Shefi i Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Brian Beckmann, e vlerëson hapësirën mediatike në Shqipëri si të njëanshme dhe në shërbim të interesave të pronarëve dhe jo të vërtetës.
Në një takim me studentët e gazetarisë në universitetin “Beder”, Beckmann ka folur për shantazhe dhe presione që pronarët e mediave të mëdha bëjnë ndaj bizneseve të huaja.
“Për fat të keq, ajo që shohim sot në Shqipëri është një hapësirë mediatike që bëhet gjithnjë e më e njëanshme. Më shumë se kurrë më parë, pronarët e mediave kanë një ndikim më të fortë në atë çfarë raportohet dhe se si mbulohet.
Shohim aktorë të këqinj, si këta pronarë apo ata me influencë në këtë vend, të cilët e përdorin median për të kërcënuar me shantazh bizneset ndërkombëtare me qëllim që të dekurajojnë investimet dhe t’u hapin rrugën interesave të tyre personale”, tha zyrtari i Ambasadës së SHBA.
Beckmann thotë se lajmet e këtyre mediave përdoren si armë kundër biznesit, personave apo partive politike dhe jo si mjet për të treguar të vërtetën.
“Shohim histori që janë shkruar, jo të bazuara në të gjitha faktet e vlefshme, por në të kundërt, me informacion të pjesshëm, të shtrembëruar që ofrohet për të promovuar interesin e një industrie, partie, një individi kundrejt një tjetri. Ata përdorin median me qëllimin e vetëm që të arrijnë atë që duan.
Çdo takim ditor editorial në Shqipëri duhet të fillojë me pyetjen “Cila është historia që duhet të tregojmë?” dhe jo “Kujt do t’i vihemi nga pas sot? Lajmet duhet të përqendrohen tek e vërteta, dhe jo si mund të përdoret forca e shtypit si një armë kundër një personi, biznesi, apo një partie politike”,- deklaroi Brian Beckmann.
Fjala e shefit të Marrëdhënieve me Publikun, Beckmann, për studentët e gazetarisë:
Nga Brian Beckmann
Mirëdita. Së pari, dëshiroj të shpreh falenderimet e mia Rektorit Gjana që më ftoi të bisedoj me ju të gjithë sot. Mesazhim im sot është ky: thoni të vërtetën.
Kur më ftuan sot, më kërkuan që të flisja në lidhje me lirinë e shtypit, marrëdhënien ndërmjet medias dhe politikës dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët shqiptarë.
Çfarë i bashkon këto tri tema? E vërteta.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë shtypin e lirë si një shtyllë e themelore të demokracisë. Ne e vlerësojmë lirinë e shtypit si një komponent kyç të qeverisjes demokratike. Pse? Sepse ne besojmë se kur media është e lirë të bëjë detyrën e saj, qytetarët janë më të informuar, aktivë, dhe të angazhuar në vendimmarrje politike. Është gjithmonë më mirë të kesh qytetarë të informuar dhe të kufizosh kontrollin e qeverisë mbi infomracionin në mënyrë që qytetarët të mund t’i japin formë vendimeve të qeverisë dhe të kontrollojnë fuqinë e politikanëve. Një demokraci duhet qeverisur nga qytetarët për qytetarët.
Një media e lirë është gjithashtu e mundur të përmbushë rolin e saj në demokraci, ta bëjë qeverinë përgjegjëse. Media shërben si një “watchdog” për të siguruar që qeveritë po u shërbejnë njerëzve me ndershmëri, në përputhje me ligjin dhe po i përmbushin detyrat e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, media shpesh konsiderohet si shtylla e katërt e demokracisë. Edhe pse nuk është zyrtarisht pjesë e sistemit tonë të qeverisjes, media – së bashku me degët e ekzekutivit, drejtësisë, dhe legjislativit – luan një rol vital. Për ne ajo është një pjesë e rëndësishme e sistemit tonë të kontrollit dhe balancës.
Për ta mbajtur qeverinë në kontroll, media duhet të thotë të vërtetën. Kur del në dritë një shkelje e ligjit, mashtrim apo korrupsion, është detyrë e medias ta raportojë atë – në mënyrë të paanshme dhe me saktësi. Është detyrë e medias t’i tregojë të vërtetën qytetarëve në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në demokraci si qytetarë të mirëinformuar.
Marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës zë një vend të rëndësishëm në këtë diskutim. Pavarësia është një e drejtë që media duhet ta gëzojë në një demokraci të shëndetshme. Asnjë qeveri nuk duhet të ruajë portën, duke vendosur se çfarë informacioni duhet t’u jepet qytetarëve, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e vërtetë.
Në punën time, unë merrem me median çdo ditë. Shpesh më kanë pyetur, “Si ja bën për t’u marrë me rivalët e tu çdo ditë?” Përgjigjja ime është gjithnjë e njëjtë: pikënisja e pyetjes është e gabuar. Një perceptim i zakontë ndër zëdhënësit është se gazetarët janë aty për të të zënë mat. Realiteti është se, nëse unë po flas me median, edhe gazetari edhe unë kemi një punë për të bërë. Gazetari duhet të kërkojë të vërtetën. Unë? Unë kam një histori për të treguar. Unë kam informacionin që dua ta prezantoj si një profesionistë në fushën e komunikimit. Si zëdhënës i një qeverie, është detyra ime të jap informacione në emër të popullit amerikan. Në qoftë se unë e bëj punën time si duhet, edhe gazetari edhe unë do të largohemi duke marrë atë që duam.
