Mediat greke i kanë bërë jehonë lajmit për darkën e shtruar për ministrin e tyre të Jashtëm, Nikos Kotzias gjatë vizitës së tij në Serbi.
Ato i kanë kushtuar vëmendje të veçantë talentit të ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç për të kënduar. Kësaj herë siç shkruajnë, ai i ka befasuar të gjithë me një këngë në gjuhën greke.
“Gjatë një dreke shtruar për nder të homologut grek Nikos Kotzias, Ivica Daçiç papritur mori mikrofonin dhe nën tingujt e orkestrës filloi të këndojë rrjedhshëm në greqisht këngën e njohur “Mos m’u zemëro syri im”, të këngëtarit të mirënjohur grek Jorgo Dalaras”,- shkruajnë mediat greke.
Po sipas tyre, në momentet që Daçiç ka nisur të këndojë, edhe ministri grek Nikos Kotzias është ngritur në këmbë dhe së bashku me Ivica Daçiç kënduan këngën në prani të të ftuarve të tjerë.
E në fund të këngës, ai nuk e ka harruar traditën e vjetër greke, duke thyer një pjatë.Kujtojmë që pas vizitës në Serbi, Kotzias do të vazhdojë udhëtimin e tij drejt Maqedonisë, ndërsa nuk dihet ende nëse do të vizitojë apo jo Shqipërinë, përgatiti Express. (b.an)