Nga Skënder Minxhozi/
Zgjedhjet vendore të 30 qershorit (më saktë votimet, pasi nocioni i zgjedhjes çalon kësaj rradhe), janë kthyer tashmë në grykën e ngushtë të shishes, nëpër të cilën do të kalojnë të gjitha sfidat politike mes pozitës dhe opozitës për vitin 2019. Edi Rama dhe zyrtarët pas tij nuk humbasin asnjë rast publik për të deklaruar se 30 qershori është tashmë një praktikë e kryer dhe se duhet parë përtej kësaj date, për të gjetur një marrëveshjes me opozitën. Të njëjtën gjë, por në sens të kundërt, thotë edhe Lulzim Basha, i cili në çdo protestë afirmon se Rama ka rënë dhe se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Në kampin e pakicës mbetet e paqartë nëse sabotimi i ditës së votimeve do të jetë aktiv, me dhunim qendrash votimi, prishje të aktivitetit elektoral ose pengim i votuesve për të votuar, apo thjesht një rezistencë pasive, duke shpresuar tek pjesëmarrja e vogël. E cila do të konfirmonte se zgjedhjet në vetvete u bojkotuan jo thjesht nga opozita “rrugore”, siç e quan Rama, por edhe nga shqiptarët në përgjithësi.
30 qershori është kthyer kështu nga sfidë politike, në sfidë logjistike. Pra, në një përplasje ku tentohet jo rezultati i garuesve, pasi të tillë ka praktikisht vetëm nga njëra palë, por qetësia dhe rendi publik gjatë procesit. Është ky risku i parë dhe më i madh për qeverinë, i një dite delikate, ku shteti duhet të provojë në terren se është në gjendje të organizojë dhe të mbajë zgjedhje formalisht të paprekura nga dhuna. Zgjedhjet e prishura janë një fitore makabër e opozitës por gjithsesi një fitore. Të paktën në momentin e parë, pa u menduar gjatë. Qëndrimet e përfaqësuesve të opozitës variojnë në këtë pikë, nga kërcënimet e hapura për të mos lejuar “me të gjitha mënyrat” që të ketë votime, deri tek shpërfillja hipokrite e tipit “vërtet mendoni se ato mund të quhen zgjedhje”! Në këtë aspekt, edhe vetë opozita nuk i shpëton dot faktorit të riskut që lidhet me qëndrimin e saj gjatë fushatës dhe sidomos gjatë ditës së votimit.
E në këtë pikë, si gjithmonë kur ka një mollë sherri në mes, hyjnë në lojë të huajt. Deri më sot opozita është paralajmëruar nga ndërkombëtarët kryesisht për sjelljen gjatë protestave që ka zhvilluar në Tiranë. Në lidhje me zgjedhjet deklarimet kanë qenë të lidhura më së shumti me faktin se zgjedhjet nuk mund të pengohen, se largimi i një pale nga procesi zgjedhor është një vendimmarrje personale, e për pasojë pa influencë tek vetë fushata. Zyrtarët amerikanë e europianë që janë marrë me krizën e mandateve, kanë vënë në dukje se zgjedhjet e shkuara ishin legjitime dhe se parlamenti e qeveria janë gjithashtu të tilla.
“Mendoj se mjete si bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike. Prandaj do të nxisja partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik, dhe mendoj se zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë. Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi”. Këto deklarata i përkasin Zëvendës Ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, në 9 prill. Pra, në një moment kur palët kishin të gjithë kohën e mjaftueshme për të shpëtuar të paktën garën për pushtetin lokal. Të cilën e ka dekretuar në bazë të afateve kushtetuese, kreu i shtetit Ilir Meta. E tepërt të thuhet se në të njëjtën linjë me Palmer ka qenë më vonë edhe Mogerini, e disa zyrtarë të tjerë të lartë europianë, pa llogaritur ambasadat në Tiranë.
Nga ato që të huajt kanë deklaruar, nuk ka dilemë për 30 qershorin. Duhet të ketë zgjedhje dhe ato do të njihen edhe nëse opozita nuk paraqitet. Prania e Odri Gloverit në krye të vëzhguesve është garancia më e madhe për këtë fakt (pyesni Doktor Berishën rreth zonjës në fjalë)!
Në këtë optikë, risqet respektive të palëve në 30 qershor shfaqen të ndryshme në pamje të parë, pasi qëndrojnë në barrikada diametralisht të kundërta, sa i përket zgjedhjeve lokale. Por nga ana politike, në fund të asaj dite aktualisht enigmatike edhe për vetë Ramën e Bashën, vlerësimi i palës së tretë, bashkësisë ndërkombëtare, do të jetë një i vetëm. Në varësi të asaj që do të ndodhë në mbi 5400 qendrat e votimit në të gjithë Shqipërinë.
Përtej kësaj sfide force, qeveria dhe opozita përplasen edhe në një tjetër sfidë numrash, e cila do të tregojë tërthorazi se në cilën anë shkon peshorja e simpatisë dhe preferencë së publikut: pjesëmarrja në zgjedhje. Edi Rama dhe bashkë me të edhe 61 kandidatët vendorë, e kanë në 30 qershor garën jo direkt me panelin kundërshtar. Opozita e re dhe Bindja Demokratike nuk janë, për arsye objektive, garues të nivelit kombëtar me PS. Gara e vërtetë e socialistëve në 30 qershor do të jetë me pjesëmarrjen në zgjedhje. Fluksi i njerëzve në qendrat e votimit, megjithë natyrën krejt të pazakontë të këtyre zgjedhjeve, niveli me të cilin do t’i përgjigjen 1.5 milion votuesit apelit të qeverisë për të mos bojkotuar votimin, është sfida reale e shumicës.
Në 30 qershor do të votohet për rinovimin e mandatit të qeverisjes vendore, por në kushtet aktuale, do të votohet kryesisht për diçka tjetër, edhe më të madhe se qeverisja vendore: do të votohet për të ruajtur sistemin e rregullave dhe institucioneve nga degradimi dhe nëpërkëmbja. Duhen shpëtuar muret e shtëpisë, pastaj të shihet çfarë do të ndodhë me orenditë. A do të jetë në gjendje qeveria që të marrë zvarrë imazhin publik aktualisht jo fort rozë, problemet e skandalet që e kanë shoqëruar këto vite dhe konsumin e një mandati të dytë jo të lehtë, e të shpjegojë bindshëm përtej gjithë këtyre faktorëve, se përse duhet votuar në 30 qershor?! Kjo është pyetja madhore sot për Edi Ramën dhe partinë e tij të plotfuqishme në letër, por vetëm relativisht të fuqishme në terren. Gara e vitit 2017, kur PS fitonte për herë të parë në historinë e pluralizmit politike vetme kundër të gjithëve, tashmë është larg. Testi i 30 qershorit është tinzar dhe i paparashikueshëm sa i përket pjesëmarrjes së votuesve, pasi rezultati tashmë dihet.
Nëse PS do të arrijë të marrë jo fitoren e nënkuptuar, por një numër votash të ngjashme me zgjedhjet e fundit lokale, atëhere do të jetë e qartë si drita e diellit se ajo ka fituar edhe moralisht betejën e bindjes së opinionit publik për linjën e saj politike. Nëse në të kundërt pjesëmarrja do të jetë e ulët, kjo do t’i japë hov zërave të opozitës për braktisje të zgjedhjeve nga votuesit. “E patë, jua thamë që shqiptarët janë me ne, edhe ata i dogjën ‘mandatet’ si votues”, ky duket një refren lehtësisht i parashikueshëm në gojën e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.