Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë i kanë kërkuar Vladimir Putinit të Rusisë që të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta dhe serioze me presidentin e Ukrainës.
Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz folën me Putinin me telefon për 80 minuta. Të dy udhëheqësit këmbëngulën për një armëpushim të menjëhershëm dhe një tërheqje të trupave ruse.
Presidenti rus tha se Moska ishte e hapur për rifillimin e dialogut me Kievin, sipas Kremlinit. Por nuk u përmend mundësia e bisedimeve të drejtpërdrejta midis Putinit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas tha më herët se ai nuk ishte “i etur” për bisedime, por shtoi se ato ka të ngjarë të jenë të nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit. Delegacionet ruse dhe ukrainase kanë mbajtur raunde të shumta bisedimesh nga distanca dhe personalisht që prej nisjes së agresionit rus më 24 shkurt, por përpjekjet kanë ngecur.
Franca dhe Gjermania i kërkuan gjithashtu zotit Putin të lirojë 2,500 luftëtarë ukrainas të marrë si robër lufte në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. Fabrika u bë streha e fundit në qytetin port jugor, i cili u përball me bombardimet e pamëshirshme nga forcat ruse dhe tani shtrihet në rrënoja.
Gjithashtu gjatë bisedës, liderët francezë dhe gjermanë i kërkuan Putin të heqë bllokadën e Rusisë ndaj portit ukrainas të Odesa-s, për të lejuar eksportet e grurit. Kremlini tha se Putin u ofrua të shikonte opsionet, për të ndihmuar në adresimin e rrezikut të një krize globale ushqimore por kërkoi që Perëndimi të hiqte sanksionet.
Rusia paralajmëroi gjithashtu Francën dhe Gjermaninë kundër shtimit të furnizimeve me armë në Ukrainë, duke thënë se kjo mund të rrisë edhe më tej destabilitetin. Pavarësisht kësaj, fakti që dy liderët më të fuqishëm në BE po zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus është domethënës.
Thirrja e tyre për një zgjidhje diplomatike edhe kur forcat ruse përparojnë në Donbas nuk mbështetet nga të gjithë aleatët perëndimorë, të cilët kanë frikë se mund të ushtrojë presion mbi Ukrainën për të lëshuar territorin në këmbim të paqes.
/a.r