e pjesëmarrjes në konferencën PODIM Start Up në Maribor.
Drejtoresha e Parkut teknologjik bregdetar, Tanja Kozhuh tha se, “vetëm Sllovenia kishte 134 skuadra që u futën në garë, dhe nga këto gjithsej 344 garues, 58 mentorë dhe 62 organizata. Shumëzoni këto shifra me tetë vendet e tjera të EUSAIR dhe do të keni shifra marramendëse!“
Njohja e veçantë për idenë më kreative “pa kufi” iu takoi përfaqësuesve nga Nova Gorica dhe Gorizias si Kryeqyteti Europian i Kulturës për vitin 2025. Çmimi u pranua nga anëtarët e ekipit Bioneers nga Maqedonia e Veriut.
Të rinjtë ishin pothuajse kryeqendra e diskutimeve të zhvilluara gjatë gjithë Forumit të 6-të të EUSAIR ku u nënivizua ndikimi tek ta i pandemisë Covid-19 dhe e ndryshimeve klimatike. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka theksoi se qeveria shqiptare do vazhdojë praktikën e mirë të presidencës sllovene e cila i kushtoi vëmendje të veçantë çështjes së të rinjve. Ndërkohë që Young POPRI u fokusua tek idetë e më të rinjve, ata më me eksperiencë dhe shpërndarës të ideve në fushën e shërbimit publik u shpërblyen me çmimet Mulliri i Përsosmërisë dhe Ambasador i Nderit i strategjisë makro-rajonale.
Çmimi i ekselencës iu dha Mirjana Çagalj nga Kroacia, Gerofe Alexakis nga Greqia, Rosella Rusca nga Italia, Milena Krasic nga Mali i Zi, si dhe Bojana Cipot dhe Emilija Kastelic nga Sllovenia.
Koordinatorja kombëtare e strategjive makro-rajonale pranë Ministrisë sllovene të Punëve të Jashtme, Andreja Jerina, dhe iniciuesja e ndarjes së këtij çmimi, shpjegoi motivin e Mullirit të Përsosmërisë, si vijon: “Pamë kriporet tona dhe kërkuam njohurinë e cila, me ndihmën e erës dhe të diellit, do të na çonte tek një thërrimë kripë në ujin e njelmët, që do të përmirësonte jetën e një personi pa dëmtuar natyrën. Kjo është arsyeja se pse mulliri i erës pranë një kriporeje simbolizon idealen dhe përpjekjet e më të mirëve mes nesh.”
Në seancën e fundit u bë një përmbledhje e arritjeve të Forumit nga Monika Kirbis Rojs, Sekretarja e shtetit për Zhvillim dhe Politikat Europiane të Kohezionit, si dhe Jean-Puerre Halkin, kreu i Njësisë makro-rajonale pran[ Komisionit të Europës, i cili vlerësoi kontributin e Sllovenisë në konkretizimin e synimeve dhe metodave të punës gjatë Presidencës. Ata gjithashtu theksuan një pjesëmarrje rekord të Forumit, me 5500 pjesëmarrës gjithsej, mes tyre përfshirë 2000 të rinj.
Një lule prej guri, skulpturë e Crocus Vernus; një lule malore ngjyrë vjollcë, tipike e zonës së Durmitorit në Mal të Zi në brendësi të Adriatiku, u dhurua nga Mali i Zi gjatë dorëzimit të presidences së EUSAIR dy vjet më parë. Kështu që, Shqipëria do jetë vendi i katërt qe e ruan këtë dhuratë simbolike. Dorëzimi zyrtar i mandatit të presidencës së Shqipërisë u bë tek Ambasadori i
Shqipërisë në Slloveni, SHTZ Pëllumb Qazimi. Prioriteti i presidencës sllovene ka qenë edhe përmirësimi i cilësisë së jetës në zonat bregdetare të detit të përbashkët, me qëllim vazhdimin e procesit të evropianizimit të Ballkanit Perëndimor, përmirësimin të komunikimit dhe diskutimin e sfidave aktuale. Forumi u përmbyll me një shfaqje të veçantë për audiencën online prej gati një mijë personash, performuar nga violonçelisti i njohur dhe gjysma sllovene e dyshes së grupit 2Cellos, Luka Šulić.