Nga Altin Ketro/
Kryeministri Rama u ka bërë një ftesë publike për studentëve që tash 6 ditë janë duke protestuar poshtë zyrës së ministres Nikolla. Ftesa ka të bëjë mbi adresimin e drejtpërdrejtë të kërkesave të tyre tek numri një i qeverisë. Nuk dihet nëse ata do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese duke ditur se i janë shmangur po të njëjtës ftesë që ka bërë gjatë këtyre ditëve ministrja Nikolla. Bile, edhe kur ajo shkoi vetë në rrugë t’i takojë siç ata vetë po e kërkonin, çuditërisht në çast ndërruan mendje dhe e përzunë.
Gjithsesi, shkojnë a nuk shkojnë (logjika e shëndoshë ta thotë që duhet të shkojnë), po rendis edhe unë disa mendime në lidhje me kërkesat e tyre. Gjykoj se çdokush sot duhet ta thotë mendimin e tij rreth kësaj çështje edhe kur është jashtë sferës universitare. Gjithkush është i lidhur indirekt me këtë çështje, sepse nga kërkesat e këtyre studentëve prekemi edhe ne si taksapagues.
Fillimisht dua të shpreh se format ultimative të të ngriturit të kërkesave nuk janë as produktive e as dobiprurëse. Asnjë qeverie nuk mund t’u vësh ultimatume të tipit: “Bisedojmë vetëm pasi të kesh realizuar kërkesat tona”. Krijimi i precedentëve të tillë do të ishte një metodë shumë e rrezikshme në të ardhmen, pasi do u jepte krahë çdo grupi tjetër interesi që nëpërmjet formave të tilla të kërkonte gjëra që nuk mund t’i plotësonin dot as shtete të fuqishme financiarisht. Absurdi në këtë rast do kthehej në një formë vetë shkatërrimi për shtetin.
Në këtë kuptim shpresoj se do ketë reflektim prej studentëve me qëllim që lëvizja e tyre të vijojë të mbështetet nga opinioni i shëndosh shoqëror.
Duke ardhur tek çështja e ditës, pra kërkesat e tyre, më ka bërë përshtypje se pikëpamja e tyre sheh vetëm nga të tjerët, pra qeveri dhe administratë universiteti. Nuk pash tek kërkesat e tyre asgjë që i lidh edhe ata me një ndjenjë përgjegjësie me vetveten. Kam mendimin se kjo është edhe arsyeja se përse ata u shmangen ballafaqimeve, fillimisht me dekanët a rektorët, e tash edhe me përfaqësuesit e qeverisë.
Studentët kërkojnë përgjysmim tarifash. Diku dëgjova edhe për arsim falas. Nga ministrja Nikolla dëgjova në një TV se shteti rimburson 50 deri 70 për qind të kostos së një studenti. Personalisht i bashkohem zërave që arsimi universitar është investim personal dhe si i tillë ai që e kërkon duhet të kontribuojë edhe vetë personalisht. Në qoftë se kërkohet që e gjithë shoqëria shqiptare të kontribuojë për studentët, atëherë duhen vendosur edhe disa kritere. Kritere të cilat nuk shoh që studentët t’i kërkojnë.
Në qoftë se duhet të kemi një arsim universitar falas dhe investim të buxhetit në arsim sa 5% e GDP, atëherë duhet të kemi edhe një cilësi më të lartë të atyre që pranojmë në auditore.
Gjykoj se duhet të shtojmë shkallën e vështirësisë në rekrutimin e studentëve duke vendosur një mesatare jo më pak se 8 për pranimet në universitet. (Është i diskutueshëm edhe varianti me mesataren 7 për një afat 5 vjeçar). E kërkoj këtë mesatare të lartë sepse ai nxënës që nuk ka bërë hajër në gjimnaz për të marrë nota të mira, nuk ka ç’i duhet as universitetit e as shoqërisë me një diplomë me notat pesa. Sepse këta tipa, pas diplomimit, qëllon që me miqësi bëhen drejtorë, kurse ata që mbarojnë universitetin me dhjeta i gjen o pa punë, në rastin më të keq, ose vartës të tyre, në rastin më të mirë.