Për fat të keq, ajo që shohim sot në Shqipëri është një hapësirë mediatike që bëhet gjithnjë e më e njëanshme. Më shumë se kurrë më parë, pronarët e mediave kanë një ndikim më të fortë në atë çfarë raportohet dhe se si mbulohet. Shohim aktorë të këqinj, si këta pronarë apo ata me influencë në këtë vend, të cilët e përdorin median për të kërcënuar me shantazh bizneset ndërkombëtare me qëllim që të dekurajojnë investimet dhe t’i hapin rrugën interesave të tyre personale. Shohim histori që janë shkruar, jo të bazuara në të gjitha faktet e vlefshme, por në të kundërt, me informacion të pjesshëm, të shtrembëruar që ofrohet për të promovuar interesin e një industrie, partie, një individi kundrejt një tjetri. Ata përdorin median me qëllimin e vetëm që të arrijnë atë që duan.
Çdo takim ditor editorial në Shqipëri duhet të fillojë me pyetjen “Cila është historia qe duhet të tregojmë?” dhe jo “Kujt do t’i vihemi nga pas sot? Lajmet duhet të përqendrohen tek e vërteta, dhe jo si mund të përdoret forca e shtypit si një armë kundër një person, biznesi, apo një partie politike.
Por ka shpreë. Ju të gjithë mund të ndihmoni për ta ndryshuar këtë. Në qoftë se ju do të përpiqeni të nxirrni në pah të vërtetën, ju do të ndihmoni jo vetëm për t’i dhënë formë të ardhmes së Shqipërisë, por edhe të kontribuoni në një shoqëri që funksionon më mirë. Ju mund të informoni dhe t’i përgatisni fqinjët dhe bashkëqytetarët qytetarët tuaj duke ju dhënë atyre informacionin e nevojshëm për tu bëre qytetarë më të mirë.
Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar.
Ne, Ambasada e ShBA jemi shumë të interesuar të shohim një media të lirë e të pavarur në Shqipëri, dhe ne mbështesim interesat tona me premtimet tona. Prej shumë vitesh, ne kemi investuar në të ardhmen e gazetarisë shqiptare. Çdo vit ne dërgojmë në Shtetet e Bashkuara disa gazetarë shqiptar për t’i njohur ata me hapësirën mediatike amerikane. Ata mësojnë nga organizatat aktiviste dhe nga ato që trajnojnë gazetarët amerikanë. Këtë e bëjmë me shpresën që këta pjesëmarrës do të mësojnë diçka të dobishme nga sistemi amerikan dhe do ta sjellin atë në Shqipëri. E bëjmë këtë me shpresën që ata të mund të rrisin standardet editoriale, të ndihmojnë në ngritjen e një etike gazetarie këtu (në Shqipëri), dhe të përmirësojnë metodat që përdorin gazetarët për të përcaktuar se cila është e vërteta dhe për ta nxjerr atë në shesh.
Një nga njerëzit tuaj këtu është përfitues i këtyre programeve. Profesor Erlis Çela, Shefi i Departamentit të Komunikimit mori pjesë në një nga këto programe vitin e kaluar. Ne sapo kemi marrë lajmin që tre prej kolegëve tuaj studentë këtu në Universitetin Beder do të marrin pjesë në një program të kësaj natyre këtë verë. Unë shpresoj që përvoja e tyre të jetë e frutshme dhe jut ë gjithë të mund të përfitoni prej asaj që ato do të mësojnë.
Ne po investojmë burime kohore, njerëzore dhe financiare këtu në Shqipëri për të krijuar akoma më shumë mundësi për ata që kërkojnë të thonë të vërtetën. Programi ynë Laboratori i Gazetarisë Investigative është tani në vitin e tij të tretë. Ky është një program një-vjeçar që ofron përvojë praktike për 10-12 të rinj që aspirojnë të bëhen gazetarë, duke ju dhënë atyre aftësitë dhe teknikat e nevojshme për të bërë një kërkim më të mirë dhe për të treguar ngjarje interesante.
Gazetarët investigativ janë përgjegjës për disa nga ngjarjet më të rëndësishme në gazetari. Watergate, raportimi i të drejtave civile, dhe ekspozimi i çështjes Iran-Contra janë vetëm disa shembuj nga Shtetet e Bashkuara që dëshmojnë se si gazetaria investigative nxorri në shesh të vërtetën dhe ndryshoi politikat dhe politikanët tanë. Gazetarët e realizuan këtë nëpërmjet një kërkimi të plotë dhe një mjeshtrie rrëfyese për të siguruar që qytetarët amerikanë të mund të shihnin të vërtetën që gazetarët kishin zbuluar.
Kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Ambasada e Shteteve të Bashkuara, së bashku me Ambasadën Holandeze dhe Zvicerane janë vendosur në partneritet me Radio Televizionin Shqiptar për të prodhuar programin televiziv 31 minuta që transmetohet çdo dy javë. Nëse nuk keni patur mundësi ta shikoni, mund të gjeni link-un e disa prej atyre historive në faqen tonë të Facebook. Duke ju dhënë pjesëmarrësve në programin tonë të Laboratorit e Gazetarisë Investigative një platformë për të praktikuar profesionin e tyre, ne shpresojmë se ata do të rrisin ndjeshmërinë ndaj ngjarjeve interesante dhe të rëndësishme. Dhe më e rëndësishmja, ne shpresojmë që do të gjejnë dhe do të transmetojnë të vërtetën.
Për ta përmbyllur, do ta përfundoj si e nisa. Me një sfidë: dilni në terren, kërkoni të vërtetën dhe tregoni të vërtetën. Ju keni mundësinë t’i jepni formë të ardhmes së Shqipërisë. Nëse do të zgjidhni të rrëfeni të vërtetën, ne do të jemi pranë jush për t’ju mbështetur dhe për të promovuar punën tuaj.