Ukraina ka hyrë sot në ditën e 15-të të luftës me Rusinë. Deri më tani përparimi Rus drejt Kievit është ngadalësuar ndjeshëm nga ukrainasit të cilët po tregojnë një rezistencë të pashembullt ndaj pushtuesve.
Një sulm ajror ka ndodhur në një maternitet në qytetin port të Mariupolit, duke lënë të plagosur gra që prisnin të lindnin. Bombat ranë edhe në dy spitale në qytetin e Zhytomyr, rreth 150 kilometra në perëndim të Kievit. Njëri është një spital për fëmijë, tha kryetari Serhiy Sukhomlin duke shtuar se askush nuk u lëndua.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se kishte konfirmuar 18 sulme në objektet mjekësore që nga fillimi i pushtimit rus dy javë më parë.
Një shpërthim është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Kharkiv në Ukrainë.
Sipas BBC, forcat ruse kanë goditur me raketë një ndërtesë banimi. Nga informacionet e para, raportohet për katër viktima, mes tyre dhe dy fëmijë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quan sulmin ndaj objektit një “krim lufte”. “Shkatërrimi është kolosal,” thotë këshilli i qytetit.
Ministrat e Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë kanë mbërritur në Turqi për të zhvilluar bisedime paqeje.
SHBA paralajmëron se Rusia mund të planifikojë një sulm kimik ose biologjik në Ukrainë.
Pentagoni “i mbylli derën” të mërkurën një propozimi të Polonisë për t’i ofruar Ukrainës avionë luftarakë MiG-29, prodhim rus, duke i tranferuar ato nëpërmjet një baze në Gjermani.
Nga ana tjetër zbulimi amerikan tha se dërgimi i avionëve në këtë mënyrë do të paraqiste rrezik të lartë për përshkallëzim të luftës.
Moska ka pranuar përdorimin e armëve termobarike në konfliktin që ndërkohë po numëron 1300 të vdekur, për Ukrainën “është gjenocid”, UNICEF regjistron më shumë se një milion fëmijë refugjatë. Çernobili mbetet pa energji elektrike, por për Aiea nuk ka asnjë “rrezik sigurie”. Humbi edhe kontakti me uzinën e Zaporizhzhia. Nga ana tjetër Pentagoni refuzon kalimin e avionëve polakë në Kiev.
g.kosovari