Në rast se ngel në një lëndë mësimore, studentit të ketë të drejtë të futet deri në 5 herë në provim për të tentuar marrjen e notës kaluese. Në rast se pas herës së pestë nuk kalon, atij i humb përgjithmonë e drejta për t’u diplomuar tek ai universitet. Ai mund të tentojë diplomimin vetëm në një universitet privat, por duke e filluar shkollën nga e para.
Duke qenë se mund të ketë subjektivizëm nga pedagogu, i cili mund të jetë qëllimkeq në vlerësimin e notës së provimin me tendencë për t’i humbur diplomimin studentit, do sugjeroja që në këtë kuadër të rritej shkalla e transparencës në këto drejtime:
a). Pas çdo provimi teza të skanohet dhe të hidhet online në ueb-in e universitetit e të qëndrojë atyre deri në diplomimin e studentit. Duke qenë online, asnjë pedagog nuk do të guxonte as të hakmerrej ndaj një studenti, e as të favorizonte dikë nëpërmjet ryshfetit duke i dhënë notë kaluese të pamerituar.
b). Publikimin online të notave të çdo studenti, por jo me kodin e studentit, po me emrin dhe mbiemrin e tij, me qëllim që gjithkush ta dijë se për cilin student bëhet fjalë.
Përveç provimit me shkrim, studenti duhet të testohet edhe me një pyetje me gojë. Pyetja të jetë e rastësishme të cilën studenti e zgjedh vetë në një vazo me gogla. Përgjigja e saktë e pyetje të ketë vlerën e plus një note mbi notën e provimit me shkrim, kurse përgjigja e gabuar minus 0.5 pikë të notës nga nota e provimit me shkrim.
Gjithashtu duhen vendosur rregulla shumë të rrepta mbi frekuentimin e shkollës ku duhet vendosur një limit i pa kalueshëm për mungesat pa arsye.
Për sa i përket stafit akademik, e jo vetëm, do kërkoja që të ishte online tema me të cilin kanë mbrojtur gradën “Doktor i Shkencave”, kjo edhe në kuadër të plagjiaturave që kanë shpërthyer kohët e fundit.
Roli i pedagogut është shumë i rëndësishëm në procesin mësimin dhe duhet që të kemi një staf akademik sa më profesional e të përkushtuar. Sistemit universitar i duhen pedagogë që e kanë pasion mësimdhënien, jo thjesht rrogëtarë që mezi presin fundin e muajit, pa e vrarë mendjen se nuk kanë përçuar tek studentët asgjë të vlefshme për ta.
Sa për tezën se duhet vetting edhe për pedagogët, gjykoj se është paksa e nxituar kjo kërkesë dhe shpresoj të mos e kenë të formës: “e pa negociueshme”. Nuk mund ta paragjykosh gjithë elitën universitare të mësimdhënies si të korruptuar vetëm se disa studentë mbetës kanë përfituar nga mëshira e disa pedagogëve që përveç turpit se u kanë dhënë notën 5 atyre, kanë futur edhe një shuk lekësh në xhep sa për ta justifikuar vetveten për këtë gjest të shëmtuar. Mendoj se transparenca që kërkova për publikimin e tezave të provimit, do të jetë rasti më i mirë që të shmanget çdo formë korrupsioni prej pedagogëve të veçuar.
Natyrisht edhe përqindja e votës së studentëve në zgjedhjen e dekanëve e rektorëve duhet të rritet. Ashtu sikurse duhet që studentët të kenë përfaqësues në bordin e administrimit por pa të drejtë vote. Pa diskutim që mbledhjet e bordit të universitet duhet të jenë të hapura dhe çdo shpenzim i miratuar duhet të jetë transparent duke u publikuar online.
Për të mos e zgjatur më tej, bashkohem me thirrjen e kryeministrit që kjo situatë që ndodhi prej pagesës së tarifës për provimet e mbartura, të shërbejë si shkak prej të cilit do të lindë një arsim cilësor dhe i denjë për ata që zgjedhin universitete publike për t’u diplomuar. Të shpresojmë.